Botim i ri Zenit: TOKE DHE DET - Një shqyrtim mbi historinë e botës, prej autorit CARL SCHMITT, përkthyer nga Qemal Velija.
Në vitin 1942, i izoluar në Berlinin në luftë, Karl Shmit vendos të shkruajë këtë ese të veçantë në formë ‘rrëfimi për bijën’ - trajtë shqyrtimi e posaçme dhe e përhapur asokohe -, e në të cilën historia e botës rilexohet në perspektivën e një kundërtie themelore, asaj mes tokës dhe detit.
Nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për dy elementë, për dy forca natyrore, dy hapësira jetike që përcaktojnë jetën e njeriut: Shmiti rreh të tregojë edhe se si toka dhe deti, në përkundërtat e tyre, janë përbërësit ngarës të njërit prej motorëve më të fuqishëm e gjer dhe të fshehtë të historisë. Me një ndërthurje marramendëse të interpretimit historik dhe teorisë politike, mitografisë dhe teologjisë, filozofisë dhe ezoterizmit, juristi politolog e shqyrtues i filozofisë së të Drejtës, zhytet thellë kështu në një territor magjepsës në kufijtë mes spekulimit dhe imagjinatës, ku kërkimi i “zanafillores” shtyhet “në pragjet e eskatologjisë”.
Me pak pasazhe, të thjeshtë por të një saktësie të kalibruar, Shmiti përshkon mijëvjeçarë historie, duke zbuluar në të thurimën e padukshme, deri sa bregëzohet në ngjarjen vendimtare: atë “revolucion hapësinor planetar”, prej të cilit ka lindur ‘nomosi’ i Europës moderne. Për të hedhur vështrimin përtej - e për të parathënë, me largpamësi, skenarët e botës së ardhshme, ku nuk haset vështirësi të dallohet edhe ajo e ditëve të sotme.
Lini një Përgjigje