Dokumentari “Katër masa shpirti” nga Albana Kozeli, shkon në Itali, në një nga festivalet më prestigjioze që realizohet nga RAI prej më shumë se 70 vjetësh.
“Katër masa shpirti” është një prodhim ekskluziv i Radio Televizionit Shqiptar kushtuar ikonës së filmit shqiptar, kompozitorit të ndjerë Kujtim Laro. Vepra është një udhëtim muzikor e emocional në trashëgiminë artistike të Laros.
Dokumentari zbulon të pathënat, brengat dhe brendinë e kompozitorit që me muzikën e tij u dha jetë disa prej filmave më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.
Dokumentari do të konkurrojë në edicionin e 77-të të konkursit ndërkombëtar “Prix Italia”, që mbahet në Napoli në datat 20–24 tetor 2025.
“Katër masa shpirti” u shfaq premierë sivjet në vigjilje të ditëlindjes së Laros, në kinema “Millennium”.
Kujtim Laro lindi në maj të vitit 1947 në qytetin e Vlorës. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1970, në Institutin e Lartë të Arteve dhe më vonë shërbeu si pedagog për shumë vjet në Akademinë e Arteve. Ka punuar gjithashtu si drejtor artistik pranë Ansamblit të Ushtrisë. Laro mbante titujt “Artist i Merituar” dhe “Naim Frashëri” i Klasit të Parë. Ai ka lënë pas rreth 35 kolona zanore filmash shqiptarë, dhjetëra këngë festivalesh dhe krijime të tjera muzikore. /atsh/
Lini një Përgjigje