Avokati: Kuvendi nuk është noter i SPAK, mosdhënia e autorizimit për arrestim nuk është pafajësi

10 Mars 2026, 10:00Kronika TEMA
Avokati: Kuvendi nuk është noter i SPAK, mosdhënia e autorizimit

Qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kundër autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku u diskutua këtë të hënë në emisionin “3D” në RTSH. Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në panel, mbrojti tezën se vendimmarrja e ligjvënësve duhet të jetë një proces i mirëfilltë juridik dhe jo një akt thjesht formal në përgjigje të kërkesave të prokurorisë.

Sipas Beqirit, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të kontrollojë bazueshmërinë e kërkesave që vijnë nga organi i akuzës për arrestimin apo kontrollin e banesës së një deputeti. Ai theksoi se “imuniteti është një instrument mbrojtës për pushtetin legjislativ, i parashikuar në Kushtetutë dhe i pranishëm në shumë sisteme demokratike”.

“Të mos mendojë asnjë shqiptar se mosdhënia e autorizimit për arrestim do të thotë pafajësi për zonjën Balluku. Kjo nuk e pengon hetimin,” u shpreh Beqiri, duke sqaruar se procesi penal ndaj saj do të vijojë pavarësisht masës së sigurisë.

Kritikat ndaj kërkesës së SPAK-ut

Gjatë argumentimit të tij, avokati kritikoi qasjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke argumentuar se deri më tani bëhet fjalë vetëm për “dyshim të arsyeshëm” dhe jo për prova të pakontestueshme. Ai vuri në dukje se akuza për ndërhyrje në tendera, në kushtet aktuale, nuk paraqet “rrezikshmëri të lartë shoqërore”, faktor ky që kushtëzon ligjërisht nevojën për arrest me burg.

Beqiri hodhi poshtë edhe pretendimet për një rrezik të mundshëm të intimidimit të dëshmitarëve, duke theksuar se askush nuk mund të pengojë hetimet në këtë fazë. Sipas tij, nëse një dëshmitar ndryshon dëshminë, ai përballet me burgim për deklaratë të rreme, çka e bën të panevojshme masën ekstreme të arrestit për personin nën hetim.

Pozicioni i Kryeministrit dhe ecuria e gjykimit

Lidhur me implikimet politike, Beqiri deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në këtë proces. Ai nënvizoi se pavarësisht faktit që Balluku do të përballet me gjykimin, kërkesa e SPAK-ut për arrestim i ngjan një përpjekjeje për të vendosur gjykatën përpara faktit të kryer, pa pasur argumente të mjaftueshme për masat shtrënguese.

1 Komente

  1. .
    ...

    Me thën të vertetën, kuvendi ështe noter i korrupsion dhe i rrugaxhrise dhe jo i spakut ketu ke të drej...

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje