Kishte përshtatur lokalin për shitje droge e lojëra fati, pranga 56-vjeçarit në Korçë. Në shtëpi i gjenden 160 mijë euro

13 Janar 2024, 12:30Kronika TEMA
Kishte përshtatur lokalin për shitje droge e lojëra fati, pranga

Një 56 vjeçar, pronar i një lokali të cilin akuzohet se e kishte përshtatur për përdorim drogash të forta dhe për lojëra fati është arrestuar në Korçë.

Ndërkohë në banesë i janë gjetur municion luftarak dhe 160 000 euro. Në kuadër të operacionit "Mix", u arrestua Roland Kuro.

''Nga kontrollet në lokal, u konstatua se ky ambient ishte përshtatur për përdorim dhe shitje drogash të forta (heroinë dhe kokainë), në doza. Gjithashtu, se ishte përshtatur për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit", njofton policia.

Por policia s'u ndal vetëm tek lokali. Nga kontrollet në banesën e 56-vjeçarit dhe në atë të prindërve të tij, në fshatin Boboshticë, shërbimet gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë, 2 krehëra armë zjarri dhe 160 000 euro të dyshuara me burim veprimtaritë kriminale.

Në momentin kur policia kreu bastisjen e lokalit një 20 vjeçar nga Korça kishte shkuar për të blerë doza kokaine.

Policia informon se gjatë kontrollit janë sekuestruar heroinë, 240 gramë kokainë, peshore elektronike, armë e ftohtë, municion luftarak, 160 000 euro, laptop, çipsa, celular dhe automjet.

 

Lini një Përgjigje