“Ferma e Kafshëve” mblodhi dashamirët e artit për të ndjekur në skenë një përshtatje me alegorinë therëse të George Orwell, shkruar në 1945. Vepra mbetet një nga pjesët më të forta të anës të errët të historisë të shek. XX dhe nuk e ka humbur aktualitetin ndërsa aktorët e Teatrit Kombëtar e vunë në skenë në një sallë të mbushur plot.
Me regji të Driada Dervishit, pjesa vjen në interpretimin e disa prej aktorëve më në zë të vendit.
Spektatorët patën mundësi të shohin revolucionin në Fermën Menër. Kafshët ngrihen kundër njeriut pronar dhe marrin kontrollin e fermës. Por dikush duhet ta zërë vendin e drejtuesit të fermës, e të gjithë bien dakord se duhet ta marrin kafshët më të zgjuara të fermës: Derrat. Napoleoni është derri që bëhet udhëheqësi kryesor i fermës, fillimisht me tone entuziaste vëllazërie e barazie, ai i bind se është e afërt rruga drejt të ardhmes së lirë, ku do të punojnë të gjithë vetëm për vete, larg babëzisë së njeriut. Nuk kalon shumë dhe parimet e premtuara kthehen në vargonj që i lidhin kafshët edhe një herë.
Edhe pse “Ferma e Kafshëve” fillimisht simbolizoi Rusinë dhe Bashkimin Sovjetik nën drejtimin e Partisë Komuniste, tashmë ajo përfaqëson çdo shoqëri njerëzore, qoftë ajo kapitaliste, socialiste, fashiste, apo komuniste, dhe mbetet prej më shumë se shtatëdhjetë vitesh një satirë e idealizimit të barazisë që korruptohet nga pushteti. /atsh/
Lini një Përgjigje