Kujtimi

16 Gusht 2025, 20:34Kulturë TEMA
Kujtimi

Para disa ditësh, në një muhabet online për plazhin e Durrësit (Shkozetin) në vitet 1960-1980, m’u pat kujtuar se atje sikur “zbutej” lufta e klasave, në kuptimin që strukturat represive të dukshme e të padukshme, që disiplinonin jetën në Tiranë, atje sikur e humbnin forcën dhe rëndësinë. Edhe një familje e deklasuar, ta zëmë e një ish-tregtari të kohës së Zogut që tani mezi jetonte në një dhomë të vetme në vilën e vet të dikurshme në kryeqytet, mund të siguronte një dhomë – këtë herë jo mizerabël – në hotel “Butrinti” për dy javë dhe të shijonte atë pak luks që të jepte hoteli – së bashku me pushues të cilët, në Tiranë, i përkisnin një shtrese krejt tjetër. Me sa kuptoj e mbaj mend, nuk kishte ndonjë kriter klasor për shpërndarjen e dhomave në “Butrinti”, ndryshe nga dhomat e vilave dhe kabinave në pjesën tjetër të plazhit, që jepeshin me autorizim nga qendrat e punës dhe institucione të tjera.

Sot m’u kujtua edhe, si për të ma konfirmuar këtë përshtypje, që kur rrinim në “Butrinti”, mbase në vitin 1981 ose 1982, tashmë jo me familjen por me shoqërinë, çfarë donte të thoshte – si rregull – të paktën gjashtë djem të rrasur ilegalisht në një dhomë dyshe, pat ardhur një vit atje edhe Kujtim Spahivogli - daja i shokut tim, Artan Minarollit; për të kaluar ca ditë me ne. Kish me vete edhe të bijën, në atë kohë ende të mitur; dhe si gjithmonë ishte i rrethuar me miq e admirues, që nuk pyesnin për statusin e tij prej “të rrëzuari”. Në fakt, Kujtim Spahivogli, regjisor nga më të mirët i Teatrit Popullor në Tiranë dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, që prej vitit 1973 a 1974 ishte tani gjysmë i internuar, dhe i dënuar të punonte punë të rëndomta, jashtë Tiranës.

Sidoqë ishte edhe vetiu pak i zeshkët, si Tani, nga ata që nuk digjen kollaj, në diell, mbaj mend që Kujtimi më dukej gjithnjë shumë i nxirë; por ngjyra më fort i vinte nga puna përjashta, në fushë, në ndërtim, dhe me siguri nuk vinte të rrinte në rërë për të marrë rreze. Sillte vajzën në plazh, por edhe e shijonte, besoj unë, zhytjen në “normalitet”, në një botë nga ku kishin dashur të nxirrnin forcërisht. Vinte për t’u humbur mes njerëzve, siç humbet ndonjëherë njeriu në mes të kallaballëkut, në një qytet të madh, dhe ndihet mirë në anonimitet, madje jo vetëm mirë por edhe më i mbrojtur. Edhe pse atje, nën çadër me ne, nuk ishte as në shoqërinë e vet dhe as me miq të moshës së vet, nuk bëhej asnjëherë banal, as imponohej me autoritetin që kishte; parapëlqente pauzat e gjata dhe heshtjen, si t’i jepte vetes kohën e mjaftueshme, për të thithur ajrin çuditërisht të lirë të plazhit.

E kisha takuar edhe më herët, në shtëpinë e Tanit; më ishte dukur aq i veçantë, ndoshta për shkak të kontrastit mes statusit të tij prej punëtori dhe reputacionit si një nga artistët më të shquar në Tiranë; nuk fliste shumë, por vija re se të tjerët i silleshin me reverencë të madhe, gati sikur ndiheshin fajtorë për vuajtjet e tij. Kisha parë, gjithnjë tek Tani, librat e regjisurës teatrale, që i kish sjellë nga Bashkimi Sovjetik; ishin në rusishte, një gjuhë që nuk e kuptoja, por më bënin përshtypje ilustrimet e shumta – të skenave, të personazheve, të kostumeve, të gjitha me një art e sqimë prezantimi që në tekstet tona nuk e kisha parë ndonjëherë.

Nipi i tij, Tani, ende në gjimnaz si unë, dëshironte të vazhdonte studimet për teatër; dhe Kujtimi e ndihmonte drejtpërdrejt me këshilla, por edhe me “literaturë” – dhe vazhdoi ta ndihmonte edhe më pas, kur Tani e fitoi konkursin. Mua më dukej çudi, që teatri mund të studiohej edhe ashtu, me vizatime; duke i sendërgjuar skenat si të ishin imazhe në kanavacën e një piktori; dhe më rritej edhe mua admirimi për Kujtimin, që nuk e ushtronte dot profesionin e vet aq të dashur, por ish detyruar të rropatej kanaleve dhe kallamishteve. Isha ndërkohë i vetëdijshëm që mund ta kish pësuar edhe më keq – si kolegu i tij Ibrahim Uruçi, që banonte edhe ai tek i njëjti pallat me Tanin, dhe që e patën internuar në Tepelenë (pikëllimi i vajzës së tij, Mirës, që zgjati me muaj e vite, kthehet të më turbullojë sa herë që kaloj poshtë te rruga); ose ndonjë tjetër artist, si Mihal Luarasi, që kish përfunduar në burg.

Për shkak të një refleksi, më të cilin na kishin kushtëzuar si qentë e Pavllovit, më dukej pak e rrezikshme ardhja e Kujtimit në plazh te “Butrinti”; jo për mua, dhe as për “dorën tonë”, por për Kujtimin vetë. Por ai mbante profil të ulët, kujdesej për të bijën, bënte muhabet nën çadër dhe të linte përshtypjen e dikujt që nuk e çante fort kokën për regjimin dhe hijen e rëndë të dhunës. Do të ketë qenë edhe efekti qetësues i plazhit, zbutja e luftës së klasave; ose mundësia reale që buzë detit të ishte përftuar një zonë “neutrale”, ku të mos vepronin ligjet e materializmit dialektik dhe historik dhe ku njerëzit të harronin, për një moment, se (edhe atje) po ndërtohej socializmi.

Dëbimi i Kujtim Spahivoglit nga teatri ishte një nga ato akte që, po t’i mbledhësh së bashku, i dhanë dërrmën potencialit kulturor të Tiranës, atij potenciali që mezi ishte siguruar, me punën e të gjithë atyre që e patën mësuar teatrin në kryeqendrat e artit skenik – në Moskë, në Leningrad, në Pragë, në Budapest. Mundohem ta përfytyroj çfarë pune të fisme pat bërë Kujtimi sa pa e larguar dhunshëm nga mjedisi i vet i natyrshëm; dhe çfarë know-how do të shkonte pastaj dëm, për atë, për skenën, për kolegët dhe për studentët e tij. Teatri në Tiranë dhe gjetiu njëfarësoj mbijetoi, por me një pjesë të kodit gjenetik të fshirë e të gjymtuar; për të përfunduar në një kopje të keqe të vetes. Vendin e vizatimeve të Stanislavskit e të Meyerhold-it, në librat dhe në imagjinatën e Kujtimit, do ta zinin shënimet kritike, me laps të shkurtër, në blloqet e anëtarëve të grupeve të kontrollit punëtor (e fshatar).

E mbaj mend edhe kur vdiq Kujtimi – në vitin 1987. Vajtëm për të ngushëlluar, dhe atje ndeshëm në një figurë tjetër larger than life, aktorin dhe regjisorin Ferdinand Radi – vëllanë e këngëtarit të përndjekur Françesk Radi, dhe që unë deri atëherë e kisha njohur si “Soda Kaustike”, për shkak të një personazhi që pat interpretuar në filmin “Përse bie kjo daulle”. Kish qenë mik i ngushtë i të ndjerit. Aq kohë sa ndenja, në dhomën e zisë, m’u krijua kjo përshtypje se njerëzit atje, të gjithë miq të Kujtimit, e kishin ruajtur në vite një njerëzillëk të nevojshëm, një decency, të cilën regjimi shtetasve të vet mundohej gjithnjë që t’ua hiqte; aq sa edhe njerëzillëku vetë, i shprehur në format më elementare, të shndërrohej tani në një formë të rezistencës ndaj pushtetit. Ferdinand Radi, me sy të përlotur, kish zgjedhur ta kujtonte mikun e vet duke treguar barcaleta njërën pas tjetrës, pa pushim, si i energjizuar nga ankthi se mos edhe ndërprerja më e vogël, heshtja më e shkurtër, do ta na zinte pastaj frymën të gjithëve.

Vite më pas, e kam takuar shpesh Tanin në Tiranë dhe më ka qëlluar të bashkëpunojmë për ndonjë projekt të tijin – përfshi edhe filmin e fundit, “Delegacioni”, të cilit ia kish shkruar e rishkruar skenarin dhe po gatitej ta vinte në skenë, sikur të mos kish vdekur edhe ai aq papritur; dhe në këto takime, ku binte shpesh fjala për skenën, aktorin dhe narracionin skenik, ai gjithnjë do ta sillte në vëmendje Kujtimin – gati sikur të çelte një kanal me të përtejmen, për ta thërritur në muhabet; Kujtimi bëhej ashtu i pranishëm dhe autoritet edhe për mua, një lloj perëndie gjysmë-private e artit të teatrit dhe të kinemasë, pa të cilin asnjë nga filmat e Tanit nuk do të vinte dot në jetë.

Ne si kulturë tradicionalisht mezi i kemi krijuar njerëzit e mençur, ata që do të na ndriçonin pastaj rrugën dhe mendjen, me fjalët dhe veprat e tyre; por edhe ata që kemi krijuar, nuk kemi ditur t’i ruajmë e t’i trajtojmë mirë, por i kemi shkatërruar, pa fituar asgjë askush nga kjo lloj marrëzie. Në Shqipëri njerëzit me bagazhin intelektual, talentin dhe pasionin e Kujtimit numëroheshin në gishtat e një dore; por regjimi mu kundër këtyre e drejtonte fshesën e hekurt të spastrimeve. Bagazhi intelektual fitohet edhe sot, dhe shkollat më të mira anembanë botës mbeten të hapura për talentin nga Shqipëria; por pasionin mbase nuk e rikuperojmë dot më. Dhe kjo zbrazëtirë pasioni publik do të jetë, besoj, gjymtimi më i madh e i pashlyeshëm, që i bëri dhuna totalitare njeriut në Shqipëri.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Google Whisk. Botohet me leje te TemA.

Një bisedë e Elida Buçpapajt me motrën e Artan Minarollit dhe mbesën e Kujtim Spahivoglit, Luli Minarollin (Kujtim Spahivogli, jeta tragjike e gjigandit të madh të skenës shqiptare shembur nga diktatura…), më ndihmoi të rijetoj disa nga momentet që kam përshkruar në shkrimin më lart.

Lini një Përgjigje