Nga Neli Demi
Janë disa libra që i lexon me mendje dhe me endje. Janë disa të tjerë që i lexon me kuriozitet prej profesionit që ke. Dhe pastaj ka libra që të lexojnë ty. Të zhveshin nga kostumet e të kuptuarit dhe të vendosin përballë një dhimbjeje të vjetër që s’e kishe emëruar kurrë.
“The Drama of the Gifted Child” ( Drama e fëmijës së talentuar) nga Alice Miller ishte një nga ata libra. I vogël në përmasa, por tronditës në peshën emocionale. Një libër që nuk të ofron thjesht një koncept por një pasqyrë për t’u parë në imtësi. Dhe për disa prej nesh, pasqyra nuk është metaforë. Është përballje. E kam lexuar njëzet e kusur vite më parë por tani jam më i qartë dhe njëkohësisht edhe falenderues për A. Miller për këtë margaritar të botëkuptimit të njeriut.
Në faqet e para, Miller flet për një fëmijë të “talentuar” , jo sepse ishte i jashtëzakonshëm, por sepse ishte i ndjeshëm. Sepse mësoi herët të ndjejë të tjerët, të parashikojë nevojat e tyre, të rregullojë emocionet e prindërve, të jetë i mirë… dhe kështu, ngadalë, të humbasë veten. Jo përmes traumave të mëdha, por përmes një heshtjeje emocionale që e shoqëroi gjatë rritjes.
Si psikiatër dhe psikoterapist, kam lexuar shumë për fëmijërinë. Por ky nuk ishte një lexim, ishte një rikthim. Dhe nuk është e lehtë të lejosh veten të preket. Ne jemi mësuar të shpjegojmë, të kuptojmë, të analizojmë. Por rrallë lejojmë që një tekst të na japë ndjesinë e braktisjes që kemi fshehur me kujdes nën sukseset, rolet dhe etikën tonë.
Miller më mësoi se përpara se të ndihmojmë të tjerët të ndjejnë, duhet të kemi guximin të ndjejmë vetë. Se terapia nuk është një proces i zbërthimit logjik, por një përshkallëzim i butë drejt një dhimbjeje të vonuar. Dhe se ka fëmijë që kanë qenë aq “të mirë”, saqë askush nuk i ka parë kurrë të vuajnë.
Kur libri të lexon ty, nuk je më vetëm terapist apo profesionist. Je njeri. Dhe vetëm atëherë mund të jesh i dobishëm në dhimbjen e një tjetri.
Do e rekomandoja këtë libër për këdo, shoqëruar apo jo nga një proces terapeutik, që ndihet gati për një udhëtim brenda vetes.
Lini një Përgjigje