Në episodin e 24-t të Apostrof Podcast, me studiuesin Edon Qesari ndalemi edhe tek shqetësimi se studimi i historisë së Shqipërisë vijon të mbetet i përqëndruar tek individët e pushtetshëm, ata që kanë udhëhequr, duke anashkaluar historinë sociale dhe kolektive të shumicës së heshtur. Për Qesarin, kjo qasje ka krijuar një narrativë të ngushtë dhe elitare, që nuk përfaqëson kompleksitetin e së shkuarës.
“Zakonisht, në Shqipëri kur studiojmë historinë, shqetësohemi gjithmonë për një Skënderbe, për një Ismail Qemal, për një Fan Noli, apo një Enver Hoxhë. Shtratin e gjerë – atë që zakonisht e quajmë histori sociale, apo shpesh herë edhe histori të mendësive – e lëmë të anashkaluar.
Unë besoj që sot, kur flasim për këto dy prirje – pra, një prirje shumë e ndjekur, ende historia e mirëfilltë në Shqipëri është një histori e ngushtë politike, është histori e një elite, e shtresave të ngritura që vendosin për të tjerët dhe jo e shtresave që pësojnë këtë vendosje – kur flasim për këto dy rryma, duhet të mirëkuptojmë që nuk mund të ekzistojnë njëra pa tjetrën.”
Për Qesarin, një shoqëri që e ndërton kujtesën vetëm rreth figurave të mëdha historike, rrezikon të harrojë se historia nuk është vetëm ajo që ndodh në krye – por edhe ajo që përjetohet poshtë. Pa përfshirjen e shtresave të zakonshme dhe mendësive kolektive, çdo rrëfim historik mbetet i cunguar.
Episodi i plotë me Edon Qesarin publikohet sot, ora 17:00.
Lini një Përgjigje