nga Liliana Cuka
Tashmë jetoj prej shumë vitesh në Rome dhe jam përshtatur si duhet me jetën dhe punën në një tjetër vend, me një kulturë humane që do ta dëshironin të gjithë Një ditë të bukur me diell kur më telefonuan dhe më propozuan të përktheja veprat e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare unë nuk u mendova gjatë, pranova menjëherë dhe nisa punën me dëshirë dhe pasion. Po shkruaj këto radhë sepse dëshiroj te shpreh disa mendime për të pasqyruar punën që kam bërë edhe disa reflektime për të bërë të njohur publikut dhe miqve mbi me situatën që është krijuar për punën që kam bërë. Po dal hapur publikisht pikërisht tani mbasi më në fund arrita të lexoj një artikull ku analizohej objekti letrar dhe përkthyeshmëria e veprës “Kukulla” të Ismail Kadaresë në një revistë letrare.
“Kukulla” është vepra e parë që u botua e përkthyer nga e nënshkruara, para saj kam përkthyer tre sprova letrare të autorit tim të dashur, sigurisht me lejen e autorit, 1) Çlirimi i Serbisë prej Kosovës; 2) Mbi krimin në Ballkan 3) Shqiptarët në kërkim të një fati të ri. Sprova letrare që akoma edhe sot nuk kanë parë dritën e botimit dhe që nuk njihen akoma arësyet pse nuk janë botuar. Në fund të artikullit të lartpërmendur autorja bënte thirrje që përkthyesja e romanit ‘Kukulla’ nuk duhet të vazhdonte të përkthyente më vepra të Kadaresë, nuk di si ta shpjegoj se si thirrja e kësaj profesore ‘soprapartis’ ka rënë në vesh të shurdhët, sepse përkthimet vazhduan me sukses me vepra të tjera shumë të rendësishme, dhe gjenden në tregun e editorisë italiane edhe sot e kësaj dite.
Puna që kam bërë u pasqyrua më së mirë në sallonin e librit të Torinës të vitit 2024. Nuk dua të hyjë në hollesite e komenteve të artikullit të lartpërmendura, kush ka kuriozitet mund ta kërkojë dhe ta lexojë, por do të doja të sqaroja disa çështje që ndoshta publiku i gjerë nuk i njeh dhe mendoj meritojnë të bëhen të njohura... Gjithë jeta ime profesionale është zhvilluar në fushën e gjuhësisë dhe të përkthimeve. Kam punuar si përkthyese në Atdhe menjëherë mbas studimeve universitare dhe vazhdova të punoj si përkthyese edhe në Itali kur u transferova më shumë se 30 vjet më parë. Gjithmonë kam besuar se gjuha jonë shqipe është elementi kryesor që na bashkon si popull pikerisht për këtë duhet ta mbrojmë, ta respektojmë dhe ta përdorim në mënyrën më të mirë të mundshme.
Kur më propozuan të përktheja veprat e Kadaresë, e konsiderova një nder të madh, gjithashtu isha plotësisht e ndërgjegjshme për përgjegjësinë e madhe që po më priste. Ky propozim para meje u ishte bërë shumë bashkatdhetarëve të tjerë me banim në Itali dhe si më informuan te gjithë kishin refuzuar, ndërsa unë e pranova me entuziazëm për shumë arësye, për herë të parë u paraqit mundësia që vepra e Kadaresë të përkthehej në italisht jo e ndërmjetësuar nga frëngjishtja, por drejtpërdrejt nga shqipja, duke lejuar që vepra të mbetej sa më besnike me origjinalin. E pranova këtë detyrë kaq të vështirë dhe fisnike, gjithashtu dhe mbi të gjitha për dashurinë ndaj gjuhës amtare dhe për admirimin që kam ushqyer gjithmonë për veprën e Kadaresë.
Admirimi im për veprat letrare të Ismail Kadarenë i ka rrënjët shumë larg në kohë dhe buron pikërisht nga madhështia e këtij autori, i cili e çoi shprehjen tonë gjuhësore në lartësitë ndoshta të pa arritura më parë, duke pushtuar audiencën botërore. Më kanë indinjuar kritikat për punën e përkthimit, edhe sepse nuk përkojnë me komentet e bëra nga vetë botuesja italiane Dr. Elisabetta Sgarbi, e cila vlerësoi publikisht punën time në një aktivitet publik në vitin 2018 me rastin e prezantimit të romanit të fundit të autorit francez Jean-Marie Gustave Le Clezio, fitues i çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2008, me titull “Bitna, nën qiellin e Seulit”. Kritikat që më drejtohen në mënyrë shumë arbitrare, priren të hedhin baltë një një punë profesionale që është vlerësuar gjithandej, prandaj duhet të pyesim veten se kush përfiton nga kjo situatë. Ismail Kadare mund të përkthehet vetëm nëse përkthyesi është profesionist dhe njohës i thellë i të dy gjuhëve dhe kulturave, në se hyn plotësisht në mendimin dhe botën e shkrimtarit, njeh dhe do artin e tij.
Kam pasur rastin ta kuptoj më mirë në katër takimet që kam pasur me të Jo vetëm studimet gjuhësore dhe filologjike, por edhe pasioni im për gjuhën dhe letërsinë më çuan të arrijë të përkthej këto kryevepra të letërsiës shqipe.
Hera e parë që e takova shkrimtarin e madh ishte në Tiranë, në klubin Juvenilia, kisha dëgjuar se shkonte çdo mëngjes për të pirë kafe. Takimin e organizoi botuesi i veprës së Kadaresë. Unë që mezi prisja të orën e takimit arrita dhjetë minuta më herët dhe u përpoqa t'i afrohesha me shumë kujdes dhe respekt... Kur u afrova ai më tha: “Takimi ishte caktuar për 10”. Botuesi i tij më bëri një shenjë ku më la të kuptoja " të mos u shqetësohesha për ato fjalë" dhe bëri prezantimin. U ula përballë dhe isha shumë e emocionuar, më dukej e pabesueshme. Kadare kishte përpara gazetat dhe mbas përshendetjes së rastit e filloi bisedën i zhytur në kujtimet e veta duke folur për peridhën e luftës , unë i thashë se i përkasja një epoke tjetër, që kisha studiuar në vitet e komunizmit dhe vepra e tij letrare i lexoja me një frymë sapo dilnin në treg dhe pikërisht leximi i tyre kishte pasur një rol shumë të rendësishm në formimin tim, se e kisha parë për herë të parë në qytetin tim në moshën 15-vjeçare, ku kishte ardhur të takonte lexuesit e tij me rastin e botimit të librit “Dimri i vetmisë së madhe”.
I thashë se tani pasi kam përkthyer disa nga veprat tuaja a do më jepni leje të përkthej “Mjegullat e Tiranës”, një roman që sapo kisha mbaruar së lexuari ato ditë qendrimi ne Atdhe, por Kadare u përgjigj se ishte më mirë të përktheja ndonjë vepër tjetër, se ekzistojnë vepra edhe më të mira se ajo. Në fund të bisedës kur u përshendetëm e pyeta nëse mund ta përqafoja. Ai qeshi dhe më përqafoi. Herën e dytë e takova me tre studiues italianë. Rezultati ishte një intervistë e publikuar në faqen e internetit Repubblica.it e cila është ende e aksesueshme për shumë lexues sot. Herën e tretë që e takova bashkë me bashkëshortin tim në Durrës dhe ai një rezultoi një takim shumë shumë i ngrohtë sikur të ishim njohur prej vitesh.
Herën e katërt, më në fund, lindi një intervistë e re, këtë herë në formë bisede, në të cilën foli lirshëm për disa episode që kishin shënuar veprimtarinë e tij letrare, intevista u botua në shtypin italian. E them këtë për të shpjeguar se sa e privilegjuar jam ndjerë që kam pasur fatin ta takojë dhe të bisedoj gjatë me shkrimtarin më të madh te letrave shqipe, dhe qe fati e solli të perktheja vepra të tij në gjuhen italiane. Gjithmonë jam përpjekuar që në punën time si përkthyese të respektoj me fanatizëm përmbajtjen, idetë dhe stilin e veprës së autorit.
Unë besoj fort se shqiptarët duhet të jenë krenarë për bashkatdhetarët e tyre që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që ruajnë dhe promovojnë letërsinë e shkruar në gjuhën e tyre amtare. Gjuha nuk është thjesht një model numrash, siç ndodh sot me teknologjitë e reja. Për të qenë në gjendje për të përkthyer, duhen njohuri të thella jo vetëm gjuhësore për edhe të kulturës, letërsisë amtare dhe të kulturës së gjuhës në të cilën po përkthen. Është një kombinim faktorësh që e bëjnë punën e përkthyesit shumë të ndërlikuar por edhe shumë stimuluese. Mendoj se të gjithë duhet të krenohemi për faktin se një nga autorët më të mëdhenj shqiptarë, Ismail Kadare, më në fund është përkthyer drejtpërdrejt nga gjuha amtare.