Projekti i Bashkimit Evropian, EU4Culture, publikoi librin “Përafrime -Trashëgimia si infrastrukturë e vetëreflektimit”.
Botimi përmbledh pesë ese të autorëve pjesëmarrës që trajtojnë pesë struktura emblemë të Tiranës, nga mozaiku “Shqipëria” dhe Teatri i Kukullave, te Galeria Kombëtare e Arteve, ish-Legata Italiane dhe Qendra “Sotir Kolea”.
Pesë sitet kulturore vijnë përmes analizave të thelluara, ku ofrohet qasje të re mbi marrëdhënien mes trashëgimisë, shoqërisë dhe identitetit kulturor.
Nëpërmjet këtyre teksteve, trashëgimia konceptohet si infrastrukturë e vetë-reflektimit shoqëror. Botimi është realizuar në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht si dhe është menduar të jetë sa më i arritshëm për një audiencë të gjerë, duke qenë i disponueshëm në versionin PDF në platformën ANNEX PILOT dhe në versionin audio në Spotify.
Botimi, pjesë e programit të granteve nga EU4Culture, është realizuar nga organizata United Nations Association Albania, si rezultat i një procesi kërkimor dhe bashkëpunimi ndërdisiplinor.
Ky botim eksploron trashëgiminë kulturore si një hapësirë dialogu dhe reflektimi mbi mënyrën se si i kuptojmë dhe i përjetojmë hapësirat publike sot. A.K./TemA
Lini një Përgjigje