Në episodin e radhës të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, na bashkohet gazetari dhe opinionisti Lutfi Dervishi për një bisedë të gjerë në lidhje me gjendjen e medias në një epokë të dominuar nga algoritmet dhe inteligjenca artificiale.
Dervishi vendos në pikëpyetje nëse nocioni i medias së pavarur mbart ende ndonjë kuptim real në ditët tona, apo nëse është kthyer në një iluzion që ushqehet nga vetë forcat të cilave media pretendon se iu reziston. Ai thotë se, ajo që shpesh cilësohet si “pavarësi” lidhet me neutralitetin politik – të mbajturit distancë singa pushteti ashtu edhe nag opozitia – duke injoruar varësitë më të thella që shpesh e formësojnë median, nga interesat financiare, pritshmëritë e publikut dhe pushteti që algoritmet kanë ndaj saj.
Diskutimi shtrihet gjithashtu tek rritja e shpejtë e përdorimit të inteligjencës artificiale për të gjeneruar produkte mediatike dhe mënyrat jo gjithmonë të dukshme se si teknologjia po përcakton jo vetëm si prodhohet lajmi, por edhe se cilat ngjarje i cilësojmë si të vlefshme për t’u bërë lajm.
A mundet që sistemi mediatik të vijojë t’i shërbejë interesit publik kur vetë mbijetesa e këtij sistemi varet nga klikimet, emocionet dhe dora e padukshme e algoritmit?