Një post i pafajshëm në Facebook, që i prezantonte lexuesit lagjen Arnavutköy (“fshati shqiptar”) të Stambollit, befas ndezi debat në komentet – duke shpjeguar prejardhjen e këtij emri, autorja përmendte Sulltan Mehmetin II, që kish sjellë aty – në 1468 – ndërtues rrugësh shqiptarë; në tekst thuhej se kjo kish ndodhur “pas çlirimit të Stambollit” nga osmanët, në 1453. Dhe ishte kjo fjalë, çlirimit, që ua ndezi gjakrat bajlozëve të tastierës – të cilët u hodhën menjëherë ta korrigjojnë statusin, me argumentin se ajo që kish ndodhur në 1453 nuk ishte çlirimi por përkundrazi, pushtimi i Konstandinopojës nga ushtritë osmane.
Me gjasë, ajo fjalë e kontestuar – çlirimi – kish hyrë atje nga ndonjë përkthim prej turqishtes a ndonjë gjuhe tjetër, të një kulture që e sheh përplasjen e Perandorisë Osmane me Bizantin si mishërim të përplasjes mes Krishterimit dhe Islamit në Mesjetë. Përndryshe, historiografia shqiptare, njëlloj si ajo europiane, e ka konsideruar rënien e Konstandinopojës si “pushtim”. Por kjo fjalë shqipe, pushtim, mund të përdoret për të përkthyer a shqipëruar fjalë jo të njëjta në gjuhët burimore, me kuptime që lëvizin nga “marrja a kapja me forcë e një qyteti a territori”, te “zaptimi”, “invazioni”, “okupimi”, “aneksimi” e kështu me radhë; ka autorë që seriozisht flasin për “500 vjet pushtim osman”, duke ngatërruar hareshëm pushtimin me sundimin. Edhe titullin që iu dha sulltanit Mehmeti II, Fâtih Sultan Mehmed, përkthyer në anglisht si Mehmed the Conquerer, frëngjisht Mehmed le Conquérant, italisht Maometto II il Conquistatore, e kanë sjellë ndonjëherë në shqip si Mehmet Pushtuesi (një titull nga gazeta “Pamfleti”: Çfarë i kërkoi Mehmet Pushtuesi Skënderbeut?”; dhe nga “Bota Sot”: “Sulltan Mehmet pushtuesi dhe Skënderbe çliruesi”); ndonëse përkthim më i saktë do të ishte Mehmet Ngadhënjyesi, siç e ka edhe Wikipedia shqip. Me gjasë, për osmanët, marrja e Konstandinopojës ishte më shumë ngadhënjim a fitore, se pushtim; këtë e sugjerojnë edhe epitetet europiane conquerer, conquistatore, conquérant.
Kur e njëjta ngjarje historike vazhdon të rrëfehet me fjalë të ndryshme, kjo provon ndërhyrjen e ideologjisë – të pashmangshme – në historishkrim. Edhe disa dekada pas rrëzimit të shtetit totalitar, ne vazhdojmë të flasim për “çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë”, duke rimarrë formula të historiografisë komuniste; të gjithë emrat tek ai emërtim janë problematizuar nga palët në debate, ndoshta me përjashtim të Shqipërisë – edhe çlirimi, edhe pushtuesit edhe nazi-fashistë; tani disa e quajnë 29 nëntorin 1944, haptazi, si datën e “pushtimit sllavo-komunist” të Shqipërisë. Edhe këtu, kundërvënia ideologjike përthyhet në zgjedhjen e fjalëve të ndryshme, me kuptime të kundërta. Më shumë gjasë ka që terma të tillë si “pushtimi” dhe “çlirimi” të shënjojnë thjesht kalimin e pushtetit nga një palë duar te një palë tjetër; përndryshe, do të pranojmë se në atë datë vërtet u larguan (për disa, “u dëbuan”) nga Shqipëria trupat e okupatorit gjerman, por edhe filloi shndërrimi, i shtetit të ri, në diktaturë dhe në burg në fillim për klasat e përmbysura, pastaj për të gjithë të tjerët. Nga tigani në zjarr.
Ndonjëherë zgjedhja e emrit shërben si motivues për veprim; është më e lehtë ta vrasësh tjetrin, nëse e ke quajtur më parë “tradhtar, të shitur, kolaboracionist”; për konfliktin e tanishëm, mes Indisë dhe Pakistanit, lexova një lajm ku autoritetet indiane lajmëronin se kishin goditur, me aviacion, “terroristët” – duke qenë këta të fundit formacione ushtarake të palës tjetër. Në një luftë ti je i lejuar të synosh likuidimin fizik të kundërshtarit, por emërtimi “terroristë” funksionon më mirë për opinionin publik (“të vritet si qen”); këtë nuk e shpikën indianët, natyrisht – është bërë zakon tashmë që, në çdo përplasje të armatosur, kundërshtari të damkoset më parë si “terrorist”; çfarë e zhvlerëson edhe kuptimin fillestar, dhe të dobishëm, të kësaj fjale.
E njëjta përfytje leksikore shoqëron edhe konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës – atje ku Kievi flet për pushtim të territoreve të veta, Moska flet për çlirim të popullsive rusisht-folëse; për të dyja palët, të njëjtat operacione janë ushtarake për njërën, terroriste për tjetrën; deri edhe shndërrimi i emrit të kryeqytetit ukrainas nga Kiev në Kyiv, ose i qytetit Harkov në Harkiv përfaqëson një lloj distancimi brutal, nga e shkuara sovjetike (dhe rusomadhe). Gjuha me të cilën përcillen ngjarjet e konfliktit merr edhe ajo pjesë në konflikt, duke fituar virtyte gati magjike; nga fjalët e përdorura në një lajm, e kuptojmë pa shumë mundim se cila palë po flet, sepse zgjedhja e termit të saktë nuk është më e pafajshme, por parakupton dhe konfirmon angazhim politik. Me fjalë të tjera, ligjërimi nuk komunikon dhe aq çfarë po ndodh, se ç’komunikon cila palë po flet, dhe cilat janë qëndrimet e saj. Ka sa të duash Facebook edhe jashtë Facebook-ut.
Kjo luftë fjalësh shfaqet e rishfaqet edhe në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë – ku çdo ngjarje historike e kohëve të fundit do të rrëfehet me terminologji të ndryshme, politikisht e ideologjikisht të ngarkuar; ku viktimat, heronjtë, terroristët dhe të burgosurit politikë ndërrojnë vendet mes tyre, në një lojë sfilitëse karrigesh. Kjo ia vështirëson punën edhe përkthyesit, i cili – gjatë kalimit nga një gjuhë dhe një sistem vlerash leksikore në tjetrin – duhet të bëjë kujdes të mos ngatërrojë kuptimet: edhe në kontekste të tilla të ndezura, një fjalë si çlirim ka në shqip referencë tjetër nga përgjegjësja e saj serbishte oslobođenje; dhe nga kjo pikëpamje, të gjithë këta terma duhen përdorur “në thonjëza”, si për të treguar se janë duke u cituar nga ligjërimi i tjetrit.
Është karakteristikë e ligjërimit të ideologjizuar, që ta marrë një fjalë, sidomos kur është fjalë kyç, dhe ta mbingarkojë me kuptime dëmtuese për kundërshtarin e momentit. Gjatë debateve politike që kanë shoqëruar fushatën zgjedhore të këtyre javëve, terma si bufi, këneta, Ndoc Rroku, Amerika dhe non-grata – sa për të sjellë ndonjë shembull – janë specializuar në krijimin e zhargoneve mësymëse dhe solidariteteve përkatëse; aq sa publikut mund t’i duket sikur ky konflikt “leksikor” të jetë vendosur në qendër të përplasjeve mes palëve. Për shkak të përdorimit të shfrenuar në fushën e betejës, edhe vetë ligjërimi politik ka ardhur duke e humbur kuptimin; shumë njerëz nuk e dinë më se çfarë do të thotë tamam cilësimi “non-grata”, por ama dinë se kjo (nuk) është gjë e mirë, dhe se ka lidhje me Berishën.
Përndryshe, ideja se në botë mund të bëhen ndryshime, duke ndërhyrë në gjuhë dhe në nomenklaturë, qarkullon prej kohësh dhe jo vetëm në laboratorët e propagandës. Kujtoj energjinë e shpërdoruar gjatë konfliktit për emrin e shtetit fqinjë, që tani është stabilizuar si Maqedonia e Veriut; dhe toksiciteti që shoqëron, në shqipe, toponime si Vorio-Epiri ose Metohia. Deri edhe Trump-i po rreket t’ia ndryshojë emrin Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës. Nuk ka gjë të re, në këtë mes; disa prej nesh ende e mbajnë mend konfliktin mes Falkland Islands dhe Islas Malvinas, si pasqyrim të përplasjes së armatosur mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe, për kontroll ndaj atyre ishujve. Të tjerë, më të vjetër a më të lexuar, do të kujtojnë që Kaliningradi i sotëm quhej dikur Königsberg (kur shëtiste atje Kanti); ndërsa Gdansk-u i Polonisë së sotme Danzig.
Dilema për të gjithë ne qytetarët, në këtë mes, është se si do të angazhohemi në ligjërim, pa u shndërruar, mekanikisht, në argatë të latifondistëve politikë; për ta thënë me një shembull mes shumëve, a është e mundur që dikush të sjellë sot në bisedë vaksinat ose Sorosin, pa sinjalizuar – edhe kundër dëshirës së vet – se cilës pale i përket. Konfliktet politike, nga vetë natyra e tyre, por edhe ngaqë zhvillohen në mass mediat, janë të tilla që mëtojnë t’i përfshijnë të gjithë, duke i detyruar që të mbajnë anë, të rreshtohen, të shqiptohen; dhe ky është një lloj rekrutimi, ose detyrimi i qytetarëve, që të bëjnë punë angari dhe të shndërrohen në propagandistë thjesht duke zgjedhur këtë fjalë, ndaj një fjale tjetër. Ashtu gjuha, në vend që ta flasim ne, fillon të na flasë ajo; dhe kjo është një gjuhë e keqe, varfëruese dhe çnjerëzuese, që i kthen përdoruesit në buratinë, duke ua skllavëruar mendjet.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Prandaj dhe Sali Berisha e quajti UÇK një organizatë terroriste. Për ta zhvlerësuar dhe për ta quajtur më vonë, dmth sot, Hashim Thaqin, kriminel. Është i madh baca. Parashikon çdo gjë.