Kur dhimbja premton dashuri: të jetosh me një fëmijë autik

25 Maj 2025, 12:00Kulturë Adri Kalaja

Kur dhimbja premton dashuri: të jetosh me një fëmijë autik

Nëse ka në Shqipërinë e viteve të tranzicionit një autor që të prek vërtet me çfarë shkruan dhe me mënyrën se si shkruan ai është Edmond Tupja.

Profesorin e njohin shumë mirë si mjeshtër të gjuhës frënge, si përkthyes të paparë, si njeri të librit e të letrave, si person të kulturës por edhe si shakator.

Ai njihet për librat e tij kryevepra si "Mos ik o ma" dhe "Kur dhimbja premton dashuri", dy libra të shkruar me shumë ndjenjë nga autori, por dhe me shumë shkencë.

Teknika që përdor Tupe është situacionizmi, pra një shartim fenomenologjik mes realitetit dhe fiksionit, ai thotë çdo gjë për veten nepërmjet të tjerëve, që janë dy personazhe, mamaja dhe biri.
Për këtë të dytin do të flas shkurtimisht.

Profesor Tupen e kam njohur herën e parë dhe të vetme në protestën famëmadhe të studentëve në dhjetorin tashmë të largët të 2018.

Profesor Tupja po fliste dhe bënte shaka me dy goca (!) dhe megjithatë gjeti kohë të bënte një foto me mua fukarain.

Libri "Kur dhimbja premton dashuri" botuar nga Ombra GVG rrëfen peripecitë e njeriut Tupe me autizmin e të birit, po mjeshtëria e tij qëndron në ta bërit Gesin njërin nga ne, një njeri normal.
Kjo është shumë e rëndësishme sepse Gesi anormal në jetë, bëhet normal në letërsi, jo sepse letërsia është terreni i anormales, por sepse letërsia është terreni i njohjes më intime të jetës, dhe kur dikë e njeh mirë, ashtu si Tupja përshkruan zhvillimin e ngadaltë të Gesit, ai bëhet familjar dhe me kalimin e kohës normal, pra, Tupja, jo se e bën Gesin me magji normal, nuk e shndërron në një bukurosh biond arian sykaltër me kaçurrela të verdha, ai, nepërmjet fjalës, bën që bota ta pranojë Gesin. I jep njerëzimit lente të reja për të parë çrregullimin e autizmit, dhe në një vend të prapambetur levantin e anadollak si Shqipëria e shekullit 21 (!) ndihma e tij është e paçmuar. Bota e adopton Gesin.

Edmond Tupja është një mjeshtër i psikanalizës, a nuk janë të gjithë Frëngjit? Duke qenë mjeshtër i psikanalizës, ai arrin ta ndërkallë atë në shkrim për t'i thënë botës se Gesi është njëlloj pervers si të gjithë ne. Gesi është akoma njerëzor, Gesi ka dëshira, Gesi është i paqtë e i dhunshëm, Gesi fluturon gjëra nga dritarja. A nuk e bëjnë të njëjtën gjë gratë xheloze kur ndahen nga burrat tradhtarë?

Nuk e vë në dyshim që profesor Tupja ka vuajtur, por të shkruarit për traumën e vet, i ka vënë një dreckë plagës, dhe kur produkti i punës së tij libër është pranuar nga publiku, plaga me siguri është shëruar.

Brenga e Profesor Tupes më së paku na mëson të gjithëve që të mos gjykojmë pa ditur, pa lexuar.

Lini një Përgjigje