Këtë të shtunë, Tirana mirëpret një nga emrat më të njohur dhe më influentë të muzikës elektronike botërore, grupin gjerman Keinemusic.
Në Liqenin Artificial gjithçka po bëhet gati për të mikpritur një nga eventet më të rëndësishme kulturore që do të mirëpresë 20 mijë spektatorë, pjesa më e madhe e tyre të huaj që vijnë nga 55 vende të botës, duke e kthyer qytetin në një pikë takimi të kulturës, ritmit dhe artit global.
“Pjesëmarrja është shumë masive. Është mbi 40 mijë persona, ku njerëz nga 55 shtete të ndryshme të botës kanë për të ardhur këtë fundjavë në Tiranë. Ata sjellin një frymë unike, urbane të muzikës ku tashmë është trend në çdo vend të Europës dhe të botës”, tha organizatori Drilon Asimi.
Kjo është e para herë që grupi gjerman ndalon në Ballkanin Perendimor, konkretisht në Tiranë, duke shënjuar një moment të rëndësishëm për skenën kulturore.
Ndërsa për organizatorët është një sukses që Shqipëria vendoset në hartën ndërkombëtare të vendeve që bëjnë të mundur realizimin e të tilla eventeve muzikore.
“Ky nuk është vetëm një sukses i joni, por është i të gjithë shqiptarëve ku do që janë. Për shkak se për herë të parë performojnë në Ballkan. Me këtë event unë mendoj se e kemi futur Shqipërinë në hartat ndërkombëtare, ku tani mendojmë se ky format i eventeve do të zgjerohet tani e tutje”, shtoi organizatori.
Do të jetë koncerti më i gjatë i mbajtur në vend. Nis mbrëmjen e të shtunës për t’u mbyllur në orën 06:00 të mëngjesit të së dielës.
Ndërsa organizatorët kanë menduar edhe për aktivitete paralele argëtimi, njëra prej të cilave, Champions Zone, për të gjithë ata që duan të ndjekin finalen e Champions.
“Kemi vendosur dhe një ekran këtu, ku do të transferohet finalja e Champions League”, tha Drilon Asimi.
I krijuar në Berlin në vitin 2009 nga DJ-të dhe producentët Adam Port, Rampa, &ME, Reznik, ata kanë krijuar një identitet unik që ka tejkaluar kufijtë e muzikës.
Keinemusic ka ndezur skenat më të mëdha të botës si Coachella, Burning Man, Tomorroëland, dhe shumë të tjera.
Albumet “You Are Safe” dhe “Send Return” kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, ndërsa bashkëpunimet me artistë si Solomun, RY X dhe Little Dragon e kanë forcuar më tej reputacionin e tyre si një nga fenomenet më të sofistikuara të muzikës elektronike.
/Tv Klan/
Lini një Përgjigje