“Vetmi në Perëndim”, komedia e zezë norvegjeze me autor Martin McDonagh, u ngjit në skenën e Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, duke sjellë një interpretim të veçantë nën regjinë e Orges Karagës.
Shfaqja solli për publikun marrëdhënien e tensionuar midis dy vëllezërve, përpjekjet për pajtim dhe rolin e një prifti si ndërmjetës, që në fund tërhiqet, duke i lënë protagonistët në reflektim për vetë jetën dhe marrëdhëniet e tyre.
“… zënkat që kanë jo vetëm familjet, por gjithashtu njerëzit mes vetes, me gjëra që janë realisht të vogla, por shtohen e shtohen dhe dalin prej kontrollit. Në këtë shfaqje, vëllezërit, që edhe në kulturën tonë duhet të jenë të afërt… ata gati vrasin njëri-tjetrin,” tha regjisori Orgesa Karaga.
“Me realitetin prej nga vij unë, në Maqedoni, është shumë reale. Ndodhin edhe në jetën e sotme. Mendoj që kjo shfaqje te secili jep një mesazh,” u shpreh aktori Besian Sulejmani.
“Ngarkesa emocionale është sfustrimi, tensioni gjatë gjithë kohës që zhvillohet vepra, sepse janë dy vëllezër që kanë një raport shumë të keq me njëri-tjetrin, të trashëguar nga babai i tyre,” shtoi aktori Jurgen Liçkollari.
Shfaqja, e cila zgjati më shumë se 60 minuta, u prit me interes nga publiku, duke sjellë në skenë jo vetëm tension dhe mister, por edhe humor të hollë, përmes një komedie të zezë që ngacmonte mendimin dhe emocionin.
/RTSH/
Lini një Përgjigje