Tish Daija, kompozitori që la pas vetes shumë kryevepra

13 Tetor 2025, 14:06Kulturë TEMA
Tish Daija, kompozitori që la pas vetes shumë kryevepra

Kompozitori dhe muzikanti shqiptar Tish Daija ka lindur më 30 janar të vitit 1926 në Shkodër.

Lindi në Shkodër ndërsa pa mbushur moshën shkollore, u bë pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kaçajn, Simon Gjonin.

Ndërsa në moshën 10-vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova.

Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike.

Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.

Ai njihet si autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

U nda nga jeta më 3 tetor 2003 në moshën 78-vjeçare.

 

Lini një Përgjigje