Në pikturën më lart “Ferrari" e realizuar në vitin 2012, mjeshtri Helidon Haliti ka krjuar një kontrast të fortë vizual dhe simbolik të një Ferrari modern, simbol i shpejtësisë, luksit dhe teknologjisë, i cili është vendosur mbi shpinën e një breshke, krijesë e natyrës që mishëron ngadalësinë, durimin dhe urtësinë.
Kryesisht një kombinim i papritur i cili ngre pyetje mbi ritmin e jetës moderne.
Veprat e Halitit janë peisazhe por edhe portrete, të cilat kanë një ndërthurje ngjyrash të kombinuara në mënyrë të përkryer me njëra tjetrën.
I lindur në Lushnjë, është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë në vitin 1993. Rrugëtimin e tij artistik e nisi në Liceun Artistik të Beratit, ku studioi artin grafik dhe zhvilloi pasionin për artin nën udhëheqjen e pedagogëve të tij frymëzues.
Pas diplomimit në vitin 1992, në një kohë të vështirë për Shqipërinë, Haliti u detyrua të emigronte në Greqi. Pas rikthimit në Shqipëri në vitin 2005, Haliti u angazhua në krijimin e Muzeut Mezuraj, muzeu i parë privat i artit në vend. Ekspozita e tij personale në vitin 2009 në këtë muze shënoi një pikë kulmore në karrierën e tij, e shoqëruar me një katalog monografie të cilësisë së lartë.
Në vitin 2013, Haliti u shpërblye me çmimin prestigjioz “KULT” si “Artisti më i mirë i vitit”. Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Organizatës Kulturore VIZart në vitin 2014, që organizoi Bienalen e parë Ndërkombëtare të Akuarelit në Shqipëri, duke mbledhur 400 artistë nga e gjithë bota.
Haliti është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, përfshirë “Mjeshtri më i mirë” në Hong Kong dhe “Çmimi i Artistit më të Mirë” në Kinë.
A e ka shkuar ndërmend Haliti (a e ka bërë qëllimisht si ironi), se kurrizi i breshkës duket sikur mban një ngarkesë me heroinë të mbështjellë me cellofan, me të cilën mund të blihen dhjetëra Ferrari?