"Miss Shqipëria 2025", përmbyllet faza e dytë e turit

12 Qershor 2025, 11:28Kulturë TEMA
"Miss Shqipëria 2025", përmbyllet faza e dytë e turit

“Miss Shqipëria 2025”, eventi më jetëgjatë i bukurisë shqiptare, ka përmbyllur me sukses edhe etapën e dytë të turit turistik të edicionit të 27-të. Kjo fazë u zhvillua në zonat malore të Ersekës, Leskovikut dhe lugina e Vjosës në Përmet e Këlcyrë, gjithmonë me qëllimin e përhershëm të këtij kompeticioni: Ndërthurjen e bukurisë njerëzore me atë natyrore, transmeton RTSH.

Kjo fazë e dytë ishte e përqendruar në filmimet për etyudin “LUM”, pjesë e videoklipeve klasike që do të shoqërojnë natën finale të datës 18 qershor në Tiranë, kur do të kurorëzohet Mbretëresha e Bukurisë Shqiptare për vitin 2025.

Vajzat përjetuan një eksperiencë mbresëlënëse në zonën e Përmetit, duke provuar sportin e rafting mbi Vjosë, të udhëhequr nga ekipi “Vjosa Explorer”. Më pas, u realizuan xhirimet në disa prej pikave më tërheqëse turistike të Përmetit dhe Këlcyrës, ku konkurrentet u pritën edhe nga kryetari i bashkisë, z. Klement.

“Gocat e bukura të Miss Shqipërisë i dhanë vendit ngjyra të tjera, akoma më të freskëta në këto ditë të nxehta”, tha z.Klement Ndoni.

Më pas, një drekë tradicionale me gatime tipike të zonës dhe tingujt magjepsës të sazeve të Këlcyrës shoqëruan vajzat deri në përmbyllje të këtij turi.

“Është hera e dytë që ne kemi kaq shumë bukuri në të njëjtin vend, natyrën tonë të bukur dhe vajzat tona të mbrekullueshme nga e gjithë Shqipëria”, tha administratorja e agroturizmit në Sotirë, Ersekë.

Turi i Miss Shqipëria 2025 ka vijuar që prej ditës së djeshme në jug të vendit, duke filluar me Sarandën dhe më tej në qytete të tjera jugore.

Lini një Përgjigje