Skënderbeu në esetë e Montaigne - it

27 Maj 2025, 15:45Kulturë Ardian Vehbiu

Me bujë është thënë e përsëritur se eseisti frëng Michel de Montaigne e ka përmendur me të madhe Skënderbeun në esetë e veta – në fakt, prijësi arbër del në ato ese vetëm dy herë: në kapitullin 1 të Librit 1, dhe në kapitullin 34 të Librit 2. Herën e parë, i rrëfehet lexuesit si “Princi i Epirit” iu vërsul njërit prej ushtarëve të vet për ta vrarë, por ushtari, që në fillim i ishte përgjëruar që t’ia falte jetën, vendosi në fund që ta sfidojë me shpatën zhveshur. Këtu Skënderbeu u prek nga guximi i ushtarit dhe, përballë virtytit të tjetrit, vendosi që t’ia falë jetën; një gjest që vetëm te një hero si ai nuk ka shans të interpretohet si shenjë dobësie. Herën e dytë, Skënderbeu del në një paragraf të cilin Montaigne e nis me një thënie të Kirit, të sjellë nga Ksenofoni: “Nuk është numri i burrave, por numri i burrave trima që siguron avantazhin”, përndryshe ata që mbeten më shumë hapin punë, se ndihmojnë. Skënderbeu, vazhdon ai autor, gjykatës shumë i mirë dhe ekspert i çështjeve të tilla, e kish zakon të thoshte se dhjetë a dymbëdhjetë mijë luftëtarë të besës i mjaftonin një prijësi të mirë që të ruante reputacionin e vet në çdo lloj rrethane ushtarake.

Sipas Benjamin Bowles Ashcom (“Notes on the Development of the Scanderbeg Theme”, Comparative Literature, Vol. 5, No. 1 (Winter, 1953), pp. 16-29) burimi për incidentin me ushtarin te Montaigne është Paulus Jovius (Paolo Giovio), ndërsa për vëzhgimin e dytë Jacques de Lavardin-i (ky i fundit botoi një përkthim të Barletit, por duke e zgjeruar me materiale të reja, cit. Ashcom). Të dy shembujt dëshmojnë se Skënderbeu kish hyrë tashmë në “enciklopedinë kulturore” të Europës së ditur, duke u kthyer në një përemër emblemë të virtytit ushtarak dhe njerëzor, personazh gati abstrakt a të shifruar, të një narrative pothuajse pedagogjike, për të mos thënë një hagjiografie laike (kujtoj këtu edhe një citat të njohur të Volterit, “Sikur perandorët e Bizantit të kishin qenë Skënderbej...”). Por jo më shumë se kaq.

Aq më tepër që, në episodin e parë, zelli i Skënderbeut për të vrarë ushtarin e vet mbetet disi i pashpjeguar (dhe kjo e dëmton efektin moral të rrëfimit). Ky episod – cilido qoftë burimi i tij – më duket i sajuar, si ilustrim i virtytit të rrallë të treguar nga një prijës, që admiron trimërinë e tjetrit, edhe kur ky është antagonist. Them i sajuar, siç do të quaja “të sajuar” një personazh letrar; në atë kohë historiografia i ruante ende të forta lidhjet me letërsinë, siç dëshmohet gjerësisht edhe nga vetë Historia e Skënderbeut, e Barletit, ku shumë anekdota dhe ndodhi ilustruese të jetës së heroit duket se janë marrë nga literatura klasike. Formula narrative e përplasjes mes autoritetit dhe virtytit personal, ku një monark a princ a gjeneral vihet të ndëshkojë dikë për rebelim a mosbindje, por pastaj ndërron mendje përballë trimërisë që tregon tjetri, mund të shihet gati si një klishe tek autorët antikë, nga Putarku te Tit Livi dhe Valerius Maximus-i.

Plutarku, sa për të sjellë një shembull, rrëfen për Timoklean, një grua në Tebë, të cilën e përdhunoi një kapiten trak i ushtrisë së Aleksandrit të Madh, kur qyteti ra në duart e këtij të fundit. Timoklea arriti ta hedhë përdhunuesin e saj në pus dhe ta vrasë duke e goditur me gurë. E arrestuar nga ushtarët trakë, ajo u soll para Aleksandrit, ku u soll me dinjitet të madh, aq sa Aleksandri u prek nga gjesti i saj dhe urdhëroi ajo dhe fëmijët e saj të liheshin të lirë. Ka edhe histori të tjera, te Plutarku, që përshkruajnë këtë konflikt të pushtetit dhe kurajës, sfidën e mëshirës dhe rrënjët e mbretit te njeriu; të gjitha shtjellohen sipas një skeme, e cila nis me një mosbindje a shkelje tjetër nga një ushtar a nënshtetas, që duket sikur e sfidon prijësin; ky i fundit vendos të ndëshkojë; shkelësi tregon guxim të pashembullt dhe fisnikëri dhe, më në fund, prijësi tregon mëshirë dhe ia fal jetën.

Kujtoj këtu edhe një traktat të filozofisë politike të shkruar nga Seneca, De clementia (“Rreth klemencës”), i vetmi shembull në letërsinë latine i speculum principis (“pasqyra e princit”), ku një autor funksionon si pasqyrë për princin, dhe ky i fundit mund të shohë, nëpërmjet penës së tjetrit, virtytet që e karakterizojnë. Në librin e parë të traktatit, klemenca përkufizohet si virtyti më njerëzor që mund të ekzistojë, edhe pse u përshtatet më mirë mbretërve dhe princave. Si kufizim i vullnetshëm i pushtetit, në dhënien e ndëshkimeve, klemenca dallon nga misericordia (angl. Pity), sepse kjo e fundit, për Seneca-n, i detyrohet një reagimi emocional irracional. Në çdo rast, klemenca nuk është dobësi, por shprehja më fisnike e drejtësisë, arsyes dhe njerëzillëkut. Këto dhe shembuj të tjerë më tregojnë se dëshmia e klemencës, në letërsinë klasike, është provë e një lideri të mirëfilltë, burri shteti a komandanti ushtarak; dhe si e tillë duhet marrë edhe në letërsinë e Rilindjes, së cilës i përket anekdota me Skënderbeun më lart, ku prijësi arbëror tregon klemencë me ushtarin rebel sepse nuk mund të sillet ndryshe – është skriptimi i tij, historiografik dhe letrar, që ia imponon si të sillet.

Forca e këtij shembulli nuk vjen, pra, nga kapaciteti moral i kujt arrin të falë, por te kontrasti mes pushtetit të prijësit dhe aftësisë së këtij për ta kontrolluar veten. Tek e fundit, qëllimi i atyre autorëve që i rrëfenin këto gjëra nuk ishte të regjistronin “të vërtetën” historike, por t’i përdornin në mësimet e tyre morale.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimi është përfytyruar me Adobe Firefly. Botohet me leje te TemA.

2 Komente

  1. G
    Gjergj Fishta I riu

    Nje Ese per Enver Hoxhen///// Thone qe Enveri po kalonte buze lumit(!). Nje djale nga lagjja fqinje, i vetmuar po lahej ne nje pozicion te qete te lumit. Enveri papritur hidhet me gjithe rroba te shpetoi femijen.Hute e dile neper pellgun e ujit e nxori te alivanosur ne breg. E vuri ne krahe dhe e dergoi ne porten e shtepise ku banonte femija. I tha kujdes femijen, me zor e shpetova se per pake do te ishte mbytur. Prinderit e falenderuan dhe Enveri u largua plote modesti. Enveri u largua, djali i thote pse e falenderove baba, ai desh me mbyti. ç'ishte ai tip kriminel qe u hodhe per asgje (une po notoja mire) pastaj ai me kapi, zhyt ne uje e nxirre deri kur u alivanosa se si jame gjalle nuk e di! femija qante dhe e kishte lekuren ende me njolla te errta qe tregonte se ka kaluar gati ne vdekje nga mbytja. Babai i femijes shkone tek nje Plak i Urte ne lagje dhe i tregon ankimin e femijes. Plaku per te gjetur te verteten i thote: bej nje darke ne sheshin afer shtepise se tij, thirre shume njerez po kete birin e hoxhate mos e thirre. Te shohim si do veproi ky i dituri i hoxhateve sepse thone po organizon partizane per komunizem. Ahengu nisi nje pasdite te bukur vere, te ftuarit kendo e kerce. Pas nje ore Enveri zbriti nga Sokaku i te Marreve shoqeruar me dy partizane. -E more kelysh beu -ju drejtua babait te femijes, -te shpetova djalin dhe mua nuk me thirre. Babai i femijes uli koken dhe heshti siç e kish mesuar Plaku i Urte. Enveri kerkoi qe tere femijet e bashkefshatarit te rreshtohen prane te jatit. Pastaj dy partizanet ju drejtuan armet. Babi i femijve i tha me fale nuk e dija se kush ishit me emer megjithse ju paskam gjitone. Enveri urdheroi zjarre dhe femijet u rrezuan para syve te prinderve. Ne nje pamje stoike Enveri dhe dy partizanet u larguan. Nder shekuj perseritet se ky biri i hoxhate ka nje Piramide Muze per kujtimin e tij dhe ''njerzit'' qe trazhguan pushtetin ne nisjen e epokes ''pluraliste'' nuk e prishen se gjoja i sherbene popullit, te diskutojne per demokracine ne simbolin e perkujtimit te te pashpirtit.

    Përgjigjjuni
    1. G
      Gjergj Fishta I riu

      Nje polemike me zotin Ardian Vehbiu ne titullin// Gjeografia e leksikut shqip (II) ///// Hapja qe ka marre Shqiperia dhe e drejta e fjales se lire dergone drejt ZEROS limitin e gjetjeve te Cabejt. kemi tre fjale qe e rrotullojne ne kete nisje. Trung, Cung (kercu) dhe Rrung(rrungaj). E para duket sikur vjene nga latinishtja por kur i ngjite dy te tjerat ato vijne baze e ilirishtes. Dhe per kete shkrimin ketu me siper i lutem ta shkruaj ISCANDERBEG dhe jo Skënderbeu. pasi nje gjuhëtar duhet ta dijë çështë logoja dhe e ndaluar kategorikisht ta deformosh atë. Ndryshe humbe Titullin gjuhetar, gazetar, historiane dhe te drejten te jesh kryetar i akademise se shkencave ne rast se e perdore Logon e lene nga Kryeheroi te deformuar.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje