Kanë qenë perëndimet...

16 Shtator 2024, 14:14Kulturë Adri Kalaja

 

Kanë qenë perëndimet...

Çfarë e ndryshon njeriun, çfarë mbetet njerëzore te njeriu pasi ai përballet me botën dhe humbet? Këtë pyetje është rrekur të shqyrtojë dhe të përballë humanizmi në shekuj. Këtë pyetje e bëjmë vetë teksa rritemi dhe më kot përpiqemi të humbim fëmijërinë.

Para ca kohësh mora lajmin e mirë që Viktor Canosinaj kishte botuar librin e ri. Ai quhej “Pandashmërisht Meriyll” dhe na vjen si një sequel për romanin aq të famshëm për adoleshentë “Meriyll” botuar në kohët kur ne akoma ëndërronim, në kohët kur ne ishim akoma të pafajshëm.

Por të dalësh nga rreshtat, nga bota e librave është një thyerje e pasqyrës, është një krisje e botës, fillon e kupton (ashtu si dajallarët ta kanë thënë shpesh) që bota nuk është ashtu si shpreson ti të ishte. Idealiste.

Ky libër ishte për mua një lajm i mirë pasi më ktheu gjimnazin, më ktheu në mënyrë prustiane një pjesë të kohës që kisha humbur, më bëri të lexoj sërish me gazmend dhe me pafajësi, më bëri të uritur për shkronjat, për të ditur si përfundon libri.

Jam i sigurt që librin do ta lexoj sërish dhe sërish, ashtu si kam bërë me pothuajse të gjithë librat e Canosinaj, nga monstrat e deri te ishulli lundrues, nga “Nesër do të jetë ndryshe” e deri te “Në rrugë”. Nuk po mundohem asnjë mënyrë të bëj një bisedë letrare por po mundohem të hedh në letër disa rrëfime që shpresoj se për të mirën time dhe të lexuesit do jenë të sinqerta.

Në fakt libri duket se është më i pjekur, më i arrirë artistikisht dhe personazhet më të zhvilluar. Autori është kujdesur që me ndryshimin e kohëve të ruhet dhe ndjenja e nostalgjisë, ashtu si Kadare shpikte për kënaqësinë tonë fjalë të reja ashtu dhe Canosinaj është lojcak me gjuhën.

Nuk i rri koka në vend pa bërë humor dhe pa u treguar cinik. Dhe këto tipare të personalitetit të tij ai i fsheh pas personazheve.

Mendon se ato janë fëmijët e tij.

Dhe mund të ishin. Sidi dhe Meri kanë qenë dashuria jonë e gjimnazit, kanë qenë ne. Kanë qenë ajo vajza e bukur në ditën e parë të shkollës së cilës mezi prisnim ti mësonim emrin kur po bëhej apeli. Kanë qenë shëtitjet pa leje në oborr, kanë qenë dëgjimi i muzikës me kufje në orë të mësimit kur zyshi mashkull i biologjisë shpjegonte (lum vajzat me flokët e tyre të gjata!). Kanë qenë kredhjet në det, xhelozia e asaj (të gjithë e kanë një ajo) kur fërkoheshe për tu ngrohur me ndonjë tjetër. Kanë qenë ftesat për vallëzime, kanë qenë mungesat pa arsye, sytë e lodhur nga leximi, kanë qenë mbrëmjet kur ajo bëhej veçanërisht e bukur për një ai. Kanë qenë dhe zysha kujdestare që i paralajmëronte vajzat të bënin kujdes dhe të mos shkatërronin jetën e tyre. Kujdes nga bebet!

Kanë qenë ankthi i provimeve dhe kujdesi ndaj spiunëve te zyshi. Kanë qenë bukët me sallam dhe lojët e bilardos. Kanë qenë ekskursionet.

Kanë qenë dhe xhinset e ngushta dhe uniforma që Sidit basketbollist do ti binte e shkurtër.

Kanë qenë perëndimet.

Sidi shkon me studime jashtë, Meri, gati viktimë trafikimi, rri në shtëpi. Lidhja e tyre testohet, duhet testuar, nga Evropa, Europa, quajeni si të doni, nga dashuria e lirë, nga festat dhe birra, nga bari dhe kontraceptivët, nga përtacia, nga larja e enëve, nga përgjegjësia, nga pleqtë e rrjedhur italianë, nga gocat me pirsing në kërthizë, nga djemtë e ojf-ve shqiptarë, nga familjet dhe telenovelat e tyre pafund.

“Më duket sikur kam ardhur në këtë botë për të dashur djalin tuaj”- i thotë Meriyll në një moment mamasë së Sidit.

Dashuria i reziston dhe fiton ndaj gjithçkaje thonë të moçmit. Gjyshja e Merit lexon filxhanin. Sidi dhe Meri ndahen nga deti. Por dëgjon zemra zemrën. Sidi tradhton. A është e drejtë. Tradhton nga frika. Tradhton nga frika se do të ishte katundar po të mos e bënte. Se do të tallej sikur të mos “fit in”. Sidin e quajnë vazhdimisht “shqiptar” me një mënyrë denigruese, ai bën sikur nuk e vë re.

Shqiptarët janë popull i prerë për së mbari por që marrin me qafë veten, thotë Canosinaj në një moment duke përdorur një personazh.

Sidi e do Merin por është dhe ambicioz. Sidi e do Italinë por do dhe paranë. Paraja është një kurth nga i cili nuk shpëton dot, as të rriturit nuk e bëjnë. Më të vegjlit e kuptojnë këtë gjë dhe bëjnë shaka. Motra e Merit, Nora, është shumëfish burim shakash, ajo do me e imitu Merin në çdo gjë. Si shpesh nepër librat e Canosinaj të vegjlit janë cinikë dhe zëri i arsyes.

Alenka që hyn në mes Merit dhe Sidit është personazhi më negativ. Disa mund ta quajnë europiane. Disa që e kanë lexuar librin do thoshin katundare Europe.

Dhe ky është një libër që duhet lexuar.

Pandashmërisht Meriyll! Kudos to Canosinaj!

5 Komente

  1. O
    Otto

    Besoj se po talleni me kete postim! Libra qe i kemi lexuar qe ne 1995. Na i shisnin neper shkolla me dhune te ketij delirantit Canosinaj qe prodhonte nga nje liber cdo 2 muaj

    Përgjigjjuni
    1. ?
      ????

      Jetojme ne Shqiperi fatkeqsisht,ku librin thojne se t'a shesin me dhune.

      Përgjigjjuni
      1. H
        Hieronymus Posh

        otto dukesh që ke pasur fëmijëri abuzive, mos duhet të thërresim ato të shërbimeve sociale?

        Përgjigjjuni
      2. .
        ....

        Hajde analizë, hajde!

        Përgjigjjuni
        1. G
          Gogo

          Analize leshi pra, qe flet ne vete te pare por s'ka autor

          Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje