Mesazhet e urimit për këngën përfaqësuese të Shqipërisë në Eurovizionin 2025 ishin të shumta dhe kishin një të përbashkët: dëshirën për suksesin e “Zjermit”.
Në ditët para Gjysmëfinales, ku Shkodra Elektronike avancoi pa vështirësi, artistët shqiptarë, por edhe rivalët e tyre direktë në Festivalin e Këngës në RTSH, ishin njëzëri mbështetës të grupit shqiptar.
Dy mesazhe të tilla u ndanë posaçërisht edhe të premten me rastin e programit special për Shkodrën Elektronike pas kthimit të tyre nga Zvicra.
Së pari nga Aurela Gaçe, pjesëmarrësja në Eurovizionin 2011 me këngën “Feel the Passion”.
“Shkodra Elektronike, ju kam dashur që në momentin e parë që ju kam parë në skenën e Festivalit. Ju kam mbështetur jo vetëm sepse duhet të mbështesim njëri-tjetrin, por edhe sepse ju desha shumë që në momentin e parë. Qoftë ky një rrugëtim i bukur që e filluat këtu dhe vazhdofshi lart e më lart. Eurovizioni mbaroi, por ju do të vazhdoni me plane të tjera. Jam e bindur për këtë. Më keni pëlqyer për diçka, se më sillnit energjinë e bukur të njerëzve që e duan skenën pa komplekse. Nuk ju njoh nga afër, por ju lexoj,” u shpreh këngëtarja.
Edhe Anjeza Shahini shprehu gëzimin e asaj për performancën e fundit të Shqipërisë në arenën europiane të muzikës. Vetë znj. Shahini i ka provuar e para emocionet e Eurovizionit në vitin 2004, kur u bë e para shqiptare që garonte në event me “The Image of You”, në dhjetëshen më të mirë të atij viti – e shtata.
“Përshëndetje Shkodra Elektronike dhe gjithë ekipit. Një minutë është pak për të folur për ju, duke qenë se ishin një surprizë e jashtëzakonshme si në Festivalin e Këngës, ashtu edhe në Eurovizion me një përfaqësim tepër dinjitoz me një lirshmëri dhe larmishmëri kreative, jo vetëm një këngë e bukur, por edhe një performancë e shkëlqyer. Personaliteti dhe sinqeriteti juaj artistik, i cili gjithashtu rizgjoi ndjenja shumë të bukura patriotike te çdo shqiptar, duke filluar nga qëndisja aq bukur e trashëgimisë sonë – e realizuar nga mamaja e Beas – në trupin e vajzës së saj. Më shumë se çdo pikë ju keni fituar mijëra zemra. Kënga ‘Zjerm’ është tashmë një nga ata gurët e çmuar që do të jetë përgjithmonë. Jam shumë e lumtur për ju dhe për muzikën shqiptare,” tha ajo.
Në Eurovizionin 2012 mori pjesë edhe këngëtarja nga Kosova, Rona Nishliu. Deri më sot ajo mbetet artistja me renditjen më të mirë se çdo përfaqësues tjetër shqiptar, e pesta e atij viti me këngën “Suus”.
“Shkodra Elektronike, faleminderit që na e keni shkrirë zemrën. Keni qenë vërtet fantastikë në Eurovizion. Ju përgëzoj përzemërsisht për rezultatin e arritur dhe e shijofshi këtë sukses, e suksese të tjera në vijim,” u shpreh znj. Nishliu.
Mesazheve iu bashkua edhe artisti shqiptar nga Zvicra, Gjon’s Tears [Gjon Muharremaj], i cili ishte gati të garonte në Eurovizionin 2020 para se ai të anulohej.
“Bravo për gjithë punën dhe qëllimin që keni arritur. Është krenari e madhe që morët pjesë në këtë Eurovizion. Ishit një mrekulli, kështu që bravo shumë për punën, për këngën që është jashtëzakonisht e bukur,” tha Gjoni.
/RTSH/
Lini një Përgjigje