Tingujt e Çajkovskit dhe Shubertit jehuan në Katedralen “Shën Luçia” në Durrës, në një atmosferë të ngrohtë që shënoi hapjen e edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.
Në këtë natë të veçantë, festivali nisi me shfaqjen e trios austriake Amadeus, e përbërë nga violinisti i njohur Wolfgang David, violonçelisti Wolfgang Panhofer dhe pianisti Bernhard Parz, muzikantë me një karrierë të spikatur ndërkombëtare, që rikthyen emocionet e para të këtij festivali, aty ku gjithçka nisi 20 vite më parë.
“Është emocionuese të rikthehem 20 vite më pas në këtë festival. Kam çelur natën e parë në edicionin e parë. Është nder për mua që të përjetoj të njëjtat emocione,” tha z. David.
Drejtoresha artistike e festivalit, Nevila Kalaja, foli mbi rëndësinë e këtij edicioni dhe programin e pasur që do të shoqërojë publikun gjatë tetë netëve të festivalit, transmeton rtsh.
“Është një moment i bukur jo vetëm për festivalin, por mendoj edhe për qytetin e Durrësit, që përjeton tinguj të muzikës klasike të luajtura mjeshtërisht nga muzikantë që njihen ndërkombëtarisht,” u shpreh znj. Kalaja.
Ky festival vjen me mbështetjen e ambasadës austriake në Shqipëri.
“Jemi shumë të lumtur që po kontribuojmë në këtë event kulturor. Është një ndërlidhje e bukur që krijohet përgjatë viteve mes muzikantëve dhe artdashësve,” deklaroi ambasadorja Monika Zach.
Katedralja “Shën Luçia”, me arkitekturën dhe akustikën e saj të veçantë, u kthye edhe një herë në një tempull të muzikës së dhomës, ku publiku përjetoi emocionet e thella, ashtu siç vetëm muzika klasike di të dhurojë.
Lini një Përgjigje