Apostrof/ Shqipja dhe greqishtja: Çfarë i lidh dhe çfarë i ndan? Ardian Vehbiu shpjegon disa të vërteta gjuhësore

23 Maj 2025, 19:52Kulturë TEMA
Apostrof/ Shqipja dhe greqishtja: Çfarë i lidh dhe çfarë

Prej vitesh, në debatin publik hasen krahasime të shpeshta mes shqipes dhe greqishtes së vjetër. Disa i përdorin këto krahasime për të ngritur mite nacionaliste, të tjerë për të provuar “lashtësinë” e gjuhës shqipe, duke shkuar deri aty sa të pretendohet se shumë tekste të greqishtes së vjetër mund të zbërthehen përmes shqipes.

Por a qëndrojnë këto krahasime nga pikëpamja shkencore?

Në episodin e fundit të Apostrof Podcast, Ardian Vehbiu sjell një shpjegim të qartë:

"Shqipja dhe greqishtja e vjetër, si gjuhë i përkasin dy kohëve kaq të ndryshme… Greqishtja e vjetër është rreth 3.000 vjet që njihet e shkruar, ndërsa shqipja për fat të keq jo. Nuk është faji i grekëve për këtë gjë. Por, krahasimi vet është i vështirë të bëhet midis këtyre dy entiteteve që kanë kaq distancë kohore me njëra tjetrën.

Tjetra është që shqipja dhe greqishtja janë gjuhë indoeuropiane. Greqishtja ka shenja të kësaj, siç i ka edhe shqipja dhe këto bëjnë që në disa nivele, shqipja dhe greqishtja e vjetër të përkojnë. Ka disa fjalë, të cilat ngjajnë, por ngjajnë sepse janë gjuhë indoeuropiane. Bashkëpërkime iu thonë këtyre në gjuhësinë historike, në anglisht do t’i thoshin cognates. Janë fjalë që tregojnë se këto dy gjuhë janë motra, në kuptimin që i përkasin të njëjtës familje. Domethënë, ka diçka që i afron, po në lashtësi shumë të thellë."

Duke u futur edhe në aspekte më të imta gramatikore, Vehbiu vëren se shqipja dhe greqishtja ndajnë disa mënyra të formimit të vetvetores dhe pësorores që nuk hasen në gjuhë të tjera indoeuropiane—një detaj që sugjeron bashkë-evoluim në faza të hershme.

"Po të shikosh, edhe nga ana gramatikore, ka disa gjëra që të habisin. Përshembull, po të duash të futesh në hollësi: Mënyra si e formon shqipja pësoren dhe vetvetoren, është shumë e ngjashme me mënyrën si e formon greqishtja. Kurse shumë gjuhë të tjera nuk e kanë kështu po t’i shikosh. Domethënë, ka ca gjëra të përbashkëta, që ata që i kanë studiuar, mendojnë që shqipja dhe greqishtja i kanë ngaqë kanë inovuar bashkë."

Pra, ndoshta në vend që të kërkojmë prova për epërsi apo “autoktoni absolute”, ndoshta pyetja më e sinqertë që mund të bëjmë është: Çfarë na mësojnë këto ngjashmëri për përbashkësinë tonë më me gjuhë të tjera?

Në fund të fundit, gjuha nuk është një garë për të zbuluar se cila ka qenë e para, por një dëshmi e gjallë e historive që kemi ndarë. Dhe ndoshta, në vend që të kërkojmë të diferencojmë me çdo kusht, do të fitonim më shumë duke kuptuar se si kemi qenë gjithmonë të lidhur.

 

4 Komente

  1. T
    Teme

    Anti Shqiptar. Po ku e di ti qe Shqipja nuk eshte me shume se 3000 vjecare? Pse ben si linguist.

    Përgjigjjuni
    1. M
      Margarit Nilo

      https://www.facebook.com/share/p/1YJfJmVuCJ/

      Përgjigjjuni
      1. M
        Margarit

        https://www.facebook.com/share/p/1YJfJmVuCJ/

        Përgjigjjuni
        1. A
          Arbëror Epiroti

          Po me kltë llogjikë, ashtu di shumë të tjerë jo kopetent, do të arrini të na bëni dhe dy popuj etnikë! Vazhdoni se rrena i ka këmbët e shkurtëra.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje