Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, e rrethuar nga miq, kolegë gazetarë dhe figura të njohura të jetës publike e politike, gazetarja Mira Kazhani promovoi të premten librin e saj “Një ditë tjetër”.
Autorja sjell një rrëfim të ndjerë dhe personal për atë që ajo e quan “dimrin” më të vështirë të jetës, betejën e saj me një sëmundje të rëndë, tumorin në gji. Me emocion dhe me sinqeritetin që e karakterizon, Mira Kazhani tregon se beteja për jetën e bëri më të fortë ndërsa e ka ndihmuar të zbulojë forcën e saj të brendshme.
“Kjo është e bukura te pengesat, tek vështirësitë, tek dhimbjet — e kam gjetur veten, siç duket, kështu ma ka shkruar ai lart.”8:31 “Ajo betejë për jetën më ka dhënë lirinë që ndoshta nuk na e jep asgjë në jetën e parë, sepse në jetën e parë të gjithë jemi pak naivë dhe besojmë se jeta që kemi na takon, puna që kemi na takon, ne jemi pronarë të të gjithë gjërave që zotërojmë. Në fakt, ne jemi udhëtarë dhe ky vit, 2 nëntori e tutje, më mësoi se gjithçka që kemi është dhuratë. Nga ky moment kuptova që duhet të kisha më shumë besim te Mira e sinqertë.”-shprehet Mira Kazhani.
E pranishme ishte dhe gazetarja e njohur Ilva Tare, e cila zbuloi talentin e Mirës për të shkruar.
“Ky sukses që keni në dorë unë e kam parë para 20 vitesh, ju sot e keni në duar. Talenti i Mirës ka qenë aty, fatkeqësisht na desh një kancer dhe një dramë në jetën e Mirës, një moment që Mira zgjodhi të mos ma thoshte para ndërhyrjes. Lexoni librin e Mirës sepse është një udhërrëfyes fantastik për jetën, sidomos për mënyrën se si duhet përballuar kur ke dimra të vështirë, siç ishte ai i Mirës. Mira ka bërë një rrëfim me një sinqeritet çarmatosës në libër, ka rrëfyer gjithçka. Mira, pas sëmundjes, është një Mirë tjetër.”-shprehet Ilva Tare.
Nëpërmjet faqeve të këtij botimi, Kazhani ndan ndjesitë, frikën, shpresën dhe forcën që e shoqëruan në këtë rrugëtim sfidues.
“Unë asgjë në jetë nuk e kam bërë me strategji, gjërat në jetën time kanë ndodhur gjithmonë spontanisht dhe doja që ky libër, që doli nga fundi i zemrës, të kishte një rrjedhë organike. Nëse më përpara sinqeritetin e kam parë si dobësi dhe më ka hapur telashe, tani më ka dhënë forcë, jo sepse libri po blihet, por sepse njerëzit që po e vlerësojnë, dhe ata që po e lexojnë, vlerësojnë vetëm sinqeritetin.”-shrephet Mira Kazhani.
Mira bëri apel për më shumë kujdes ndaj shëndetit, veçanërisht tek gratë dhe vajzat, duke theksuar rëndësinë e kontrollit dhe parandalimit të kancerit.
- Euronews Albania-
Lini një Përgjigje