Eksodi i 8 Gushtit, 34 vjet nga ngjarja që tronditi Adriatikun!

8 Gusht 2025, 09:11Kulturë TEMA
Eksodi i 8 Gushtit, 34 vjet nga ngjarja që tronditi Adriatikun!

Sot shënohen 34 vjet nga eksodi i madh shqiptar me anijen tregtare “Vlora”, e cila më 8 gusht 1991 mbërriti në brigjet e Barit, Itali, me mbi 20 mijë njerëz në bord. Ishte një nga kapitujt më të dhimbshëm dhe simbolikë të historisë sonë moderne.

Anija, e kthyer nga Kuba me një ngarkesë sheqeri, u pushtua nga shqiptarë të dëshpëruar për t’i shpëtuar varfërisë dhe izolimit. Fillimisht u drejtua drejt Brindizit, por u detyrua të shkonte në Bari. Aty, autoritetet italiane, të papërgatitura për një fluks kaq të madh, i vendosën emigrantët në stadiumin “Della Vittoria”. Kushtet ishin të vështira: mungesë ushqimi, etje, tension dhe pasiguri për të ardhmen.

Brenda dy javësh, rreth 17,400 shqiptarë u riatdhesuan, ndërsa vetëm 1,500 arritën të aplikonin për azil. Megjithatë, Bari dhe qytetarët e tij treguan edhe anën njerëzore të historisë. Kryebashkiaku i atëhershëm, Enrico Dalfino, u shpreh:

“Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Nuk mund t’i kthejmë pas… jemi shpresa e tyre e vetme.”

Dritare TV ndër vite ka sjellë shumë rrëfime dhe dëshmi prekëse nga shqiptarët që ishin në bord atë ditë të nxehtë gushti të vitit 1991. Historitë e tyre, të mbushura me frikë, shpresë dhe vendosmëri, tregojnë realitetin e atij udhëtimi të rrezikshëm që u kthye në simbol të guximit për të kërkuar një jetë më të mirë.

Sot, 8 gushti kujtohet jo vetëm si një ngjarje historike, por si një ditë reflektimi për fatin e mijëra njerëzve që lanë gjithçka pas, me sytë nga horizonti i lirisë. /dritare/

1 Komente

  1. R
    Realisti

    Për korrektesë, askush nuk u lejua të aplikonte për azil. Ata që aplikuan e bën këtë më pas pasi u larguan fshehurazi nga stadiumi apo hotelet që mbaheshin nën mbikëqyrjen e karabinierëve. Shteti vetë vendosi ti kthejë të gjithë.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje