Xhevahire Kolgjini, ruajtësja e traditës dhe mjeshtrja e artizanatit merr pjesë në Zan’Art

1 Maj 2025, 10:58Kulturë TEMA
Xhevahire Kolgjini, ruajtësja e traditës dhe mjeshtrja e artizanatit

Xhevahire Kolgjini është një nga duarartat e rralla, që ruajnë shpirtin e veriut shqiptar.

Ajo vjen nga Kukësi dhe është një prej 40 artizanëve të përzgjedhur për të marr pjesë në aktivitetin “Zan’Art – Artizanati Shqiptar nga Tradita në Modernitet”.

Në këtë aktivitet ajo solli me krenari punimet e saj artizanale, që pasqyrojnë jo vetëm mjeshtërinë, por edhe historinë dhe identitetin tonë kombëtar.

Prej moshës së njomë, Xhevahirja e nisi rrugëtimin e saj në artizanat, duke e kthyer këtë profesion në një pasion të përjetshëm.

E kam trashëguar nga nëna ime. Që në klasën e shtatë kam bërë tezgjah me nënën. Ajo bënte qilima, sixhade dhe ne e ndihmonim te fijet e perit… Pavarësisht se ishte e vështirë, thosha ‘s’do bëhem kurrë’, por prapë aty ngela,” tregon znj. Kolgjini.

Nënë e katër vajzave, Xhevahirja i ka rritur me frymën e dashurisë për traditën.

Edhe pse ato kanë zgjedhur rrugë të ndryshme në jetë, secila ka përvetësuar dhe vlerësuar zanatin e nënës, duke ruajtur kështu një urë të gjallë ndërmjet brezave.

Të gjitha e dinë punimin e dorës, pavarësisht se kanë mbaruar shkollat e larta. Në makinë janë pak më mbrapa. … Ne vijmë nga zonat e veriut. Nga Kukësi dhe Dibra, gjithmonë i martojmë nipat edhe me lodër. Kur shkonim për dasmë, mund të ishim edhe 30 valltarë përnjëherë, dasmorë,” thotë ajo.

Në këtë aktivitet morën pjesë artizanë të ndryshëm, të cilët ekspozuan punimet e tyre autentike, por edhe personalitete të artit dhe kulturës.

Zan’Art synon të ndërtojë ura mes brezave dhe të rikthejë artizanatin në vëmendjen e kohës moderne. /rtsh/

Lini një Përgjigje