Guri i pengesës - kush tha se shahu nuk ka humor?
Këto ditë ndesha në një sugjerim – gjysmë serioz – për të shtuar një figurë të re në shah: burokratin.
Burokrati nuk mund të kërcënojë as të “hajë” gurët a figurat e kundërshtarit; roli i tij është të zërë vend në fushë dhe të pengojë pasivisht.
Për shembull, nëse kundërshtari të jep shah me torrë, ti mund ta mbulosh mbretin tënd me burokratin.
Rregullat për statusin dhe lëvizjet e burokratit nuk janë stabilizuar. Zakonisht, lejohet vetëm një burokrat për secilën nga palët, i cili e fillon lojën në kutinë g2/g7, në vend të njërit prej ushtarëve.
Në disa nga variantet, burokrati mbetet statik deri në fund të lojës dhe funksionon thjesht duke projektuar kontroll në kutitë që ka përreth dhe duke ndikuar ashtu në figurat dhe ushtarët e kundërshtarit.
Në disa variante të tjera, burokrati mund të lëvizë por vetëm nga një kuti, në çdo drejtim (njëlloj si mbreti). Lojtari mund ta çojë në atë zonë të tabelës ku mendon se i nevojitet një pengesë mekanike ndaj gurëve të kundërshtarit.
Varësisht rregullave, burokrati mund të hahet nga kundërshtari si çdo gur tjetër; por ai vetë nuk mund të hajë gjë. Nëse lëviz, mund të shkojë vetëm në një kuti të lirë dhe atje të interferojë me taktikat dhe strategjitë kundërshtare.
Pavarësisht nga rregullat që do të ndiqen, burokrati e ndryshon krejtësisht natyrën e shahut, sepse e shndërron në luftë për bllokimin e territorit.
Ata që e mbështetin këtë propozim – që nuk ka gjasa të adoptohet gjerësisht – thonë se burokrati e bën shahun më të ngjashëm me realitetin e sotëm, madje edhe me atë të fushës së betejës, ku pengesat dhe ndalimet burokratike (red tape) janë po aq të fuqishme për të përcaktuar rrjedhën e ngjarjeve, sa edhe veprimet agresive.
Ideja është që burokrati figurë shahu – njëlloj si burokrati në jetën reale – pengon, vonon dhe futet në mes; i parrezikshëm në vetvete, krijon një atmosferë frustrimi aq sa t’ua heqë lojtarëve deri edhe dëshirën për të luajtur.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ilustrimi është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Ç'llafazan...
I vetekenaqur i habitatit medioker shqiptar. Une propozoj qe kete burokratin ne shah ta quajme Vehbi.