Revolucioni i qershorit në optikën amerikane të kohës

24 Qershor 2024, 15:14Kulturë prof.dr.Paskal Milo

Përmbajtja dhe karakteri i një lëvizjeje historike përcaktohen në rradhë të parë nga platforma, programi dhe objektivat që qëndrojnë në themelet e saj dhe që e udhëheqin atë.Ky është koncept metodologjik që ka zënë vend përgjatë gjykimit të ndodhive e të fenomeneve historike.Historia e kombeve të ndryshme është e mbushur me kthesa të mëdha, me përmbysje, me revolucione e kundërevolucione që kanë sjellë progres ose regres politik, ekonomik, social e kombëtar.
Legjitimiteti i një pushteti në çdo vend ku ai ushtrohet kompromentohet kur ai vepron në kundërshtim me vullnetin dhe interesat e zgjedhësve dhe kur për ta ruajtur atë të zgjedhurit përdorin akte jo demokratike dhe të dhunshme.
Rrëzimi i një pushteti të tillë të çlegjitimuar është në varësi të disa faktorëve siç janë pjekuria demokratike e shoqërisë, niveli i demokracisë politike, shkalla e zhvillimit ekonomik, etj.Në momentin që këto elemente mungojnë ose janë të mangëta, në lojë hyjnë mjete që mund të mos jenë shumë të mirëpritura por që realizojnë atë mision që e kërkon koha, situata dhe që i hapin rrugën progresit.
Në historinë shqiptare të shekullit të kaluar një nga ngjarjet që është kornizuar me këtë argument dhe që ka një debat historiografik rreth saj është ajo që është njohur me emërtime kundërthënëse si revolucion, kryengritje apo edhe grusht shteti.Është fjala për çfarë ndodhi 100 vite më parë në Shqipëri, në qershor 1924.Qëllimi i këtij referimi nuk është të bëhet pjesë e këtij debati tashmë të vjetër.Thjeshtë do të fokusohet në qëndrimet dhe vlerësimet që i kanë bërë asaj Shtetet e Bashkuara, diplomacia e tyre e pranishme në këtë kohë në Shqipëri, krahas përfaqësive të tjera diplomatike të Fuqive të Mëdha europiane e të vëndeve fqinje.
Zhvillimi i ngjarjeve të Revolucionit të Qershorit është i njohur dhe objekt i këtij referimi, është vetëm vlerësimi i tyre në optikën amerikane të kohës. Tre janë çështjet përmbajtësore të qëndrimit amerikan: karakteri i kthesës politike që u shënua në Shqipëri në qershor 1924, njohja e Qeverisë së re shqiptare dhe reagimi ndaj izolimit ndërkombëtar e ndërhyrjes jugosllave për përmbysjen e saj.
Mbështetur në dokumente diplomatike amerikane të kohës me origjinë nga Departamenti i Shtetit në Uashington si dhe nga misionet diplomatike amerikane në Tiranë, Romë, Beograd dhe Athinë, ndryshimi politik që ndodhi në Shqipëri u cilësua revolucion.
Shtetet e Bashkuara mbajtën qëndrim asnjanës ndaj ngjarjeve në Shqipëri, ndonëse opozita shqiptare e ardhur në pushtet kishte manifestuar ndjenja dhe veprime parlamentare proamerikane. Pavarësisht, ato u akuzuan nga disa qarqe të caktuara europiane si mbështetës të qeverisë së re.
Qeveria amerikane nuk e njohu Qeverinë e Nolit për disa arsye: për faktin se atë nuk e njohën qeveritë e vendeve europiane, se ajo nuk plotësoi dy kushtet e vendosura kësaj qeverie siç ishin gjetja e vrasësve të dy turistëve amerikanë dhe zbatimi i politikës së “dyerve të hapura dhe mundësive të barabarta”, por edhe për shkak të tendencës që u shfaq për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Qeverinë sovjetike.Zyrtarisht refuzimi amerikan u argumentua me disa probleme të karakterit juridiko-formal nën prizmin e së drejtës kushtetuese të vëndit, me legjitimitetin e vendimit të regjentit të vetëm nga katër të tillë për të dekretuar qeverinë e krijuar e cila kishte ardhur në fuqi me ndihmën e ushtrisë.
Legata amerikane në Tiranë u autorizua që të mbante marrëdhënie de facto me Qeverinë e Nolit.Kjo e fundit ushqeu shpresa se do të njihej nga Qeveria amerikane por kjo nuk ndodhi qoftë edhe për faktin se në Departamentin e Shtetit për Nolin kishte dosje të vjetra të hapura të cilat ushqeheshin në vijimësi nga kundërshtarët e tij në Amerikë.Në vjeshtë 1924 në Departamentin e Shtetit dosja e njohjes së Qeverisë u mbyll përfundimisht.

*Kumtesë mbajtur në konferencën shkencore "Revolucioni i Qershorit në jubileun e 100-vjetorit" mbajtur nga Akademia e Shkencave.

 

 

Lini një Përgjigje