Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik në brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit pritet të ndryshojë hartën historike të Europës.
Në zonën e Buqezës, falë një bashkëpunimi mes Universitetit të Bernës dhe arkeologëve shqiptarë, është dokumentuar vendbanimi më i vjetër i njohur në kontinent, që daton nga 8000 deri në 4000 vjet p.e.s.
Gërmimet po zhvillohen në tokë dhe nën ujë, me gjetje që hedhin dritë mbi jetën e hershme komunitare.
“Kemi gjetur material të bollshëm arkeologjik, qoftë në nivelin e qeramikës, qoftë të veglave të punës, kockave, gurit. Janë marrë analiza për të kryer studime më të thelluara në nivel kampionesh. Jemi në fazën ku tani, nëpërmjet metodologjive të avancuara, siç është dendrokronologjia, do të fillojmë dhe të krijojmë idenë e strukturave të banimit. Kjo është pjesa më e rëndësishme e gërmimit të këtij viti,” tha arkeologu Adrian Anastasi.
Një nga zbulimet më domethënëse është struktura mbrojtëse prej druri, e ruajtur në gjendje të mirë nën liqen, që tregon për organizim dhe mbrojtje të hershme të vendbanimeve.
Projekti po ngjall interes të gjerë ndërkombëtar dhe po kthehet në një shembull suksesi të bashkëpunimit shkencor dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, transmeton rtsh.
Lini një Përgjigje