Apostrof/ Kur kompromisi e bën pseudoshkencën pjesë të kulturës

27 Maj 2025, 21:40Kulturë TEMA
Apostrof/ Kur kompromisi e bën pseudoshkencën pjesë të

Nuk janë gjithmonë më të rrezikshmit ata që thonë marrëzi me zë të lartë. Shpesh, më e rrezikshme është heshtja e atyre që dinë më mirë, por zgjedhin të mos reagojnë. Madje më keq: zgjedhin të bëjnë kompromis.

Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, ndalemi me Ardian Vehbiun pikërisht tek fakti se si shumë figura publike dhe intelektualë të respektuar, jo vetëm nuk e kundërshtojnë antidijen, por e tolerojnë atë, me pyetjen e zakonshme “Çfarë të keqe ka? Le të flasë, është mendim ndryshe.” 

“Këta intelektualë, të cilët kërkojnë tolerancë ndaj këtyre dhe bëjnë atë pyetjen çarmatosëse, ‘çfarë të keqe ka’, këta janë më të dëmshëm – sepse e normalizojnë fenomenin dhe e bëjnë pjesë të kulturës mainstream. Dhe kjo ka pasoja jo të pafajshme.”

Në një kohë kur shpërndarja e një videoje është më e lehtë se ndërtimi i dijes, kur ligjërimi publik e mat vlerën me pëlqime dhe vëmendje, shumë figura me status publik mendojnë se mund të luajnë rolin e neutralëve, duke e toleruar përhapjen e pseudoshkencës, teorive konspirative apo mitologjisë nacionaliste, në emër të pluralizmit, debatit të hapur, ose thjesht për të mos “humbur” audiencën.

Por, siç shprehet Vehbiu, ky nuk është neutralitet, por normalizim. Dhe kur një ide bëhet pjesë e kulturës kryesore, nuk trajtohet më si devijim, por si alternativë legjitime.

“Këta e bëjnë sepse u duket interesante, sepse kështu tërheqin vëmendje, fitojnë pikë në opinion. Bëjnë disa kompromise që një intelektual nuk duhet t’i bëjë – sepse kanë gjithmonë pasoja.”

Në kohëra të turbullta, nuk është e mjaftueshme të mos jesh i rremë, por është e nevojshme edhe të mos heshtësh kur të tjerët gënjejnë me vetëdije.

Për të ndjekur episodin e plotë të Apostrof Podcast, kliko linkun: https://youtu.be/re8I-FjTGzc

4 Komente

  1. A
    Aron

    Akoma me gabel Vehbiun?

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kritika po – Përçmimi JO!

      Ky opinion i Ardian Vehbiut, ndonëse i artikuluar në mënyrë filozofike dhe me pretendimin për një qasje kritike ndaj pseudoshkencës, bie në vetë kurthin e elitizmit mendjemadh dhe përçmues ndaj mendimit alternativ—sidomos kur ky mendim vjen nga figura shqiptare që guxojnë të sfidojnë narrativat e imponuara nga jashtë. Po ta analizojmë më qartë: 1. Kush janë pseudoshkencëtarët? A është pseudoshkencë të thuash se kultura pellazge është një rrënjë e lashtë e shqiptarëve? A është pseudoshkencë të kërkosh lidhjet midis shqipes dhe gjuhëve të lashta ballkanike? Apo është pseudoshkencë të ngresh pyetje legjitime mbi narrativat e ndërtuara nga akademitë greke dhe sllave pas krijimit të shteteve të tyre kombëtare, që në mënyrë sistematike kanë përjashtuar dhe shtypur kontributin shqiptar në historinë e rajonit? 2. Kujt i shërben kjo gjuhë? Kur Ardian Vehbiu përdor terma si "normalizim i pseudoshkencës", ai në fakt nxit një lloj linçimi akademik ndaj studiuesve shqiptarë që nuk ndjekin narrativën e aprovuar nga qendrat e fuqishme të dijes (shpesh të huaja), dhe e shndërron këtë në një stigmatizim publik. Kjo është pikërisht ajo që kanë dashur gjithmonë qarqet greke dhe serbe: që vetë shqiptarët të baltosin njëri-tjetrin dhe të de-legjitimojnë përpjekjet për një histori alternative, por të bazuar në kërkime dhe analiza të reja. 3. Fobia ndaj “mitologjisë nacionaliste” Ka një ndryshim të madh midis mitologjisë nacionaliste dhe kërkimit historik alternativ. Po të ndiqnim këtë logjikë të Vehbiut, çdo studiues që ngre zërin kundër narrativës së instaluar nga fqinjët, do duhej të heshtte “për të mos u bërë qesharak”. Kjo është një formë e rafinuar e vetëcensurës kulturore, që i imponohet shqiptarëve në emër të "neutralitetit akademik", por në të vërtetë është një përulje para narrativave të huaja. 4. Kompromisi i vërtetë Kompromisin e bën ai që hesht para deformimit të historisë shqiptare. Kompromisin e bën ai që i quan “pseudoshkencëtarë” ata që kërkojnë të zbulojnë të vërteta të shtypura. Kompromisin e bën ai që u jep zë akademikëve të huaj, por hesht përballë përpjekjeve të shqiptarëve për të ngritur identitetin e tyre mbi baza më të thella dhe të dokumentuara. Përfundim: Z. Vehbiu, nëse ka ndonjë “normalizim të rrezikshëm”, ai është përhapja e inferioritetit të brendshëm intelektual shqiptar, që ushqehet nga sulmet tuaja ndaj kolegëve që mendojnë ndryshe. Në vend që t’i quani “pseudoshkencëtarë” ata që flasin me pasion për rrënjët tona, më mirë angazhohuni me ta në debat të ndershëm, me referenca, dhe me respekt, sepse ndryshe ju jeni duke kontribuar jo në ndërtimin e dijes, por në çmontimin e identitetit shqiptar. Në emër të së vërtetës shkencore, kritika po – përçmimi jo.

      Përgjigjjuni
      1. N
        Niku

        po te anashkalosh dhe te mos i kundervihesh gomereve neper studio te rendesishme televizive qe prallisin lloj lloj mufkash e budallalleqe, si ai gomari qe ja harova emrin, por qe argumentonte seriozisht se anglishtja e ka prejardhjen nga gjuha dibrane hahahahahahaha, apo ai tjetri, qe prape ja harova emrin por jo pamjen, qe ka qene edhe keshilltar prane presidences ne kohen e Bamir Topit, etj., etj., eshte te besh kompromis me budallajin. Vehbiu ben shume mire qe i demaskon keta njerez dhe mbi te gjitha kete fryme primitive dhe shume negative per kulturen e nje kombi.

        Përgjigjjuni
        1. #
          #@#

          Problemi eshte se Vehbiu e synon me qdo kusht titullin kampion i budallenjeve. Shtiret sikur mbrone Çabejn, e nuk len gure pa hedhur kunder "ekstremizmit", "miteve", dhe qdo gjeje te vlefshme te mjeshterve te medhenje te gjuhes shqipe. Pikerisht llomotitje te nje nihilisti qe gjoja eshte ne pronesi te se vertetes dhe ne harmoni me propaganden qe vie nga disa vende fqinje e me gjere. Nuk eshte ky i pari qe e ka zgjedhur ket rruge, qe te behet me te "fortin" dhe gjoja ti sfidoj te gjith shqiptart. Nje mjeran qe deshperimisht mundohet te jet "pese minuta mbret".

          Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje