Në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit është çelur ekspozita “Frymëzime Jete”, një aktivitet që sjell pranë publikut 43 piktura të artistit të njohur Haxhi Kastrati.
Ekspozita u hap në prani të shumë artdashësve, intelektualëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.
Në fjalën e tij, piktori Haxhi Kastrati u shpreh mirënjohës për qytetarët e Pogradecit dhe për Bashkinë e Pogradecit, e cila mundësoi sjelljen e kësaj ekspozite në qytet. Ai tregoi se ekspozita ka udhëtuar në disa qytete të Shqipërisë, duke përcjellë një mesazh të fortë njerëzor dhe artistik.
“Kjo është ekspozitë, është një ekspozitë e dashur për mua që vjen pas shumë vitesh, pas ekspozitës time të njohur. Kisha disa ekspozita të miat në qytete të ndryshme të Shqipërisë”, tha Kastrati..
Nga ana tjetër, Enxhel Gegprifti, kurator i ekspozitës, tha se veprat janë të frymëzuara nga ngjarje të luftës së Kosovës dhe se pikturat vijnë në një mënyrë shumë të veçantë për publikun.
“Ekspozita është një cikël punimesh të cilat janë të vetë frymëzuar nga vetë autori përsa i përket sa i përket periudhës së luftës në Kosovë. Ka një lloj figuracioni shumë interesant”, tha Gegprifti.
Ekspozita “Frymëzime Jete” do të qëndrojë e hapur për publikun pogradecar për 10 ditë, duke ofruar mundësinë që çdo vizitor të përjetojë emocione dhe reflektime përmes artit.
- RTSH-
Lini një Përgjigje