Eksperiencë Beckettiane

1 Tetor 2024, 09:41Kulturë TEMA
Eksperiencë Beckettiane

Nga Ylli Demneri

Dy miq më ftojnë për të parë një pjesë teatrale të Beckett-it (më saktë do ishte "një tekst"). Pranoj pa u interesuar fare se për çfarë bëhet fjalë, i shtyrë nga një lloj entuziazmi që të shkoj bashkë me ata dhe që kisha kohë pa parë (më saktë "pa dëgjuar") një tekst të Beckett-it. Më pëlqen të zbuloj. Ndaj nuk informohem asnjëherë për atë që do shoh apo dëgjoj.
Në datën dhe në orën e caktuar, që është e shënuar në biletën elektronike (në ditët tona ka filluar që të mos dëgjohet më zhurma e grisjes së biletës), jam bashkë me miqtë e mi në sallën e vogël të teatrit me emrin 14 (Théâtre 14) që në mendjen time, të përgatitur për të përjetuar një tekst të Beckett-it, e shoh si një lloj moderniteti.
Salla fillon të errësohet gati plotësisht sapo aktori zë vend para perdeve. Në mes e buzë skenës. Këmbëzbathur duke prekur vetëm me gishtat e këmbëve një drejtkëndësh të ndriçuar lehtë në dysheme. Nis e dëgjohet zëri i tij që interpreton teksin e Beckett-it "Cap au pire". Ca nga ca, aktori (Denis Lavant) fillon e ndriçohet shumë lehtë, shumë pak. Për të ndjekur sa më mirë atë rrymë fjalësh duke dashur të kuptoj diçka, viktimë e arsyes (sepse që në fillim autori do të thotë se s'ka asgjë për të kuptuar), mbyll sytë. Aty-këtu fjalët "përplasen" me njëra-tjetrën duke më bërë të qesh, buzëqesh. Në atë sallë të errët pa asnjë kolonë zanore (zëra, zhurma apo muzikë), herë pas here dëgjoj britmat e laraskave që vijnë nga jashtë. Jemi në vjeshtë.
Pastaj dominon zëri i aktorit që mes të tjerave thotë:
"Thënë keq. Thënë tani për ta thënë keq. Të thuash një trup. Ose zero. Zero shpirt. Kjo të paktën. Një vend. Ose zero. Për trupin. Ose të jesh. Ose të lëvizësh. Nga të dalësh. Ose të kthehesh. Jo. Asnjë dalje. Asnjë kthim. Veçse atje. Të qëndrosh atje. Atje përsëri. Pa lëvizur..."
I ulur në atë sallë të errët duke dëgjuar atë tekst të pazakontë, i nisur nga ajo që po përjetoj, një çast mendoj se një tekst i tillë do ishte efikas për t’u përdorur si torturë në një vend diktatorial kundër një "armiku të popullit" i mbyllur në qeli (prandaj çdo tekst i lexuar apo i dëgjuar plotësohet me eksperiencat e ndjeshmëritë e çdo lexuesi apo spektatori, në këtë rast më saktë "dëgjuesi").
Edhe pse po vuaj "këtë torturë", ajo që më çudit është performanca e tij. Si mund të mbash mend një tekst të tillë ku vazhdimësia bëhet shumë e vështirë për kujtesën, përgjatë një ore e gjysmë?! Në këmbë. Pa lëvizur asgjë. As duart, as kokën. Asnjë milimetër. Ashtu si heronjtë e Beckett-it, të zhveshur nga çdo veprim, nga çdo lëvizje.
Tani, dy ditë pas shfaqjes, ruaj kujtimin e një krijimi të përkryer. I ngjashëm me përsosmërinë e një hieroglifi. Duke e përjetuar si një kënaqësi. Si një ndërgjegjësim i absurditetit të botës.

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje