"Viceversa" premierë në TKOB, koreografi Julind Dervishi: Një balet që i shërben njohjes së vetvetes

3 Tetor 2024, 08:32Kulturë TEMA
"Viceversa" premierë në TKOB, koreografi Julind Dervishi:

Eksplorimi i dinamikave për të zbuluar veten në raport me të tjerët është në fokus të shfaqjes që do të përcjellë trupa e baletit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Premiera e baletit kontemporan “Viceversa” nën koreografinë e Julind Dervishit shërben si një reflektim mbi kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, ku ndërthuret lëvizja muzika dhe skenografia.

“Viceversa” apo “E anasjella” në shqip, është një balet rreth njohjes së vetvetes në raport me të tjerët. ku bëhen pyetjet të tipit; a jam mjaftueshëm për njerëzit që kam rreth e rrotull? A po bëj mjaftueshëm për ta? dhe nëse po a po marr mjaftueshëm mbrapsh? Pasi dhe një shpirt që jep gjithçka vjen një moment që lodhet”, thotë koreografi Julind Dervishi.

“Viceversa” është baleti i vetëzbulimit, qëndrueshmërisë dhe fuqisë transformuese të dashurisë për veten. Ndaj këtë mesazh kërkon dhe koreografi të përcjellë pas mbylljes së perdes së skenës.

“Unë luaj shumë me imazhin, që do të thotë se baletet e mia më shumë se historia duhet që publiku të kuptojë dhe duhet të krijojë vetë. Unë këmbëngul që të krijoj imazhe që pas shfaqjes publiku të ngrejë pyetje se çfarë ka dashur të thotë koreografi”, shprehet ai.

Baleti “Viceversa” do të shfaqjet për të gjithë artdashësit më datë 3 dhe 4 tetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Lini një Përgjigje