Konkuista e Amerikës

12 Tetor 2025, 12:46Kulturë Adri Kalaja

Konkuista e Amerikës

Në ditët e sotme, me luftën në Ukrainë por dhe me përfundimin e afërt (me ndërhyrjen e Amerikës së Trampit) të luftës në Gaza duhet kthyer gishti nga vetja jonë dhe duhet ngritur para së gjithash pyetja: mos vallë kolonizimi është sërish një fakt real? Sepse genocidi në Gaza ngriti sërish peshë një problem të vjetër: shtypjen e popujve të dobët nga të fortët (edhe financiarisht). Ose, një problem tjetër: abuzimin me “të drejtat e njeriut” dhe “politikisht korrekten”. Kujtojmë se lufta në Gaza u bë për hir të disa pengjeve të Hamasit.

Te një nga librat e tij më të mirë (Sipari; së shpejti në shqip me termin “perdja”) Milan Kundera në një situatë sa të ngjashme por edhe të ndryshme teksa analizon “Iliadën” dhe Luftën Për Trojën ngre nepërmjet ironisë budallallëkun e masakrës së mijëra njerëzve për një brinar (Menelau).

Tani, le të themi me plot gojën: a ja vlen sakrifica e mijërave thjesht për të treguar se islami është një mënyrë e gabuar për të parë botën, ose, më së paku, thjesht e tejkaluar, atavizëm i ngjitur si m*ti në këpucë drejt perëndimit që po përgatitet të pushtojë Marsin? Ta kolonizojë atë?

Një prej librave më të mirë për të kuptuar kolonizmin është “Konkuista e Amerikës” e Tzvetan Todorov, ardhur në shqip nga Pika Pa Sipërfaqe me përkthim të Primo Shllakut i cili, në disa raste, na fton në luftën ndaj kolonizimit në gjuhë nepërmjet përdorimit të gegnishtes.

“Konkuista” është një libër për të gjithë antropologët dhe ndihmon shumë në kuptimin e luftës së Kosovës. Kosova dhe Vojvodina ishin të kolonizuara nga monstra jugosllave, nuk i përkisnin aspak asaj etnie dhe ishin popull tjetër, me fe dhe gjuhë tjetër.

Indianët e Amerikës sot, në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut (çfarë hipokrizie!), jetojnë në rezervate dhe shërbejnë si atraksion turistik për francezë apo italianë obezë që mendojnë se “këtu të vjedhin”, për të perifrazuar një poezi të E.Hatibit.

Shqipëria e viteve 90 e vuajti kolonizimin dhe një kolonizim të shëmtuar madje, filluam të imitonim amerikën në çdo gjë, por, Kamza nuk është Teksasi.

Konkuista është dhe një libër për historianët, për historianët kritikë, por edhe për aktivistët politikë, në daltë ndonjë parti kundër kolonializmit (edhe atij rus). Konkuista është një libër për mendje të hapura, që kur të dalin në studio televizive të mos i thonë turqve pushtuesit, por kolonizuesit.

Konkuista është një libër për t’ia bërë më të vështirë jetën atyre që socializmi ju është kthyer në Gogolin apo bajlozin e Gjergj Elez Alisë.

Lini një Përgjigje