Apostrof/ Miti i gjuhës së pastër: Çfarë e bën realisht të veçantë shqipen?

23 Maj 2025, 18:54Kulturë TEMA
Apostrof/ Miti i gjuhës së pastër: Çfarë e bën

Prej kohësh tashmë, pjesë e diskursit publik në Shqipëri është bërë edhe i ashtuquajturi fenomen i “albanologëve alternativë”—individë që përpiqen të provojnë se gjuha shqipe është origjina e të gjitha gjuhëve të tjera në botë, duke pretenduar për një lloj universi të lashtësisë absolute që fillon dhe mbaron me shqiptarët. 

Por a është e vërtetë që sa më e vjetër të jetë një gjuhë, aq më shumë vlerë ka ajo? A është “pastërtia” një kriter shkencor në linguistikë? Dhe nëse jo, pse na tërheq kaq shumë kjo fabul?

Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, së bashku me Ardian Vehbiun, përpiqemi të ç’paketojmë këtë mit që mbështjell gjuhën shqipe me një aureolë që nuk i përket as natyrës së saj, as mënyrës se si funksionojnë gjuhët në realitet.

Sepse në të vërtetë, matja e moshës së një gjuhe është problematike në vetvete. Gjuhët nuk lindin në një ditë të caktuar, si të ishin objekte që mund të datohen me karbon. Ato evoluojnë, ndahen, ndikohen, shkrihen, përthithin dhe përpunojnë pa ndalur. 

Por, a ka realisht një tipar apo element që e bën të veçantë shqipen?

Vehbiu shprehet se, “çdo gjuhë është si një entitet individual dhe ka tipare që asnjë gjuhë tjetër nuk i ka. Por, nëse gjuhë të tjera mund të kenë tipare unike individuale, një kompleksitet tiparesh siç i ka shqipja, natyrisht nuk e gjen në asnjë gjuhë tjetër.”

Ndërkaq, ai ndalet tek një veçori e shqipes, që është kontakti i saj me shumë kultura përgjatë historisë së evoluimit të saj.

"Shqipja ka këtë veçori që, duke qenë në kontakt me shumë kultura—duke filluar, po e lëmë mënjanë Greqinë e vjetër, por me Romën e lashtë, me krishterimin, me Bizantin, me sllavët, me Venedikun, me Osmanët, me Italianët—kjo gjë e ka bërë shqipen edhe më unike seç ishte, sepse ka marrë elemente nga të gjitha dhe i ka integruar."

Vehbiu sjell shembullin e një fjale të zakonshme, të ardhur nga turqishtja osmane, që në shqip ka marrë një jetë krejt të re. Përdoret me dhjetëra nuanca, ndërtohet me folje të ndryshme, dhe ka krijuar një fushë kuptimore që nuk gjendet në gjuhën burimore. 

"Po sjell vetëm një shembull: po të studiosh në shqipe kuptimet dhe përdorimet e fjalës ‘qejf’—është një fjalë që në shqip ka hyrë nga turqishtja e kohës osmane—por po të shikosh gjithë frazologjinë e fjalës, foljet me të cilat ajo kombinohet, gramatikën [...] dhe të përpiqesh të kuptosh çfarë është qejfi tamam nga ana psikologjike për shqipfolësin dhe shqiptarin që e flet gjuhën, kjo gjë është unike në shqip, sepse turqishtja nuk e ka. Është një përpunim unik, dhe që lidhet pastaj, në analizë të fundit, edhe me atë psikologjinë kombëtare, nëse duam ta quajmë. Ka shumë fjalë të tilla, të cilat janë përpunuar dhe janë integruar në gjuhë, por në nivelin oral.”

Miti gjuhës së “pastër”, i gjuhës që “s’ka huazuar kurrë”, është në thelb një mit për një identitet pa plagë, pa ndikime, pa të tjerë. Por një identitet i tillë nuk ekziston. Dhe gjuha nuk e dëshmon këtë pastërti—përkundrazi, dëshmon një histori të bukur të ndërveprimit dhe mbijetesës.

Në fund, ndoshta nuk kemi frikë nga e vërteta gjuhësore. Ndoshta kemi frikë nga ajo çfarë ajo nënkupton:
që jemi të përshkuar nga histori, të cilat nuk i kemi zgjedhur vetë—por që megjithatë, na kanë bërë këta që jemi.

2 Komente

  1. M
    Margarit(margarit nilo)

    https://www.facebook.com/share/p/1YJfJmVuCJ/

    Përgjigjjuni
    1. M
      Margarit

      https://www.facebook.com/share/p/1YJfJmVuCJ/

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje