"Sikur të isha djalë" i Haki Stërmillit

29 Qershor 2025, 11:50Kulturë Adri Kalaja

"Sikur të isha djalë" i Haki Stërmillit

Do të ishte e çuditshme, më së paku, të flisnim për rryma të mëdha në letërsinë shqipe që e kemi me pikatore dhe mezi e kemi.

Por mund të flasim për përfaqësues që janë në të njëjtën frymë me botën, europën pra, perandoritë osmane e austriake, komunizmin titist, apo sovjetizmën.

Një përfaqësues i sentimentalizmit shqiptar është Haki Stërmill me romanin e tij shumë të arrirë “Sikur të isha djalë”.

Romani i drejtohet, ndoshta për herë të parë në shqip, një grupimi të nënvlerësuar, grave dhe vajzave shqiptare.

Romani nuk është asfare politikisht korrekt, ai e paraqet Shpendin (personazhin mashkull) si një figurë dytësore, të bëjmë pak kujdes, jo të pavlerë, por dytësore.

Ashtu si Petro Marko ja del që të vihet në të njëjtat kushte bisede me brezin e humbur europian edhe Stërmilli ja del (pak me vonesë ndoshta) të futet në radhët e romantistëve europianë.

Pena e Stërmillit është e fortë, e qëndrueshme dhe feministe. Stërmilli i flet të rriturve njësoj si fëmijëve apo adoleshentëve dhe, çka është më e rëndësishme, ai flet për një kohë kur nuk kishim shkolla por vetëm kolegje françeskane priftash.

Ai shkruan në një kohë kur dogma fetare ishte e rrënjosur thellë në shpirtin e shqiptarit, në një kohë të ferexhesë dhe libërdjegësve.

Mirësia e tij është e skajshme, dhe çfarë akoma mund të admirohet është butësia e tij në penë. Fjalët e tij, si me thënë, mbajnë erë të mirë, janë të gëlltitshme, nuk janë brutale apo pedante.

Po, Stërmilli kërkon ta ndërrojë shoqërinë, por nuk bën satirë, por thur një tragjedi greke.

Unë jam shumë i bindur se “Sikur të isha djalë” është jashtëzakonisht e përshtatshme për ekranin e madh, një ditë…

 

Lini një Përgjigje