Si lexues apo konsumatorë të informacionit, ne shpesh pretendojmë se duam media sa më të paanshme, por në praktitkë priremi të ndjekim ato media dhe burime informacioni që konfirmojnë bindjet tona. Madje, edhe kur algoritmi na ofron ndonjëherë aksidentalisht këndvështrimin e palës tjetër, ndihemi gati të ofenduar.
I ftuar në Apostrof Podcast, Lutfi Dervishi e komenton këtë dukuri globale, duke theksuar se mungesa e përballjes me mendimin ndryshe e kufizon aftësinë tonë për të kuptuar më mirë realitetin.
“Nëse shkon gjithmonë në të njëjtën rrugë dhe takon të njëjtët njerëz, do e dish edhe çfarë mendojnë ata. Jeta mund të jetë më e qetë, por koha do të ikë më shpejt,” – u shpreh ai, “Pra, nuk e sfidon dot veten.”
Sipas Dervishit, lexuesit duhet të mësohen të vizitojnë “territore të huaja” ideologjike, për të kuptuar pse të tjerët mendojnë ndryshe dhe për të mos mbetur të mbyllur në dhoma jehone.
“Zakonisht, sugjerimi është që ti të kuptosh pikëpamjen e kundërt, duke thënë pse ai tjetri ka një gjë krejt të kundërt. Për shembull, nëse ti lexon vetëm materiale që mbështesin ideologji të majta, duhet të kuptosh çfarë ndodh te e djathta. Pse ka mbërritur në këtë pikë që ti mund të mendosh se është i çmendur apo është i mrekullueshëm”
Gazetari vuri në dukje se roli i algoritmeve e përkeqëson më tej këtë fenomen, duke ushqyer përdoruesit me përmbajtje që konfirmon prirjet e tyre dhe i nxit drejt konsumit të pandërgjegjshëm. Në përfundim, ai e krahasoi hapësirën digjitale me një ambient fizik që kërkon pastrim të vazhdueshëm: “Ashtu sikundër pastron shtëpinë ku jeton, duhet të pastrosh edhe ambientin digjital.”
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
“Tundet flamuri i pavarësisë, por mungon shtiza” – Lutfi Dervishi për krizën e besimit në media