U mbajt sot në mjediset e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” aktiviteti me temë “Maks Velo, ide të pandryshueshme", lexime dhe reflektime.
Kritiku i artit, Abaz Hado dhe kuratori Gent Gjikola shpalosën përpara të rinjve të pranishëm në aktivitet artistin shumëdimensional Maks Velo, një artist i papërsëritshëm, një mendimtar i guximshëm dhe një zë i lirë në kohëra të vështira.
Figura e Maks Velos, një krijues që nuk ndaloi kurrë së sfiduari kufijtë e artit dhe mendimit u vlerësua edhe nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari. Takimi u shoqërua edhe me lexime nga krijimtaria e tij letrare.
Aktiviteti u organizua në kuadër të Viti i Maks Velos si dhe 5-vjetorit të vdekjes së tij. Maks Velo ishte më shumë sesa një artist. Ai ishte një zë i fortë i lirisë në një epokë kur liria ishte e ndaluar. Ai vuajti burgimin dhe persekutimin, por asnjëherë nuk iu nënshtrua heshtjes. Në çdo veper të tij, në çdo rresht të shkruar, Maks Velo na tregoi se arti dhe fjala janë arma më e fuqishme kundër padrejtësisë. Pikturat e tij, të cilat shpesh reflektonin ngjyrat e shpirtit të tij, flisnin për jetën, për dhimbjen dhe për shpresën.
Arkitektura e tij, ndonëse shumë prej veprave të tij u ndaluan apo u shkatërruan, mbeti një simbol i së bukurës që ai e kërkonte me aq përkushtim. Maks Velo ishte një artist me një stil të veçantë që sfidonte normat dhe pritshmëritë e artit tradicional shqiptar. Pikturat e tij dalloheshin për ngjyrat e forta, format gjeometrike dhe një ndjenjë të thellë të lirisë. Ai nuk i përmbahej rregullave strikte të realizmit socialist, që ishte dominant në epokën kur krijoi, por kërkonte të shprehte emocionet dhe mendimet e tij në mënyrë autentike.
Stili i tij shpesh përmbante një ndërthurje mes arkitekturës dhe pikturës, duke reflektuar pervojen e tij si arkitekt dhe pasionin për hapësirat. Elementet abstrakte dhe simbolike në veprat e tij shpesh shprehën rebelimin e tij ndaj shtypjes dhe kufizimeve, ndërsa temat e tij flisnin për dramat personale, të tilla si burgimi dhe vuajtjet nën regjimin totalitar. Kritikët shpesh e përshkruajnë stilin e tij si një thirrje për liri, një përpjekje për të krijuar një botë alternative ku artisti dhe shpirti i tij të mbeten të paprekur nga realiteti brutal i kohës.
Në pikturat e tij, Maks Velo krijoi një gjuhë universale të ndjesive njerëzore, duke i dhënë artit shqiptar një zë unik. Vepra e tij mbetet një thesar i çmuar që frymëzon brezat e rinj për të ndjekur rrugën e guximit dhe autenticitetit në art. A.B.