Britmë nga e ardhmja zero

14 Mars 2026, 10:56Kulturë Ardian Vehbiu

Këto ditë po flitet për filmin Wuthering Heights, me regji të Emerald Fennell; ritregim i romanit me të njëjtin titull nga Emily Brontë, të vitit 1847.

Referimi i drejtpërdrejtë ndaj një vepre tjetër fton për një sfidë intertekstuale – meqë jo të gjithë e kanë lexuar romanin; sikurse jo të gjithë nga ata që e kanë parë a do ta shohin filmin do t’i kthehen pastaj romanit.

Unë për Wuthering Heights kam dëgjuar, madje jam bërë kurioz për të që kur shpërtheu në radiot e botës kënga e Kate Bush; por shkova në kinema pa e lexuar, i armatosur vetëm me një ide shumë të vakët për çfarë flitej.

Mes shumë pyetjeve që vijnë njëherësh, spikat ajo nëse filmi mund të ndiqet dhe të shijohet në mënyrë të pavarur nga romani – apo mos eksperienca ime, si ajo e mijëra e mijëra të tjerëve, që vajtën në kinema pa e njohur romanin, është njëfarësoj e mangët, përballë eksperiencës së atyre që romanin e njohin.

Si të mos mjaftonte kjo, duhen përmendur edhe një radhë filmash të tjerë dhe serish televizive që i kanë paraprirë këtij të tanishmit, dhe që janë bazuar edhe këto në romanin në një mënyrë a në një tjetër; përveçse kanë hyrë edhe në lidhje horizontale mes tyre.

Them se publiku ideal i një vepre arti nuk është as ai që e njeh tashmë artin botëror në tërësinë e vet, me kapacitetin e një Google-i; dhe as ai që nuk di asgjë dhe pret që vepra ta zhvirgjërojë artistikisht.

Shumë nga recensionet dhe kritikat për filmin, që i mbledh sajti Rotten Tomatoes, fokusohen deri në obsesion në marrëdhënien e filmit të Fennel me romanin e Brontë-s, duke shquar tek i pari vetëm diferencat dhe shmangiet nga origjinali, si të ishin çelësi për interpretimin.

Kjo është ta kthehesh metodën krahasuese në obsesion.

Përtej puristëve, që nuk i kapërdijnë kollaj ndërhyrje të tilla në një vepër pak a shumë klasike të letërsisë angleze, janë edhe ata të tjerët, njerëz me shpirt romantik, që nuk shohin dot gjë tjetër te një vepër e re, veç distancimeve të saj nga versioni (kodi) fillestar.

Kjo lloj qasjeje do të supozonte se filmi i tanishëm është vepër derivative, që u drejtohet atyre që romanin e kanë lexuar e madje studiuar në shkollë; për mua, një lloj denigrimi – edhe i filmit, edhe i atij shikuesi si unë, që futet në sallë me pafajësinë e padijes.

Fennell nuk është se nuk e ka kërkuar këtë intertekstualitet, që nga zgjedhja e titullit – si të njëjtë me të romanit dhe që tani është i shkruar me shkronja ari në hall of fame të letërsisë angleze. Dhe me siguri, nuk e ka bërë këtë për të kalëruar në shpinën e një vepre klasike të suksesshme.

Madje ka thënë: “Doja të rikrijoj ndjenjat e një vajze adoleshente, që e lexon këtë libër për herë të parë.”

Të tjerë kritikë trishtohen që filmi i largohet romanit, duke e cunguar a shtrembëruar – duke e marrë të mirëqenë që, në vepra të këtij lloji, besnikëria ndaj origjinalit është virtyt estetik madhor.

Këtu më kujtohen dy vepra të bazuara, edhe ato shumë lirshëm, tek Odiseja e Homerit: Uliksi i Joyce-it dhe Oh, Brother Where Art Thou, i Coen Brothers.

Për këtë të dytin, nuk do ta kisha vënë re se ishte bazuar te poema e Homerit.

Dhe pastaj mendoj se ç’do të ndodhë, sikur unë të lexoj tani romanin e Brontë-s dhe t’i përfytyroj personazhet me fytyrat dhe sjelljet që u ka dhënë Fennell në film; dhe të qëmtoj diferencat mes dy veprave – por këtë herë, duke ndjekur një këshillë të Borges-it, me premisën (spekulative) që është romani që është mbështetur në filmin.

A nuk e përfytyrojmë, shumë nga të brezit tim, Penelopën e Homerit me fytyrën e Irene Papas-it, dhe Uliksin me fytyrën e Bekim Fehmiut?

Leximi aq vektorial, që po ia bëjnë shumë kritikë filmit, nuk ndalet vetëm te variacioni intertekstual – sepse ndikohet edhe nga interpretimi “sociologjik” që i është bërë romanit të Brontë-s, dje dhe sot – duke e parë si dramë diferencash klasore, raciale dhe gjinore.

Përndryshe mua, që nuk i kisha marrë me vete, në kinema, ndikimet dhe orientimet prej kritikave të tilla, filmi më solli në mendje Schopenhauer-in; dhe përsiatjen e tij se tërheqja e parezistueshme që ndiejnë dy të dashuruar për njëri tjetrin nuk është veçse vullneti për jetë i asaj mase njerëzish që potencialisht mund të vijnë në jetë, përmes asaj lidhjeje.

Ashtu edhe drama që rrëfehet në film mund të lexohet si vajtim i një bashkësie ndoshta eksponencialisht rritëse njerëzish që, me dështimin e dashurisë, në jetë nuk erdhën dot; dhe që ndoshta simbolizohet në statujën makabre të foshnjës së vdekur në bark. Nuk është aq individi, sa ç’është specia që vajton përmes individit; prandaj nuk ka dhimbje më shqyese se ajo e një dashurie të humbur.

Në çdo rast, dhe si shumë tragjedi të tjera, edhe ajo mes Catherine-s dhe Heathcliff-it buron nga një fatalitet; që, mes diferencave të tjera (klasore, raciale) i ka rrënjët edhe në një décalage kohor.

Një linjë narrative relativisht banale – ajo ku një çift dashurohen, pastaj martohen dhe jetojnë të lumtur me fëmijët e tyre – çrregullohet nga faktorë të jashtëm dhe pastaj sendërgjohen monstruozitete.

Nëse rrëfimi – cilido rrëfim – nuk është veçse renditja e kujdesshme e ngjarjeve në kohë, filmi na tregon se çfarë ndodh, sikur kjo renditje të çrregullohet dhe sinkronizimi të prishet.

Dhimbja e rëndë vjen nga e ardhmja dhe viktimat e saj, në të sotmen, nuk e kuptojnë dot.

Koha në film – dhe ndoshta edhe në roman – është out of joint, për ta thënë me një shprehje të Philip K. Dick-ut.

Në shumë romane dhe histori që trajtojnë udhëtimin në kohë (time travel) ndodh që zhvendosja e një agjencie (vullneti, personazhi) në kohë shoqërohet me gjithfarë çrregullimesh, aksidentesh dhe katastrofash, të cilat nuk janë veçse përpjekje të meta-narrativës për t’u mbrojtur nga paradoksi.

Linjat narrative të mundshme – në jetë dhe në fiction – kanë probabilitet të ndryshëm; dhe, si rregull, ngjarjet ndodhin (materializohen) sipas shtegut më pak të mundimshëm: the path of least effort. Brenda historisë që rrëfen Wuthering Heights do të dukej më e mundshme që Catherine të përfundonte e martuar me fqinjin e vet të pasur Edgar Linton, duke kombinuar hijeshinë e vet me pasurinë e të shoqit. Por në këtë vijë kohore futet – aksidentalisht – një element çrregullues, Heathcliff-i, një fëmijë i gjetur në rrugë dhe i sjellë rastësisht në shtëpi nga i jati pijanec i heroinës.

Heathcliff-i është një outsider, i cili në thelb nuk i përket atij universi të mbyllur. Prandaj edhe narrativa rreth tij pështjellohet vetvetiu, duke prodhuar dashuri të zjarrtë, pasion, brutalitet, vuajtje të parrëfyer dhe, siç mund të merret me mend, vdekje.

Kushedi ky “sfazim” a kjo dalje nga sinkronia ka diçka të bëjë me atë transformim social në Anglinë e Brontë-s, ku feudalizmit dhe sundimit të pronarëve të tokave ia zuri vendin borgjezia; këtë përmbysje sociale e përmendin, lidhur me romanin dhe filmin, edhe Jameson edhe tani së fundi Zhizheku.

Vetë filmi sikur shtjellohet në një skenë teatri – ku personazhet luajnë vetveten si kukulla. Sepse janë shkulur, ndoshta me përdhunë, nga linja të tjera sociale dhe kohore, për t’u mbajtur peng i dramës që i duhet dhënë publikut.

Kjo është edhe estetika e Fennell-it, e cila e lejon veten t’i nxjerrë këto kukulla nga romani dhe t’i mbyllë në skenën që ua ka ndërtuar vetë. Dhe si për ta përmbyllur metaforën, shtëpia e kukullave shfaqet edhe në film, e ndërtuar nga Isabella, kunata e Catherine-s.

Këtu më ra në mendje që Margot Robbie, e cila luan rolin kryesor në film, njihet prej publikut edhe prej filmit të suksesshëm Barbie; nuk e përjashtoj që disa ta kenë ndier interferencën dhe ta kenë lejuar që t’ua ndikojë eksperiencën me filmin tjetër. Të kërkosh diçka të përbashkët mes Barbie-t si ikonë pop dhe Catherine-s, thjesht ngaqë të dy këto role i ka luajtur e njëjta aktore, është të rrezikosh e të futesh në një labirint tjetër intertekstual. Unë, që Barbie-n e njoh nga lodrat e time bije para shumë vjetësh, por që filmin nuk e kam parë, u tundova fort të gjej një lidhje mes atij personazhi dhe shtëpisë së kukullave në filmin e tanishëm. Me sa të drejtë?

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Botohet me leje te TemA.

Lini një Përgjigje