Edicioni i 70-të i Festivalit Evropian të Këngës do të mbahet vitin e ardhshëm në kryeqytetin austriak, ku u organizua për herë të fundit në vitin 2015.
Vjena u përzgjodh nga televizioni publik austriak, ORF dhe nga Rrjeti i Transmetuesve Europianë (EBU). Finalja e madhe do të zhvillohet më 16 maj 2026, ndërsa dy gjysmëfinalet do i paraprijnë në datat 12 dhe 14 maj.
Në garën për mikpritjen e aktivitetit, Vjena mposhti qytetin e Insbrukut.
Kryeqyteti, me rreth 2 milionë banorë, aplikoi nën moton “Evropë, a do të kërcejmë?” duke u mbështetur te përvoja e mëparshme të Eurovizionit, infrastruktura moderne dhe kapaciteti i madh akomodues. Ndërkohë, Insbruku u përpoq të tërhiqte vëmendjen me vendndodhjen e tij mahnitëse në zemër të Alpeve, nën sloganin “Së bashku në majë”.
“Arena Stadthalle e qytetit [të Vjenës] ishte një hapësirë e mrekullueshme në Garën e 60-të në vitin 2015, ndaj mezi po presim të mirëpresim delegacionet, artistët dhe fansat majin tjetër, kur eventi i muzikës live më i madh në botë do të festojë 70 vite të madhërishme, duke qenë Njësh me Muzikën,” tha Martin Green, drejtori i Festivalit të Eurovizionit.
Këngëtari austriak, 23-vjeçari JJ, fitoi sivjet me këngën “Wasted Love” në Eurosongun që u mbajt në Bazel. Ai i dha vendit Austrisë fitoren e tretë historike në eventin europian të muzikës, duke i mundësuar shtetit alpin që të mirëpresë edicionin e vitit 2026.
Që pas triumfit të parë në vitin 1966 dhe më pas në 2014-ën, Vjena renditet e katërta bashkë me Kopenhagën, Malmon dhe Stokholmin për sa i përket qyteteve europiane që kanë organizuar numrin më të madh të edicioneve të Eurovizionit. Në krye qëndrojnë Londra dhe Luksemburgu.
RTSH hap thirrjen për artistët e Festivalit të 64-t të Këngës.
Shqipëria është pjesë e pandashme e Festivalit Evropian të Këngës që prej debutimit të saj në vitin 2004.
Përfaqësuesi shqiptar zgjidhet çdo vit përmes Festivalit të Këngës në RTSH, një ndër ngjarjet më të vjetra dhe të rëndësishme muzikore në vend, që organizohet që nga viti 1962.
Radio Televizioni Shqiptar ka hapur thirrjen për të gjithë artistët që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë aktivitet prestigjioz.
Dorëzimi i materialeve muzikore do të bëhet vetëm në mënyrë elektronike përmes adresës [email protected], nga 1 deri më 30 shtator.
Stafi drejtues kujton se vetëm këngët origjinale dhe të papublikuara më parë do të pranohen në garë.
Festival i Këngës, i cili organizohet që nga viti 1962, mbetet ngjarja më e rëndësishme muzikore në vend.
-rtsh-
Lini një Përgjigje