Zbardhen detaje të reja nga plagosja e 26-vjeçarit Kostandin Ziu, të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Korçë.
Raportohet se konflikti mund të ketë nisur në prani edhe të një vajze. Policia dyshon se autori është larguar nga vendngjarja së bashku me vajzën me një mjet tjetër, ndërkohë që në vendngjarje kanë lënë një mjet me qera që është përdorur nga autori më parë, mjet tek i cili policia ka kryer kontrolle gjatë mbrëmjes të së enjtes.
Ndërkohë policia është vënë në kërkim të autorit që nga momenti i identifikimit, ndërsa për ngjarjen janë pyetur dhjetëra persona që mund të kenë qenë dëshmitarë në momentin e plagosjes.
‘Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se shtetasi Kostandin Ziu, 26 vjeç, është dëmtuar me mjet prerës nga shtetasi J. R., 22 vjeç, gjatë një konflikti fizik. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e 22- vjeçarit J. R’, njoftoi policia.
Sa i përket të plagosurit, sipas bluzave të bardha në spitalin e Tiranës 26 vjeçari ka rënë në koma.
Kostandin Ziu ka dy javë që ka dalë nga burgu i Peqinit aty ku kryente dënimin për veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.
Lidhur me motivin e ngjarjes aktualisht nuk është përcaktuar shkaku, ndërsa policia po heton në disa pista duke filluar nga një motiv banal e deri tek një konflikt i mundshëm që mund të ketë nisur në burg.
Lini një Përgjigje