Fshati piktoresk i Rehovës në Kolonjë, u kthye këtë fundjavë në një qendër të gjallë të trashëgimisë kulturore me organizimin e festivalit “Etno-Kids”, një aktivitet që vë në qendër fëmijët dhe ruajtjen e traditave folklorike shqiptare.
Festivali u mirëprit me entuziazëm nga banorët e zonës dhe vizitorët, të cilët patën mundësinë të shijojnë këngë popullore, valle tradicionale dhe kostume autentike të trevave të ndryshme.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau në rrjete sociale, momente nga festivali, teksa theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në promovimin e kulturës lokale dhe nxitjen e turizmit rural në Kolonjë dhe më gjerë.
Atmosfera festive u shoqërua me emocionet e fëmijëve që performuan me pasion në skenë, duke përcjellë me krenari trashëgiminë kulturore të paraardhësve, shkruan atsh.
Çmimi i madh i Festivalit iu dha me meritë Ansamblit të Qendrës Kulturore Prrenjas, për interpretimin mbresëlënës të valles së Rrajcës dhe për kostumet autentike, të cilat ruajnë me përpikmëri ngjyrat, shpirtin dhe historinë e trevës.
Festivali “Etno-Kids” vjen si një shembull frymëzues për mënyrën se si kultura, edukimi dhe turizmi mund të ndërthuren për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale dhe për të mbajtur gjallë shpirtin e traditës shqiptare.
Lini një Përgjigje