Nga Bujar Xh. RAMA
“14 VJEÇ DHËNDËR” E A. Z. ÇAJUPIT
Andon Zako Çajupi (1866 - 1930) mbetet nga autorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të Rilindjes sonë Kombëtare. I lindur në Sheper të Zagorisë, më 27 mars 1866, teksa ndërroi jetë në Heliopolis të Egjiptit më 30 korrik 1930, Andon Çako (llagapi i tij i lindjes) do të shndërrohej në një nga më të zëshmit e lëvizjes atdhetaro-kulturore shqiptare në Misir (Egjipti sot). Përtej aktivitetit të avokatisë, Çajupi ishte poet, dramaturg, pamfletist, përkthyes, filantrop (mes të tjerash, kujtoni sasinë e lekëve që Çajupi dërgoi për tërmetin e vitit 1907 në Tepelenë - aq sa mblodhi gjithë shoqata shqiptare e Misirit, i dërgoi ai i vetëm). Ndër kulmet e krijimtarisë së Çajupit ka qenë cikli “Vaje”, një elegji aq emocionale dhe e shkallës sipërore, kushtuar bashkëshortes së tij, Efigjenisë, 10 vjet pas vdekjes së saj. Vargjet aleksandrine të kësaj elegjie, lexuesit i përjetojnë çdokohshëm shkrirë me dhimbjen autoriale dhe i kanë mësuar vetiu përmendsh qysh në leximet e para të elegjisë. Por në këtë shkrim do të ndalemi në komedinë “14 vjeç dhëndër”, një sarkazëm fshikulluese për patriarkalizmin e theksuar që sundonte në Shqipërinë e viteve ’30-të të shekullit të kaluar dhe më herët. Shfrytëzimin ekstrem të gruas - femrës në përgjithësi - dhe qëndrimin diskriminues ndaj saj, Çajupi e pati demaskuar edhe në poezinë “Fshati im”, por komedia “14 vjeç dhëndër” është një “bisturi” më e thellë ndaj atij problemi të ndjeshëm shoqëror, saqë prek cakun e groteskut. Nëse gërmojmë herësinë në kohë e në shekuj, në Shqipëri, mes të tjerash, janë të njohura martesat me rapt (rrëmbim), fejesat në djep, martesat me disprorcion moshe, ku dhëndri (diku 40-vjeçar apo dhe më shumë) martohej me një vajzë 15-vjeçare, me “izën” e babait të vajzës, i cili as që e pyeste të bijën nëse e pranonte a jo për burrë. Në asi kohësh të hershme, janë të njohura edhe metodat e blerjes së nuses me “napoleon” floriri, në masën sa e caktonte çmimin babai i vajzës. Nuk kishte rëndësi mosha e kandidatit për dhëndër (edhe 40 e kusur të ishte), përballë vajzës që shitej nga babai (jo më shumë se 15-17 vjeçe çupa)... Kjo situatë ka qenë kryesisht dhe vetëm në Veri të Shqipërisë. Ndërsa dikur, në Jug, për shkak se djemtë shkonin në luftë për të mbrojtur Atdheun, mbeteshin “në derë” (pa u martuar) vajzat 15-17 vjeçe dhe filluan të bliheshin “dhëndurët”, pa shumë kritere a pretndime të veçanta, se qenë në pakicë... Mjaftonte që familja e kandidatit për dhëndër, më së paku të ishte e sojme, e fisme. Ndoshta këtu e ka marrë ngacmimin e parë Çajupi, duke e komedizuar në një gjetje brilante artin e tij: dhëndri “kuaziadoleshent” - 14 vjeç dhe nusja 20 vjeçe, pra, raporti i përmbysur moshor. Dhe qysh në titull thelbi i komedisë është goditës! Nuk po futemi në analizën e detajuar të marrëdhënieve Tanë - vjehrrë - Vangjel (nusja përballë vjehrrës dhe burrit). Tana, që pati vuajtur e tejvuajtur sundimin e vjehrrës, “sot” kërkon “statusin” e saj (vjehrrës) përballë nuses, duke martuar djalin... 14 vjeç. Në të tashmen kontekstuale, Tana e ka pranuar shfrytëzimin e saj nga e vjehrra, sepse tanimë është koha e “stafetës” - ajo, Tana, do të bëhet vetë vjehrrë dhe “harron” që nusja është një femër, “Tana” e re - “stafetë” e shfrytëzimit edhe kjo.
Ka një tjetër pikë të ndjeshme te Çajupi, ndryshe nga ajo që thamë për blerjen e dhëndurëve. Së pari, kërkon familja e dhëndrit (14 vjeç) nuse - ndonëse mund të jetë koha kur djemtë për t’u martuar janë në luftë - dhe, së dyti, babai i dhëndrit, Vangjeli, ka edhe një kërkesë “sojllëku” për familjen e krushkut:
“Të bënem krushk me korçarë
ara, vreshta shumë kanë”...
Kjo është tipologjia e burrave të kohës që çik Çajupi: nuk shohin cilësitë e djalit apo vajzës, por interesa të tjera, të karakterit:
“Burrat nën hije,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë”.
Vargje të Çajupit te poezia “Fshati im”... Ndjesia e Andon Zako Çajupit për të ngritur zërin ndoshta ishte mëkuar që në rrënjë nga ane Zoica, pasi i ati i tij, Harito Çako, tregtonte duhan në Kavalla të Greqisë e më tej dhe nuk ndodhej shpesh pranë Andonit në edukimin e tij. Çajupi qe i ndjeshëm në padrejtësitë kundër femrës/ gruas, edhe pse me Evgjeninë, helveten e bukur që e deshi aq shumë, Andoni ishte aq shumë xheloz...
“PËRRALLË NGA E KALUARA” E DHIMITËR ANAGNOSTIT
Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, si skenarist dhe regjisor, ka realizuar ndoshta filmin e tij më të mirë në karrierën artistike. Me dy nga ikonat më të mira të zhanrit komik, Robert Ndrenika dhe hajrie Rondo, Anagnosti ka sjellë në filmografinë shqiptare një emblemë të përhershme dhe të përjetshme të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Mjeshtri Dhimitër Anagnosti ka pasur ndoca vështirësi mbase me mjeshtërinë çajupiane. Poeti ynë kombëtar në komedi përçon një galeri të tërë urimesh, mallkimesh, ritualesh, tradite dasme etj., duke dëshmjuar jo vetëm njohjen e thellë të traditës së zonës e më gjerë, por edhe fillin e trashëgimisë për pasaardhësit. Anagnosti zgjodhi magjinë e artit të tij, duke e shndërruar komedinë “14 vjeç dhëndër” në “Përrallë nga e kaluara”. Plastika e aktorëve Ndrenika e Rondo, pantonima e gjestikulacionet e tyre flasin po aq e në mos më shumë se vargjet e Çajupit në përçimin e traditës dhe pasurisë folklorike të urimeve, mallkimeve apo dhe sirasë (radhës) së dollive jugore në dasmë. Aspekti artistik është vlera e padiskutueshme e skenarit dhe regjisë së Dhimitër Anagnostit. Sjellja në kohë dhe mesazhi dikton diskursin që ështe përcjellë mrekullisht në film. Për më tepër kuptimëdi, po ju sjellim se si e përmbyll Çajupi komedinë e tij:
DH. (Dhëndri - Gjino): - Lozëm ndonjë lodër?
Të dua si motër.
N. (Nusja - Marigoja): - Ç’motër më ke mua,
o lum’ e përrua?
Ti më more grua.
DH. : Pse u zemërove
dhe u hidhërove?
Kur s’lot ndonjë lodër,
s’të dua si motër,
të dua si mëmë!
Po hajde të flemë,
se më zuri gjumi.
N.: Fli, të marrtë lumi!
Kjo mbyllje e komedisë së Çajupit sikur ka qenë “testament” për të mençurit e mëvonshëm dhe Artisti i Popullit Dhimitër Anagnosti ia ka ndier artistikisht këtë “marak” poetit të madh. Mori fabulën e komedisë së Çajupit, e përpunoi, e plazmoi, i dha zhvillim të sotkohshëm. Personazhet e Trimit (Xhevdet Ferri), z. Maliq (Zef Mosi), dasmorit hokatar (Birçe Hasko), Goles (Baftjar Çena), Milo budallait (Mehdi Malkaj) etj., e “katarsuan” komedinë e Çajupit dhe i dhanë kontekstin e tej-dhe-shumëkohësisë. Filmi “Përrallë nga e kaluara” është prodhuar më 1987, gati 40 vjet më parë, por ka sjellë një mesazh tejkohor, ndoshta edhe sot i vlefshëm në disa treva të thella rurale, pa qenë paragjykues.
Në finale të filmit “Përrallë nga e kaluara” është batuta: “Një fshat të tërë trazoi, por mori atë që deshi” - mesazhi që Çajupi e la të hapur për pasardhësit dhe që Anagnosti diti ta zbërthente si “testament” të koduar.
SHËNIM: Është një analizë e thukët, shkëputur nga një studim krahasimor më i detajuar realizuar nga autori.
Lini një Përgjigje