Intervistë për emisionin “Ekspres” me Dr. Gabriela Ramos, kandidate e Meksikës për drejtore e përgjithshme e UNESCO-s (Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara).
Intervista e plotë me gazetarin Nolian Lole
Nolian Lole: Dr. Ramos, çfarë ju frymëzoi të paraqisni kandidaturën tuaj për postin në UNESCO?
Ramos: Vendi im e paraqiti kandidaturën time, Meksika është vendi që e propozoi. Por interesi im për të drejtuar UNESCO-n vjen ngaqë kam punuar atje për pesë vjet si Zëvendësdrejtore e Përgjithshme për Shkencat Sociale dhe Humane. Dhe kam parë fuqinë që ka UNESCO për të bashkuar vendet përmes shkencës, kulturës dhe arsimit. Do të ishte nder për mua të përdor potencialin e kësaj organizate për të ndërtuar ura që na nevojiten në këtë botë shumë komplekse ku ndodhemi sot — ky është qëllimi im kryesor.
Cilat do të ishin përparësitë tuaja kryesore nëse zgjidheni?
Kam ndërtuar fushatën time mbi tre “I”-të: përfshirje (inclusion), inovacion dhe ndikim (impact) — shumë të lehta për t’u mbajtur mend.
Përfshirje, sepse jetojmë në një botë tepër të pabarabartë dhe duhet të sigurohemi që mandati ynë në arsim, kulturë dhe shkencë të shpërndahet në mënyrë të barabartë në mbarë botën, që të gjithë fëmijët të kenë akses në arsim cilësor, që vajzat të shkojnë në shkollë. Nuk mund të kemi vende si Afganistani ku vajzave u mohohet e drejta për të ndjekur arsimin,ku kultura si në Shqipëri, përdoret në jetën e përditshme, jo vetëm për vlerat e saj historike dhe të trashëgimisë kulturore, por edhe në vallëzime, në çdo aspekt, por ta përdorim edhe për qëllime ekonomike dhe ju keni një Ministri të Kulturës dhe Ekonomisë, një risi shkencore e jashtëzakonshme që ia vlen me të vërtetë të ndiqet.
Udhëheqja në fushën e shkencës, përdorimi i saj në formësimin e politikave publike dhe sfidat etike të lidhura me inteligjencën artificiale.Kjo është thelbi i propozimit tim.Unë kam qenë në krye të nismave ndërkombëtare për të vendosur korniza etike për inteligjencën artificiale, duke mbrojtur lirinë e shprehjes dhe gazetarët dhe më pas çështja e ndikimit, sepse të gjitha ato që bëjmë ne si institucione ndërkombëtare dhe kjo tani po vihet në pikëpyetje për shkak të sfidave ndaj multilateralizmit, duhet të tregojmë që po përmirësojmë cilësinë e jetës së njerëzve. Dhe ky është me të vërtetë thelbi i propozimit tim.
Si ka ndikuar eksperienca juaj në ekonomi, diplomaci dhe institucione multilaterale për këtë rol?
Kam jetuar, kam marrë frymë dhe jam rritur në mjedise multilaterale. Kam filluar karrierën time në Ministrinë e Punëve të Jashtme, më pas kam punuar për 20 vjet në OECD, dhe në pesë vitet e fundit në UNESCO. Kam parë jo vetëm fuqinë që kanë vendet kur bashkëpunojnë për shembull, kur punuam në vitin 2015 për marrëveshjen për ndryshimet klimatike, institucione si OECD apo UNESCO sollën prova për të bindur vendet që të ndërmarrin veprime të caktuara.
Në UNESCO, kam parë fuqinë e inteligjencës artificiale, se si këto kapacitete të kompjuterëve që pasqyrojnë kapacitetet njerëzore mund të na ndihmojnë të ndërtojmë ura dhe të jemi më përfshirës, duke parë njëkohësisht se si po vazhdojnë të riprodhojnë modelet diskriminuese dhe konfliktet shoqërore që rrjedhin prej tyre.
Ndaj ndiej që përvoja ime në mbështetje të shteteve anëtare, jo vetëm për të arritur marrëveshje, por edhe për t’i zbatuar ato, është e rëndësishme. Kam punuar me agjendën për barazi gjinore, fuqizimin e grave, politikbërjen, dhe përmirësimin e arsimit. Kam punuar me PISA-n, sepse isha përgjegjëse për të në OECD, dhe më pas viziton vende të ndryshme dhe u thua: Fëmijët tuaj nuk po performojnë mirë në matematikë,si mund ta përmirësojmë këtë situatë? Ky është bashkëpunimi që dua të promovoj, dhe e kam bërë këtë për shumë vite me radhë.
Si e parashikoni rolin e UNESCO-s në përballjen me sfidat globale si ndryshimet klimatike, pabarazia apo konfliktet?
Ju e dini, dhe ndoshta edhe dëgjuesit dhe shikuesit tuaj e njohin UNESCO-n për vendet e trashëgimisë botërore, por misioni i UNESCO-s është të promovojë paqen. Dhe për ta bërë këtë, duhet të përdorim shkencën, arsimin dhe kulturën.
Nëse duam të përballemi seriozisht me ndryshimet klimatike apo pabarazitë, duhet fillimisht të bëjmë diagnozën e duhur. Duhet të përdorim shkronjën ‘S’ në emrin e UNESCO-s për të vënë në përdorim shkencën dhe të pyesim: A biem të gjithë dakord që kjo është pamja reale? Nëse po, atëherë të veprojmë, sepse vullneti politik është, natyrisht, në dorë të Drejtorit të Përgjithshëm dhe shpresoj të jem unë në këtë post, por vullneti real politik është tek liderët. Ndërkohë, institucioni duhet të sjellë provat dhe të thotë: nuk kemi shumë kohë për klimën, nuk kemi edhe aq kohë për të mos mbështetur ata që janë në fund të shpërndarjes së të ardhurave. Nuk kemi shumë kohë për të siguruar që përparimi teknologjik të ketë me të vërtetë një ndikim pozitiv. Ndaj, unë mendoj se kemi këto elemente brenda UNESCO-s për ta çuar përpara këtë agjendë.
Çfarë lloj reformash apo nismash specifike dëshironi të sillni në UNESCO?
Imagjinoni sikur jemi një shtëpi që ka të gjitha rezervatet e biosferës, këto hapësira tokësore të mbrojtura, por që në një moment thjesht mbeten aty. Në vend që të mendojmë si t’i bashkojmë të gjitha rezervat e botës, duhet të mendojmë si mund të kontribuojnë duke pasur objektiv tranzicionin klimatik. Ky është mendimi strategjik që na duhet, sepse i kemi këto asete. Ky është pikërisht reflektimi që kemi edhe për vendet kulturore.Shqipëria është e mrekullueshme sepse ka qenë kryqëzim kulturash dhe epokash të ndryshme të zhvillimit njerëzor. Por në fund, si mund t’i sjellim këto site kulturore për të na bashkuar, për t’i promovuar? Nuk është vetëm çështje e dhënies së një certifikate për të thënë “kjo është e mrekullueshme”, por si të lidhemi me vende të tjera, me kultura të tjera përmes syve të artit, kulturës, shprehjes njerëzore, është diçka shumë e fuqishme. Dhe unë besoj se duhet ta ndjekim këtë qasje.
Çfarë roli shihni për vende të vogla si Shqipëria në UNESCO?
Siç e dini, në UNESCO bukuria qëndron në faktin që nuk ka vende të vogla apo të mëdha. Sigurisht, gjeopolitika ka gjithmonë rëndësi. Por në fund, me historinë e lashtë që ju keni dhe me mënyrën e bashkëjetesës, kjo është një nga gjërat më të rëndësishme që Shqipëria mund t’i tregojë botës: si të jetosh së bashku me shumë fe të ndryshme, kultura të ndryshme, histori të ndryshme dhe të jetosh në paqe. Kjo është diçka që mungon në shumë vende dhe UNESCO është gjithashtu një hapësirë për dialog ndërkulturor dhe kam mësuar se si mund të sjellim eksperiencat dhe praktikat më të mira nga të gjitha vendet. Shqipëria ka shumë për të mësuar, por edhe shumë për të dhënë.
Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi shumëpalësh për ruajtjen e trashëgimisë kulturore botërore?
Ky është në thelb edhe qëllimi i UNESCO-s. Ne e dimë që vendet kulturore po vuajnë për shkak të konflikteve. Po vuajnë për shkak të tërmeteve, dhe ju e përjetuat një të tillë të dhimbshëm në vitin 2019. Trashëgimia kulturore po dëmtohet, dhe nganjëherë duhet balancuar. Kjo është diçka që kam diskutuar edhe me autoritetet tuaja, balancimi mes mbrojtjes së siteve, qofshin natyrore apo kulturore, dhe nevojave të komuniteteve për zhvillim dhe për të pasur akses në burimet e tyre ekonomike. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme të bëjmë një pasqyrë të gjendjes së siteve dhe më pas të zhvillojmë plane strategjike për t’i mbështetur ato.Dhe mendoj se e kemi arritur, pasi kemi të dhëna të mrekullueshme nga imazhet satelitore, kështu që dimë saktësisht se cilat vendetë trashëgimisë kulturore kanë probleme dhe bashkëpunojmë me autoritetet për t’i ndihmuar, dhe bëjmë thirrje për donatorë dhe financues.Pse nuk krijojmë lidhje kulturore në mënyrë që tregjet financiare të mund të ofrojnë investime për të mbrojtur këto vende dhe gjithashtu për t’i bashkuar me komunitetet që jetojnë rreth tyre? Ka shumë gjëra që mund të bëjmë me ta.
Si mund të promovojë UNESCO diversitetin kulturor dhe përfshirjen në një botë të globalizuar?
Ne kemi një konventë për diversitetin kulturor, pra duhet ta bëjmë që të ketë vlerë reale. Një nga gjërat që po thoja më herët është se nuk mjafton vetëm të kemi marrëveshje të rëndësishme, por të sigurohemi që ato të zbatohen. Bota po shkon drejt homogjenizimit. 80% e zhvillimeve në inteligjencën artificiale po ndodhin në tre vende: SHBA, Kina dhe Britania e Madhe.E për rrjedhojë, mund të humbasin gjuhë të tëra, kultura të pasura, shprehje të rralla, ëndrra shekullore dhe vetë historia jonë. Një nga çështjet për të cilat kam punuar intensivisht, dhe do të vazhdoj, është zhvillimi i etikës për inteligjencën artificiale për të siguruar që të dhënat të përfaqësojnë më mirë të gjithë, që gjuhët tona të mos humbasin si rezultat i përparimeve teknologjike, sepse gjuha është kulturë, dhe mënyra se si mendojmë. Prandaj, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, dhe diversiteti nuk duhet të humbasë.
Cili është qasja juaj për të mbështetur shtetet anëtare në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale?
Së pari dhe më kryesorja, mendoj se është e mrekullueshme që mund t’i regjistrojmë ato njësoj siç bëjmë me vendet e trashëgimisë kulturore, sepse në fund, këto janë shprehje të mënyrës sonë të të qenit, muzika jonë, procesi ynë, si në Shqipëri, ushqimi ynë, letërsia jonë janë shprehje që duhet t’i dokumentojmë. Për shembull, kemi një program që quhet “Kujtesa e Botës” që regjistron gjithçka që është krijuar, por gjithashtu kemi edhe regjistrin e trashëgimisë jomateriale. Ajo që duhet të bëjmë është ta promovojmë më shumë, sepse ne i njohim ato, dhe më pas ia lëmë vendit të bëjë ç’të dëshirojë. Kur në fakt, duhet ta bëjmë bashkë,duhet të luajmë muzikën shqiptare, ti tregojmë në botë se ajo është po aq mbresëlënëse dhe e pasur sa shumë zhvillime të tjera muzikore. Kjo është një mënyrë për të vlerësuar këtë larmi dhe këto kontribute që vendet i kanë dhënë kulturës botërore, kontribute që duhet të promovohen në mënyrë më pozitive.
Si do ta forconit bashkëpunimin mes Amerikës Latine dhe Europës Juglindore përmes programeve të UNESCO-s?
Së pari, më lejoni të them se kam shijuar shumë këtë udhëtim në Shqipëri. Mendoj se është kënga, është historia, është muzika, apo është familja – por kemi shumë lidhje. Meksika dhe Shqipëria kanë shumë ngjashmëri në mënyrën se si e shohin botën. Prandaj, mendoj se kemi vërtet nevojë të nxisim shkëmbime mes rajoneve që zakonisht nuk janë në qendër të vëmendjes. E di që Shqipëria ndoshta është më afër me Bashkimin Europian sesa me Amerikën Latine, por le të ftojmë shqiptarët të vizitojnë Amerikën Latine dhe do të shihni ngjashmëritë dhe pastaj, kur të ktheheni dhe të shihni traditat që ekzistojnë në Shqipëri, për lidhjet familjare, për komunitetin, për mikpritjen dhe do ta kuptoni më mirë. Flukset turistike që ka Shqipëria tregojnë se njerëzit ndihen shumë rehat këtu. Prandaj mendoj se duhet të promovojmë më shumë këtë lloj ndërveprimi rajonal, për të shkëmbyer përvoja dhe për të mësuar nga njëri-tjetri.
Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqipërinë dhe a keni marrë aprovimin nga autoritetet shqiptare? A ju mbështesin ato përballë dy kandidatëve të tjerë që vijnë nga Afrika?
Unë do të thosha se shpresoj që të më mbështesin. Zgjedhjet janë në Tetor. Kam pasur biseda shumë të mira me anëtarët e qeverisë që merren me UNESCO-n. Mendoj se Shqipëria po bën një punë shumë serioze me shqyrtimin e kandidatëve. Mesazhi im për të gjithë anëtarët është që ta bëjnë këtë duke menduar për të mirën e UNESCO-s. Gjithmonë ka shkëmbime mes vendeve. Gjithmonë ekziston njëfarë gjeopolitike në këto çështje. Por ne kemi nevojë për një UNESCO shumë të fortë, dhe në këtë kuptim, ndjej se jam unë ajo që kam programin që mund ta çojë më lartë këtë organizatë.
Shqipëria është e pasur me trashëgimi kulturore dhe historike. Si e shihni vendin e saj në rrjetin e gjerë të UNESCO-s?
Më lejoni t’ju them se për vende si Shqipëria, duhet ta lehtësojmë dhe ta bëjmë më të shpejtë procesin e paraqitjes së kandidaturave për njohje, sepse ka kaq shumë pasuri kulturore. Shqipëria është një vend ku janë ndalur dhe kanë kaluar shumë kultura që kanë lënë gjurmë, që meritojnë të përfshihen në Listën e Trashëgimisë Botërore. Por shpeshherë ky proces është shumë i ngarkuar, shumë i vështirë, ose ne vetë vendosim kufizime. Mendoj se Shqipëria duhet të ketë më shumë hapësirë për të paraqitur gjithë këtë pasuri dhe angazhimin për ta ruajtur dhe ndarë atë me vende të tjera. Duhet të balancojmë regjistrin e Trashëgimisë Botërore sepse aktualisht kemi shumë pak nga Afrika, kemi shumë pak dhe nga disa rajone të tjera. Është e mrekullueshme që kemi 60 vende për Italinë, sepse është kaq e pasur në trashëgimi. Por në fund të fundit, duhet të gjejmë një ekuilibër dhe të përpiqemi të sjellim më shumë në tryezë nga vendet që zakonisht nuk përfaqësohen aq sa duhet.
Në Shqipëri ka disa site të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Keni vizituar ndonjë prej tyre gjatë kësaj vizite?
Kam qëndruar vetëm në Tiranë deri tani. Vizitova xhaminë dhe ishte e mrekullueshme. Po ashtu vizitova këtë katedralen e madhe që keni dhe ishte mbresëlënëse. E di që duhet të shkoj në qytetet e tjera të mrekullueshme që keni, qytetet osmane dhe të tjera, dhe do ta bëj kur të kthehem, shpresoj si Drejtoreshë e Përgjithshme.
Le të shpresojmë. Por si mund të përfitojë më shumë Shqipëria nga anëtarësia e saj në UNESCO?
Kjo është një nga temat që po diskutoj me autoritetet shqiptare. Mendoj se është shumë e rëndësishme të bashkëpunojmë më shumë, për shembull, në përmirësimin e cilësisë së arsimit. Takova rektorin e universitetit, i cili po bën një punë mbresëlënëse për përgatitjen e studentëve për tregun e punës. Por gjithmonë ekziston sfida e lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës, që është shumë dinamike. UNESCO, si një institucion dijesh, duhet të ndihmojë më shumë vendet me këto njohuri për të ndërtuar ura të forta. Po ashtu, UNESCO ka luajtur një rol të rëndësishëm në përkufizimin e zhvillimeve teknologjike, inteligjencës artificiale, kompjuterikës kuantike, nanoteknologjisë dhe Shqipëria mund të përfitojë duke bashkëpunuar me ne në fushën e arsimit, por edhe në sektorin e biznesit dhe turizmit, duke përdorur teknologjitë siç duhet.
Sipas jush, cilat janë sfidat kryesore që Shqipëria përballet për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë e saj kulturore?
Gjithmonë ka kompromise, sepse duhet të ruash trashëgimitë të paprekura, ashtu siç ishin, por nga ana tjetër ke presion demografik. Komunitetet kërkojnë të zhvillohen, të gjejnë burime jetese. Ne duhet të gjejmë një ekuilibër sepse nuk mjafton të kemi vetëm vende të mbrojtura të mrekullueshme. Duhet të gjejmë mënyra që ato të sjellin përfitime edhe për komunitetet që i rrethojnë. Kjo nuk është një sfidë vetëm për Shqipërinë, por për gjithë botën. Megjithatë, mendoj se duhet ta trajtojmë me seriozitet, sepse është e rëndësishme të ruajmë gjithë bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore, por po aq e rëndësishme është të mbështesim edhe komunitetet që jetojnë pranë tyre.
Shqipëria aktualisht ka disa site të Trashëgimisë Botërore. Por cilat janë kriteret që e bëjnë një trashëgimi të denjë për këtë status?
Janë vlerat universale, unikaliteti dhe kontributi që japin për të kuptuar çfarë do të thotë të jesh njeri. Shqipëria ka shumë site interesante si Butrinti, ose qytete të tjera, qytete osmane, por ka edhe trashëgimi jomateriale. Nuk është vetëm çështje e vlerësimit të kontributit shqiptar, por të tregosh se ky kontribut na ndihmon të kuptojmë më mirë çfarë do të thotë të jesh njeri dhe çfarë sjellim nga e kaluara për të na ndihmuar të kalojmë drejt një të ardhmeje më të ndritur
Cila do të ishte strategjia juaj për të ndihmuar vendet si Shqipëria të ruajnë statusin e trashëgimive ekzistuese të UNESCO-s?
Më lejoni t’ju them se një nga çështjet më të rëndësishme është financimi.Për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgimitë, për të mbështetur komunitetet, nevojitet financim. Unë jam ekonomiste, ndaj mendoj si mund të përdorim sektorin financiar për të vlerësuar më shumë kulturën, trashëgiminë materiale dhe jomateriale. Dhe mendoj që të punojmë për të krijuar obligacionet kulturore, siç kemi bërë me obligacionet e gjelbra ose të ndikimit social. Pse të mos shkojmë në tregje me propozime konkrete për të ruajtur trashëgimitë, por edhe për t’i kthyer ato në burim jetese për njerëzit?
Si mund të përfshihen më shumë komunitetet lokale në mbrojtjen e trashëgimive, edhe përmes obligacioneve?
Po, ato tashmë janë të përfshira. Ato janë. Dhe mund ta them këtë sepse kam qenë 20 vjet në OECD, Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, shumë prestigjioze, shumë në nivel të lartë. Të gjithë udhëheqësit e njohin OECD-në, të gjithë ministrat. Kur punon në UNESCO, njerëzit e njohin atë. Shkon në vende dhe gjen mësues shkollash, gjen shoqëri civile, gjen të rinj. Gjej shumë të rinj që vijnë në UNESCO për të bërë gjëra. Kemi komunitete, komunitete kulturore, që vijnë dhe përfaqësojnë veten në UNESCO. Prandaj them se ekziston vetëm një mënyrë për t’i organizuar më mirë, sepse ata e njohin UNESCO-në. Ata e pëlqejnë UNESCO-në shumë herë kur flas me ta, veçanërisht grupet e shoqërisë civile që trajtojnë mijëra çështje, kur i pyes, “por për çfarë bëhet fjalë këtu?”, ata thonë, ‘UNESCO është e jona”, dhe prandaj, dhe si ta organizojmë më mirë? Si t’i lidhim më mirë me pjesë të tjera të botës që bëjnë gjëra të ngjashme dhe që mund të mësojmë së bashku? Sepse multilateralizmi është për të mësuar dhe për të bashkuar njerëzit që bëjnë gjëra interesante për të përmirësuar rezultatet.
Si mund të menaxhohet turizmi në mënyrë të qëndrueshme rreth siteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s?
Kjo nuk është një pyetje shumë komplekse. Dhe mendoj se nuk ka aq shumë të bëjë me çështjen kulturore, sa me politikat turistike, politikat e turizmit. Dhe e dini që turizmi mund të jetë shumë kërkues, ndërtime të mëdha, hotele të mëdha, investime të mëdha, rrugë të mëdha ose mund të jetë ekoturizëm, në një mënyrë që menaxhon fluksin, menaxhon mënyrën se si trajtohen gjërat, mbron vendet e trashëgimisë kulturore. Jo të gjitha vendet kanë nevojë për akses të vazhdueshëm. Mund t’i shikoni, por mund te mos i vizitoni gjithmonë nga brenda. Dhe mendoj se edhe ky lloj turizmi, ekoturizmi, i përkthyer në turizëm më kulturor, mund të japë edhe një farë prestigji, sepse menaxhohet mirë, dhe është shumë i sofistikuar, dhe mendoj se duhet të bëjmë diçka të tillë.
Si e balancon UNESCO ruajtjen e trashëgimisë me nevojën për zhvillim të komuniteteve?
Po, pikërisht për këtë po flisja. Mendoj se e kemi përqendruar shumë vëmendjen te ruajtja e vendeve të trashëgimisë, që është shumë e rëndësishme, por duhet të gjejmë një mënyrë për të lidhur këtë trashëgimi kulturore me aktivitetet që komunitetet mund të zhvillojnë së bashku. Duhet të bashkëpunojmë me komunitetet. Nuk është UNESCO që do t’u tregojë komuniteteve se çfarë duhet të bëjnë; ne duhet të organizojmë një debat me autoritetet për të parë se çfarë kontributesh mund të japin këto komunitete për të ndihmuar në ruajtjen e vendeve. Ka shumë nevoja në aspektin e ruajtjes së trashëgimive, shpjegimit të tyre, bashkëpunimit me organizata të tjera për t’i mbajtur ato gjallë, dhe për këtë arsye mendoj se ka shumë mundësi që komunitetet të ecin paralelisht me zhvillimin dhe ruajtjen nuk janë dy gjëra kundër njëra-tjetrës. Kjo është mënyra se si mund të nxjerrim më shumë vlera nga këto vende, kur inkurajojmë komunitetet të na ndihmojnë me objektivat që ka UNESCO, por në të njëjtën kohë duke u siguruar që ato të kenë mjete për mbijetesë ekonomike, madje edhe më shumë.
Dhe për në fund, UNESCO është thellësisht e angazhuar në arsim. Cilat janë prioritetet tuaja në këtë sektor?
Prioritetet për këtë sektor janë, natyrisht, të vazhdojmë të sigurojmë një arsimin cilësor në lëndët bazë që çdo nxënës duhet të zotërojë. Të dish të lexosh, të dish të bësh matematikë, të dish të drejtohesh drejt fushës shkencore, por na duhet të edukojmë për ndjeshmëri dhe për paqe. Duhet të edukojmë për bashkëjetesë. E dimë që në epokën e inteligjencës artificiale, është më e rëndësishme të punosh në ekip sesa vetëm, është më e rëndësishme të vlerësosh komunitetin dhe të zhvillosh mendimin kritik. Mendoj se duhet të thyejmë modelet në arsimin tonë. Duhet të kemi programe që bashkojnë inxhinierinë me filozofinë, dhe na duhen më shumë filozofë që të na bëjnë pyetje, sesa që të na japin përgjigje.
Si planifikoni të përfshini zërat e të rinjve në punën e UNESCO-s?
Ky është një nga pasionet e mia. Sepse, më lejoni t’ju them, kur isha zv/drejtor i përgjithshëm i Shkencave Sociale dhe Humane, isha përgjegjës për programin e rinisë, dhe më lejoni t’ju them se zhvilluam një program me sektorin privat për të siguruar financim për udhëheqës të rinj që po bënin aktivitete interesante me ndikim mjedisor ose social. Morëm qindra aplikime nga e gjithë bota, dhe u ofruam atyre financim. Për më tepër, ftoj të rinjtë shqiptarë të aplikojnë, sepse tani nuk jam më në UNESCO dhe nuk bëj fushatë, por programi ekziston dhe është thjesht i jashtëzakonshëm. Ai të frymëzon vërtet, dhe, siç e dini, të jep një shpresë në këtë botë ku lajmet janë shpesh negative, dhe pastaj sheh të rinj që përpiqen të pastrojnë një lumë, ose të mbështesin komunitetin e migrantëve që nuk flasin gjuhën, apo të shkojnë të mbjellin pyje. Dhe thua: ‘Ok, unë do t’i ndihmoj ata.’ Nuk kam nevojë të bëj asgjë tjetër, vetëm të mbështes të rinjtë për të arritur qëllimet e tyre, sepse ata kanë një qëllim të qartë.
Çfarë roli luan transformimi digjital në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore?
Mjetet digjitale janë shumë të rëndësishme, sepse, siç thashë, ne përdorim skanimin satelitor të vendeve. Tani kemi imazhe më të sakta për gjendjen e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe historike. Këto po e lehtësojnë punën e vështirë të qeverive, duke u mundësuar atyre të raportojnë më mirë për to. Por, siç thashë, transformimi digjital është vetëm një mjet. Jemi ne ata që duhet të përcaktojmë si ta përdorim dhe si ta zhvillojmë këtë proces. Duke u kthyer te të rinjtë, na duhet një marrëdhënie më e shëndetshme mes tyre dhe mjeteve digjitale. Për shembull, t’i përdorim ato për të ruajtur vendet, për të angazhuar më shumë të rinj që të na ndihmojnë me aftësitë e tyre digjitale. Mbështetja e ruajtjes së vendeve mund të jetë një nga investimet që ia vlen të merren në konsideratë.
Pyetja për kohët e vështira, SHBA kërkojnë daljen nga OKB-ja, ku i përket UNESCO-së… Si e shihni transformimin dhe evolucionin e UNESCO-s gjatë dekadave të ardhshme?
Së pari dhe mbi të gjitha, mendoj se duhet ta vlerësojmë siç duhet. Është shumë e lehtë të biem në dëshpërim për mungesën e vlerësimit të mirë të multilateralizmit, por mendoj se është shumë e rëndësishme të tregojmë vlerën e tij. Së dyti, duhet të vazhdojmë të jemi universalë dhe shpresoj shumë që SHBA-ja të mbetet pjesë e UNESCO-s. Na duhet të bëjmë shumë reforma të brendshme, të jemi më fleksibël, të sigurojmë vlerë më të madhe për paratë, dhe të thjeshtësojmë shumë procese që kemi. Por unë ndjej fort, dhe për këtë po kandidoj, se shtyllat e UNESCO-s janë ato që bota ka nevojë! Na duhet shkenca, na duhet arsimi, na duhet kultura, dhe mendoj se në të ardhmen këto do të jenë më të rëndësishme dhe më të dukshme se tani.
Një mesazh për publikun shqiptar, veçanërisht brezin e ri!
Do të thoja që duhet të zgjedhin arsimin, kulturën dhe shkencën si mjete jo vetëm për të fuqizuar veten. Kjo është më shumë në arsim dhe shkencë. Kërkoni analiza të bazuara në shkencë, mos u mbështetni në keqinformim dhe në gjërat që shihni në rrjetet sociale. Por investoni edhe në njohjen më të mirë të kulturave të vendeve të tjera, sepse na duhen të rinj që të na ndihmojnë të ndërtojmë ato ura që përmenda në fillim. Duhet të ndërtojmë ura, dhe për këtë na duhen të rinjtë, natyrisht edhe të rinjtë nga Shqipëria.
/RTSH/
Lini një Përgjigje