“Zjerm fitoi zemrat e publikut”, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca flasin pas performancës së shkëlqyer në Eurovision

27 Maj 2025, 13:19Kulturë TEMA
“Zjerm fitoi zemrat e publikut”, Beatriçe Gjergji dhe

Dashuria për këngët e vjetra shkodrane bëri bashkë gjashtë vite më parë artistët Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, që u takuan në rrugët e Italisë për t’u rikthyer në qytetin e vendlindjes, ku përzgjodhën këngët e preferuara dhe duke ruajtur elementët autentikë, i risollën në një stil elektronik bashkëkohor, ashtu sikurse Zjerm, që i ngjiti në skenën e Festivalit Europian të Këngës!

Kolë Laca, producent – Kur rritesh e kupton që janë moderne këto këngë, kanë 100 vite por janë shumë të freskëta. Mjafton të ndërrosh pak tingujt dhe kënga duket si e kompozuar dje.

Beatriçe Gjergji, këngëtare – Këngët shkodrane më kanë dhënë shumë frymëzim dhe më dukeshin në të njëjtin nivel me këngëtarë të mëdhenj RnB, janë gjëra të vështira por të bukura.

Artistët e Shkodra Elektronika rrëfejnë se pas këngës që na bëri krenarë në Eurovision, qëndronte dëshira për t’i kënduar njerëzve të thjeshtë dhe kjo sipas tyre ishte arsyeja e mbështetjes së madhe që morën nga shqiptarët gjatë gjithë këtij rrugëtimi unik.

Beatriçe Gjergji – Mendova të shkruaj një këngë për festival që fliste për gjëra të thjeshta… imagjino një minutë ku të gjithë gjërat shkojnë mirë, një ëndërr me sy hapur.

Kolë Laca – Njerëzit e kanë ndjerë këtë këngë, ndjenim se po shkonim të tërë bashkë në Eurosong. As ne nuk jemi ndjerë vetëm, ishim të tërë bashkë.

Performaca e Shkodrës Elektronike bëri që Eurosong të flasë shqip në çdo detaj, përfshirë fustanin e zjarrtë që simbolizoi trupin e Rozafës dhe qilimin që u shtrua në skenë.

Beatriçe Gjergji – Në janar mami nisi të qendisë tutën, e qëndisi krejt me dorë, më pas nisi pjesën tjetër. Fustani që i ka marrë më shumë kohë se çdo tjetër. Më pas stiloi kostumin e Kolës. Iu deshën gjashtë muaj. Edhe fustani me qilim lidhet me narrativën që donim të kishim, mami gjeti një qilim te shtëpia e gjyshes, i gjithë fustani imitonte shtëpinë e gjyshes. Ky ishte koncepti: Shqipëria është me ne.

Pa hatërmbetje për votat e jurisë, Beatriçe dhe Kola janë të mbushur me dashurinë e publikut, për të cilin kanë vetëm mirënjohje.

Kolë Laca – Njerëzit na interesojnë, çdo gjë që ka të bëjë me jurinë s’na intereson shumë.

Zjermin, që ngrohu zemrat e ndjekësve, nuk kanë ndërmend të shuajnë… artistët që ripunimin e këngëve të vjetra e cilësojnë një argëtim, zbulojnë për Top Channel projektet e reja e ndajnë momentet nga bashkëpunimi i veçantë me një grup isopolifonik nga Çorovoda.

Beatriçe Gjergji – Te ky disk kemi eksperimentuar nga këngë nga pjesë të tjera të Shqipërisë.

Kole Laca – Kemi xhiruar me një grup isopolifonik në Çorovodë…

Për Beatriçe Gjergjin dhe Kolë Lacën, ëndrrat po bëhen realitet dhe ky pasion duket se do i mbajë më shumë në atdhe, ku duan të vazhdojnë të krijojnë dhe dhurojnë emocione për publikun.

Top Channel

3 Komente

  1. A
    Arta

    Artistët Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, me këngën “Zjerm” kanë sjellë një ndërthurje të guximshme mes traditës dhe modernitetit. Ajo që bie menjëherë në sy është dashuria dhe respekti i tyre për këngën e vjetër shkodrane, të cilën e kanë rizbuluar dhe ripunuar me një qasje bashkëkohore, duke ruajtur thelbin dhe shpirtin e saj. Përmes këtij rrëfimi zbulojmë jo vetëm pasionin e sinqertë të artistëve për muzikën shqiptare, por edhe përkushtimin ndaj detajeve simbolike që pasqyrojnë identitetin kombëtar – si fustani i qëndisur me dorë nga nëna e Beatriçes apo qilimi i gjyshes që solli në skenë ndjesinë e shtëpisë. Kjo e bën performancën e tyre jo vetëm artistike, por edhe thellësisht personale dhe përfaqësuese. Fakti që publiku rezonoi me këngën më shumë se juria tregon se autenticiteti dhe emocionet e vërteta nuk kanë nevojë për vlerësime formale për të fituar zemrat. “Zjerm” u bë më shumë se një këngë — u bë një moment bashkimi kulturor dhe një dëshmi se muzika tradicionale shqiptare mund të jetojë bukur në çdo kohë, në çdo skenë. Kënga juaj na keni sjell emocion, krenari dhe një ndjesi të fortë identiteti. Ajo na kujton se kur arti lind nga rrënjët dhe dashuria për kulturën, ajo bëhet universalisht e ndjeshme.

    Përgjigjjuni
    1. C
      Cimi

      Shyqyr qe a fituan se kush duronte pordhet e Shkodraneve pastaj.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Moni

        Kenga eshte e bukur, por shume e ngarkuar. Vjen nje moment dhe te lodh. Sado kenge te kuruara te coj Shqiperia, mos prisni kot fitore pa pasur mundesi per ta menaxhuar ate event. Ne cilat instalacione? Edhe kengetaret shqiptare bejne mire te jene me kembe ne toke. Votimi gjeopolitik ka rrenje te forta ne kete festival. Brenda 10shes shume mire jemi. Keshtu qe me sportivitet, no need to feel depresso ;)

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje