Parlamenti shqiptar në këto vite të fundit e ka përqendruar betejën politike në akuzat për korrupsion dhe kërkesat për dorëheqjen e qeverivë. Megjithatë debatet në Kuvend nuk kanë munguar as në vitin 1921, mes emrave më në zë të kohës si Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Hasan Prishtina etj. Në librin “Mustafa Merlika Kruja- Histori e dokumentuar e një jete në shërbim të kombit shqiptar” të botuar nga UET PRESS me autor Eugjen Merlika pasqyrohen temat e nxehta të kohës, por të përqendruar te e ardhmja e vendit.
Pjesë nga libri
“Mbledhja e 34-të, më 18 korrik 1921, ora katër mbas dite.
... Z. Kryetari: Bisedim mbi përgjigjen telegrafike të kryesis së parlamentit Jugosllav.
Z. Rexhep Mitrovica: Kërkon leje t’i dorëzojë sekretarve nji dokument relativ mbi mizorinat sërbe qi kish pas harrue në mbledhjen e kalueme, për me e ruejtë n’Arkivën e K.Kombtar. Pranohet.
Z. Kryetari: Z. M. Kruja kish ba nji proponim. Këndohet proponimi i cili asht ky:
Kryesis së Këshillit Kombtar,
I nënshkruemi ka nderin të proponojë urdhnin e ditës që vjen këtu poshtë:
“Këshilli Kombtar, tue pamë se dëshiri qi shfaqi me rasë të përgjigjes së ligjëratës së thronit për t’u marrë masa nga ana e qeveris pranë Lidhjes së Kombeve të shqiptarve të mbetun jashtë kufijvet politikë të Shqipnis nuk dhanë ndonji fryt po përkundras plojet e mizorit mbi vëllaznit t’anë të Kosovës, venë gjithnjë tue u shtue e tue u ashprue.
Tue pamë se Shkupshtina Jugosllave në përgjigjen qi po i nep telegrafës, me të cilën ky Këshill kishte për qëllim të prekte në ndiesit njerëzore të përfaqësuesvet të fqinjëvet t’onë veriorë për me i shtye që të ndalojshin dorën e pamëshirë të qeveritarve të tyne, po i merr përsipër edhe ajo e po mundohet t’u japë nji ngjyrë ligjore të tana atyne salvimeve.
Ngre edhe një herë zanin e protestimit përpara gjithë botës së qytetnueme e vendos qi të zgjidhet nji komisì parlamentare prej tre vetësh për me shkue pranë parlamenteve të Kombevet Kryesore t’Evropës me qëllim qi të mundohen me i shtye ata për me detyrue Qeveritë e tyne t’interesohen me mjetet që kanë në dorë për sigurimin e të dejtave njerzore të Kombeve të vllezënve tonë të robnuem, e tue e bâmë zgjedhjen e kësaj komisie për ma të parën mbledhje mbas kësaj, shkon n’urdhën të ditës.
Z. M.Kruja: Atë ditë si dhashë këtë urdhën të ditës mbas bisedimevet që bamë mbi përgjegjen e parlamentit jugosllav pashë ma në fund se nuk u kuptuam mirë. Sikur e dini edhe Z. Juej mirë nji urdhën i ditës nuk asht nji mocion. Proponimet qi bahen nga ana e deputetëve janë dy lloje. I pari mocion që d.m.th. proponim që bahen nga nji deputet e i dyti ka nji tjetër proponim qi quhet në gjuhë parlamentare (urdhën i ditës) – (ordre du jour) me të cilin merr fund nji argument, d.m.th. mënyra si me i dhan fund që deputeti e proponon të shkojë në urdhën të ditës. Me këtë qëllim shkrova këtë shkresë. Kjo nuk âsht nji proponim por nji vendim i Këshillit Kombtar pa kët e kët punë po vendos me dërgue nji komision për këtë qëllim e tue lanë për mbledhjen mbas ksaj mbledhjeje shkon në urdhën të ditës. Për kët punë folëm mjaft, edhe prej shumë shokve u proponue po ky mendim, d.m.th. me dërgue nji komision parlamentar në Parlamentet e Pushteteve të Mëdha për me ba nji propagandë në favor të vllazënvet t’onë shqiptarë të robnuem e të varfnuem se sikur do të keni vue re nuk kam thanë vetëm për vllaznit e Kosovës po për të gjithë vllaznit shqiptar d. m. th për ata të Greqis etj, prej ka kemi marrë lajme të kqija.
Më duket se nuk asht nevoja me bisedue mbi dërgimin a mos dërgimin e nji komisioni mbasi edhe në princip e kemi pranue, vetëm po shtoj se sikur e zhdrivilloi pardje Patër Fishta aq bukur, shqiptarët e Kosovës e të Çamëris janë lidhun me Atëdhen e lirë, e kur këto të priten e të vriten e nuk shofin as nji lëvizje nga ana e Atëdheut të lirë, do mos do do të dëshprohen. Pra kisha me thanë, sikur asnji dobi materiale mos të kishte ky komision, vetëm për me i dhanë nji sodisfaksion moral ktyne vllaznvet t’onë, nuk do të bjershim kurgjë me dërgue tre vet prej Parlamentit t’onë, tue i dhanë të drejtë m’u interesue ndër Parlamentet e botës, ndër gazetarë, shoqnina me randsì e me përdorue çdo vegël qi do t’a shofin se ban efekt.
Z. S. Koleka: Z. Kruja thotë që hapat që Qeverija shqiptare bëri pranë Lidhjes së Kombeve, nuk dhanë asnji rezultat, prandaj që pik së pari të thrritet qeverija dhe âsht tue na turbullue gjendjen e mbrendshme. Përpara gjith këtyne u dashka të pushojmë nga frika se mos të zemrohen të huejt.
Këto tri fuqi nuk mund të bashkohen mbasi kanë interesa reciproke në Shqipëri, dhe ne nga kjo mund të përfitonim. Neve, në vend qi të flasim heshtim. Partia popullore interesohet për çështjen e Kosovës dhe i falemi nderit për kët interesim, po kryetari i saj, Emzot Fan Noli në Romë ka thënë se ne nuk interesohemi mâ tepër se për kufijtë e 1913-ës. Këto fjalë na helmojnë, dhe na bëjnë shum dam, pse si duket inteligjenca e Shqipnisë âsht mâ pak shqiptare se populli.
Z. H. Prishtina: Kam mejtue qi Kshilli Kombtar dje e ka pranue dorzimin e delegacionit me gëzim të plotë. Sot nuk po di pse e ndrroi mendimin.
Përpara zotni Koleka tha që Kosovasit lipset të marrin parasysh interesin e përgjithshëm të Shqipnís e jo vetëm të Kosovës. E siguroj Zotnín e Tij që e marrim parasysh interesin e Shqipnís. Zotnija e Tij thotë Kosovasit të rrinë urtë, ka të drejtë me thanë urtë, por Zotnija e Juej nuk dini shka do me thanë Sërb. Sërbi âsht anmiku i Shqipnís e sidomos i Kosovës, vetëm për shkak se janë Shqiptarë. Kanë thanë shumë herë për ne që i kemi shkrue për lëvizje, po na nuk i kemi thanë me ndejë urtë e mos me ba lëvizje. Shumë prej ktyne letrave t’ona Qeverija Sërbe i ka xanë dhe i ka në dorë, dhe e di qi na nuk i shtyjmë. Zoti Ali Këlcyra tha se kemi dy deputetët Z. Mehmet Konicën e Z. Mithatin. Të dy janë gjind të ndershëm e mund t’u ngarkohet. Ata e kanë nji barrë e me i ngarkue edhe këtë barrë kishte me kenë shum për to.
Janë tuj folë për të holla si me kenë nji mastraf i madh, kujtoj fjalë me ba bile asht e tepërme. E dijmë se kemi nevojë, por kjo si thashë nuk duhet punë e madhe. Un në Salonik kam nji mylk qi ban 30.000 lira, dhe për fjalën e nderit po e ap peng për 5.000 për këtë komisjon. Për këtë fjalë âsht tepër të përsëris me dërgue doemos pse do t’i apin satisfaksion të shkretvet, e në mos u dërgoftë, duhet t’a dini zotni se Kosova do të mbarojë faret. Kur të shofin jugosllavët se na nuk po interesohna, ata do të kqyrin me ba mâ tepëtr masakra.
Lypi pra qi komisjoni të dërgohet e të vehet në votë, dhe në mos u pranoftë responsabilitetin le t’a marrin ata.
Z. Myshqeta: Ju lutem Z. Juaj mos të harrojmë valët e pardjeshme t’atdhetarizmës së vërtetë qi doli në shesh; edhe un bashkohem me ata deputetë të ndershëm që në mbledhjen e parë mâ tepër gjaku i thjeshtë i tyne i nxori jashtë pezmatimet e idhta qi kishin në zêmër për të mjerët vllaznit t’onë Kosovas. Nji kto shqiptarë janë të parët atdhetarë, qi para krijimit të Shtetit t’onë derdhën gjakun për lirinë, u përpoqën për Shqipnínë qi na sot po e gëzojmë, e ata shkelsit barbarë po i mbarojnë e po i farojnë.Me të vërtetë këta Kosovas qi gjinden jashtë 185
kufinit të 1913-ës, mjerisht nuk i kemi vllazën Shtetit, por kurrë nuk mund të themi se nuk i kemi vllazën kombësije e njerzije. Shpresohej se lufta e madhe vetëm nji të mirë po i fal njerëzis, vetëm nji të drejtë po i siguron kombësis; kjo e drejtë ka me qenë: gjuha, mbrojtja e çdo minoriteti nën kujdesin t’atdheut të vet të lirë, Shqipnís s’onë të lirë e të ruejtun nga bijtë e vet të saj që me vdekje kanë ba be se tokën e 1913-ës nuk kanë me e lshue prej dore deri sa mos të mbesi gjak e shpirt shqiptari në faqe të dheut! Si mos t’i qaj zemra përpara atij zylmit të pashpirtshëm të sërbvet qi po gëzohen me farimin e racës mâ të mirë të papërzieme shqiptare n’at Kosovë fatzeza të zaptueme...
Pra edhe unë përkrah dërgimin e shpejtë të nji komisionit n’Evropë sikurse propozon Z. Mustafa Kruja, për me kërkue lirimin e vendeve t’ona shtetnore të shkeluna nga të huejt, si edhe mbrojtjen e së drejtës t’onë njerzore e gjuhtore qi kemi jashtë kufinit 1913.
SPIRO KOLEKA, NGA E PATËM?. MË GJASON ME DO ENVERISTË TË SOTËM.