Nga Ermal Peçi
Po e bëj këtë reflektim vetëm sepse e vlerësoj shumë Ema Andrea. Nuk e njoh personalisht, por sa herë kam ndjekur rolet e saj në teatër, më kanë lënë gjithmonë një përshtypje shumë të mirë për profesionalizmin dhe seriozitetin e saj në art. Ka artistë që, edhe pa i njohur, të krijojnë respekt vetëm përmes punës dhe dinjitetit që përcjellin në skenë.
Debati i djeshëm me Monika Kryemadhi në emisionin Goca dhe Gra ishte një tjetër dëshmi e absurdit shqiptar.
Shqipëria është shpesh një vend i çudirave. Në shoqëritë post-komuniste ndodh shpesh një paradoks i madh: mund të gjesh gjithçka, përveç profesionistëve dhe dje ne pamë një ish-politikane që fliste për artistët pa veshur këpucët e tyre. Kur them pa veshur këpucët e tyre, flas për atë që ka hequr një artist dhe arti në këto 35 vite, problematikat që kanë të bëjnë me mungesa financimi të qëndrueshme, pagesat minimale, kushtet e vështira të punës dhe politizimi i institucioneve kulturore.
Kur një politikane i thotë para një artisteje si Ema Andrea se artistët bëhen “kacidhe” sepse e lejojnë vetë, problemi nuk është te artistët. Problemi është te politika që për vite me radhë i ka trajtuar artistët si dekor, si sfond elektoral apo si zëra që duhen përdorur vetëm kur duhen vota. Artistët nuk u bënë “kacidhe” nga vetja. Ata u shtynë në atë pozicion nga një sistem politik që nuk ndërton institucione të forta për artin, por kërkon gjithmonë nënshtrim dhe rreshtim.
Por në debat pati edhe një moment shumë të fortë, ndoshta më të sinqertin e gjithë bisedës. Në një reagim spontan, Ema Andrea artikuloi një të vërtetë që shumë njerëz e mendojnë, por rrallë e thonë publikisht:
“Ju kemi paguar ju deputetë që të bëni ato ligjet. Bëjini ato fucking-ligje dhe mos i kërkoni gjithmonë shoqërisë të ngrihet.”
Në thelb, ajo po thoshte diçka shumë më të madhe se një irritim momental. Në një vend ku politikanët gëzojnë privilegje, paga dhe pushtet që ua jep vetë shoqëria, është paradoksale që përgjegjësia t’i kthehet gjithmonë qytetarëve. Politika kërkon vazhdimisht që shoqëria të reagojë, të protestojë, të ngrihet, ndërkohë që vetë ka në dorë instrumentin më të fortë të ndryshimit: ligjin.
Mendimtarët kanë thënë gjithmonë se arti dhe letërsia janë forma më e lartë e lirisë së shpirtit. Ndërsa Friedrich Nietzsche (Niçe) shkruante se “pa artin, e vërteta do të ishte e padurueshme.” Pikërisht për këtë arsye, arti nuk është një sektor që politika mund ta thërrasë për t’i kërkuar llogari apo për ta vënë në rresht. Përkundrazi, nëse sot arti dhe artistët ndihen të keqkuptuar apo të nënvlerësuar, përgjegjësia bie para së gjithash mbi politikën, e cila për vite me radhë ka tentuar ta trajtojë kulturën si dekor të pushtetit dhe jo si një hapësirë të lirë të mendimit.
Në këtë kuptim, debati i djeshëm nuk ishte thjesht një përplasje televizive. Ai ishte pasqyra e një problemi shumë më të madh: raportit të deformuar mes politikës dhe kulturës në Shqipëri.
Në fund të fundit, një shoqëri që nuk respekton artistët e saj nuk varfëron vetëm kulturën; ajo varfëron shpirtin e vet.
Te lumte z. Ermal Peci qe ngren zerin ne mbrotje te Artisteve ..si ne kete raste te zonjes Artiste Ema Andrea . “Ju kemi paguar ju deputetë që të bëni ato ligjet. Bëjini ato fucking-ligje dhe mos i kërkoni gjithmonë shoqërisë të ngrihet.” Thenje mese e vertete, ku secili shqiptare duhet ta ndegjoje dhe zerin e z. Ermal Peci qe e ngren kete Teme shume prekese... Me keto shkrime njerezit zgjohen nga manipulimet qe bejne miliarderet qe u futen ne politike me corape leshi...
Shqipëria është shtet dhe shoqëri e vdekur moralisht dhe e dominuar nga e keqja me të gjitha nuancat e njohura deri më sot.
Respekt për qëndrimin dhe debatin e vlefshëm të Ema Andreas me Monika Kryemadhin. Në temënqë po diskutonin mendoj që po aq fajtorë sa politikanët është dhe media. Shikpjmë Monikën si opioniste në BBVip5 në top chanel. Kur e mendon që ajo është në ndjekje penale për korrupsion e fshehje pasurie dhe ftohet aty. Dhe kur një nga banorët e bigut i drejtohet që ishe e dështuar në politikë ajo u hodh përpjetë po ashtu u hodh përpjetë si servil dhe kolegu i saj Arbër Hajdari duke i ndërprerë fjalën banorit. Nuk e kuptuam edhe irritimin e Z. Hajdar kur nuk po flitej për të.Me që ra fjala edhe Z. Hajdar po mban një qëndrim të njëanshëm si opionist duke sulmuar e sajuar për Mirin e në mbrojtje të tarallakut Mateo që përdor orë e minut ofendime e shprehje rrugacërore aty. Ndoshta z. Hajdar i pëlqejnë shprehjet e Mateos.
100% dakort
Artistët e vërtetë, nuk kanë nevojë oër politikën. Është politika ajo, që ka nevojë për artistët. Monika, ka të drejtë, sepse politikanë si ajo, kanë parë “live”, artistë të kthyer në kacidhe.” Ju kujtohet “ngujimi” për të mbrojtur teatrin? Në të vërtetë ishin kacidhe që artin e vetëm që dinin të bënin, ishte t’u shërbenin politikanëve.
Mona eshte model i shoqerise pleristanit kurse Ema e shoqerise Shekspiriane dhe nuk di si kapranuar ftesen
Pra, arti e bën të vërtetën të durueshme(!), pra i vjen në ndihmë të vërtetës, që mund të jetë e padururshme dhe kur duhet të ndryshojë, dhe duhet të bëjë thirrje për ndryshim, kështu u dashka kuptuar ndryshe, Niçia. Pikërisht, këtu qëndron tokëza e muhabetit. Këtu fillon që arti të bëjë politikë, të fetishizojë sistemin, që e vërteta e padurueshme të bëhet e durueshme. Kush t'ua krijojë kushtet artistëve? Ligji? Pra, politikanët të ndërtojnë ligje, që artistët të ç'far? Të shpallin mbrojtje të politikës, të atyre që ndërtuan ligje për ata, që ta bëjnë të vërtetën të durueshme. Politika në fund të fundit është pikpamje, sjellje, botkuptim. Të gjithë njerzit kanë një botkuptim; vend bosh nuk ka, sepse ai ka të bëjë me përvojën e jetës, kushtet shoqërore etj dhe pasqyrohet në ndërgjegjen e gjithsecilit. Artisti i artit dramatik luan role të ndryshme, ato që i jep producenti dhe regjisori, e pra, artist është, por nuk do të thotë se mbart personalitetitn e rolit, ai ka një personalitet të vetin botkuptimor, pra dhe politik. Shkrimtari, shkruan libra me personazhe, sjellje dhe pikpamje të ndryshme, por ato i sjell sipas botkuptimit të tij, pra e sjell si e kupton ai realitetin e shkuar, të tashëm dhe të ardhëm, pra bën politikë me qëndrimin e tij (ndryshe psh, paraqitet një puntor nga Zola dhe ndryshe nga Gorki). Artistin nuk ka nevojë ta vlerësojë as shoqëria e as politika; ai me veprimtarinë e tij e bën shoqërinë dhe politikën t'i heqin kapelën. E bën politikën t'i vërë gishtin kokës. Arti, veç talent, është punë, madje e stërmundimshme, ai ka të bëjë me edukimin estetik dhe botkuptomor të individit. Ka psh, shkolla të larta, madje, për aktrim, regjisorë, muzikë, artet pamore etj, por nuk ka shkolla të dramaturgë, skenaristë, libretistë, shkrimtarë e poetë edhe pse ka shkolla për gjuhëtatë, gazetarë etj - të gjithë me botkuptime të ndryshme dhe, ose kritikues të realitetit, ose fetishizues të tij. E pra, artist është ai që jo vetëm na njeh me realitetin, por na tregon se si të shpëtojmë nga e vërteta e padurueshme; si ka qënë dhe ç'bënë që dolën prej saj, si është dhe ç'duhet bërë për të dalë dhe si do të jetë dhe si arrihet atje. E atëhere artisti do të ngrejë vetveten dhe do të respektohet nga shoqëria, kurse politika, do s'do do ta konsiderojë, njëjtë me një filozof, koleg etj. Po një inxhinier, fizikan, matematika, gjuhëtar, historian, gazetar, si çan në jetë? Si i mbijeton sistemit që kemi zgjedhur? Nuk kanë të gjithë shansin të merren me politikë, nuk kanë të gjithë shansin të merren qoftë dhe me profesionin e tyre. Ja ashtu, me të shtyrë, me të qenit në krye, me njohje diku, etj. ndryshe, politika do të duhej të bënin nga një ligj, për të gjitha profesionet që kanë apo janë duke humbur "tregun"; në fund të fundit në botën e tregut të lirë jemi; në demokracinë e kërkuar: ofertë - kërkesë. Por, unë, i çuditur, do ta shtroja ndryshe çështjen. Ku e gjen financimin politikania Monika, (se është ndryshe, sa i përket kostove, të bësh art -kinema, aktrim, nga sa të shkruash libra e poezi edhe pse edhe këto kushtojnë paksa për ti botuar, krahasuar me filmin) dhe nuk i gjen psh Ema, edhe pse gëzon simpatinë e publikut?! Por gjithsesi Ermal, arti, ngado që ta kthesh, nuk është fasadë, por megafon që thërret ngado, është i tillë edhe kur shfaqet pamor apo muzikor; është politikë, në fund të fundit! Ndryshe, ta kanë mësuar gabim, s'ke faj, në këtë botë të rreme dhe hipokrite! Edhe artikulli që ke shkrojtur është në vetvete politikë se çfarë një qendrim tëndin ndaj fenomenit. Politika është brenda shoqërisë njerëzore, përderisa njeriu është qënie shoqërore, edhe atje ku pretendohet se nuk duket. Nuk ka fenomen shoqëror apolitik.
Normale. Derisa lejoni bordelloit e politikes, te perzihen me artin, domosdo qe keto do ndodhin