Një prej tuneleve nëntokësorë të qytetit të Gjirokastrës është transformuar në një mini-muze unik, ku ekspozohen objekte të periudhës para viteve ’90. Ky ambient ka zgjuar interes të madh si nga vizitor vendas dhe turistët e huaj, të cilët tërhiqen nga vlera historike.
Objekte të përdorimit të përditshëm, aparate teknologjie të asaj kohe, dokumente dhe shumë artefakte të tjera janë vendosur me kujdes në këtë hapësirë autentike nëntokësore, duke sjellë në jetë atmosferën e dekadave të shkuara.
“Është interes i madh sepse janë drejt zhdukjes dhe duan ti shikojnë. Marrin shumë emocion kur futen brenda. Moshat e reja nuk i njohin, ndryshe nga ato më të mëdha. Kemi sunduqe otomane, orë artizanale që është e montuar nga hebrenjtë. Është furka 300-vjeçare që un e kam të trashëguar”, tha koleksionistja Manushaqe Zhuli.
Ky mini-muze është kthyer në një pikë referimi për vizitorët që duan të përjetojnë nga afër historinë dhe mënyrën e jetesës së shqiptarëve para ndryshimeve demokratike, duke ofruar një pasuri të rralla me objekte të asaj kohe.
- RTSH -
Lini një Përgjigje