Muzika mes sfidave dhe potencialit - Aktivitetet, një mundësi e mirë për promovimin e elementit të ri

8 Gusht 2025, 11:41Kulturë TEMA
Muzika mes sfidave dhe potencialit - Aktivitetet, një mundësi e

Shkodra vazhdon të ruajë një pozicion të spikatur në hartën muzikore të vendit, jo vetëm për trashëgiminë e saj të pasur kulturore, por edhe për kapacitetet njerëzore që përfaqëson. Kjo është një pasuri që buron nga një traditë e hershme, e cila vijon të ushqehet sot e kësaj dite.

“Ne patëm një përqafim mjaft të mirë dhe krijuam një identitet kulturor të asaj që ne e quajmë muzika shkodrane. Pati një ndërthurje lindje-perëndim që ne ditëm t’i trajtojmë dhe krijuam identitetin tonë”, tha Ergys Pirani, pedagog në Departamentin e Arteve, UNISHK.

Megjithatë, përballë këtij zhvillimi nuk kanë munguar edhe sfidat. Një ndër to, lidhet me sektorin e instrumenteve të frymës.

“Kanë vite që e shohin zhvillimin muzikor-kulturor si një aspekt tradicional, klasik dhe nuk shohin hapësira dhe ka rënë interesi për këta vegla”, tha ai.

Sipas pedagogut, festivale dhe evenimente të ndryshme muzikore që organizohen në qytet, shërbejnë si platforma të rëndësishme për të evidentuar dhe promovuar këto kapacitete.

“Historia tregon që produkti kultivohet, stimulohet dhe zhvillohet në vend. Ne njohim artistë ndërkombëtarë që i kemi ftuar nëpër aktivitete, por ama janë kultivuar në qytetin tonë. Do një mbështetje të jashtëzakonshme për të kultivuar muzikën këtu, për të njohur forcat e potencialit që kemi”, nënvizoi ai.

Në këtë kontekst, mbështetja institucionale dhe investimet e qëndrueshme në fushën e muzikës janë të domosdoshme për të zhvilluar më tej një traditë që qyteti e gëzon prej dekadash, shkruan rtsh.

Lini një Përgjigje