
Hyrje
Në Austri, për një kohë të gjatë marrja e një doktorature ishte e paimagjinueshme për një grua. Universitetet i hapën dyert e tyre për studentet femra relativisht vonë, dhe vetëm në vitin 1897 Universiteti i Vjenës lejoi pranimin e studenteve me cikël mësimor të plotë. Duke parë prapa në kohë një doktoraturë për një grua ishte e paimagjinueshme, edhe pse me siguri do të kishte pasur interes të mjaftueshëm. Edhe Historia e Shkencës, për një kohë të gjatë e trajtoi temën e "grave në shkencat natyrore" në mënyrë mjaft të lëkundur.
Në ditët e sotme, nuk është asgjë e pazakontë të shohësh gra në një sallë leksionesh universiteti kudo në botë. Numri i studenteve femra, dhe interesimi i kandidateve për gradën doktor në shkencat natyrore është rritur e po rritet në Europë. Konkretisht. Në simpoziumin e Shoqërisë Evropiane për Historinë e Shkencës (ESHS) që u mbajt në Londër në shtator 2018 me titull "Një Rrugë e Gjatë e Integrimit të Grave në Komunitetin Shkencor" u prezantua dhe u diskutua, si pjesë e këtij simpoziumi, edhe punimi i përgatitur nga Rudolf Werner Soukup dhe Robert Rosner me titull: "Kontribute Shkencore 'Zonja Doktor' nga Kimistet e Para Femra të Universitetit të Vjenës". Po me këtë temë, në vitin 2020, Sarah Julia Zachl mori gradën akademike magjistër i shkencave të natyrës. Ishte ky kontribut që ngriti pyetjet: Çfarë ndodhi pasi ceremonia e diplomimit mbaroi? Nga vinin ato gra? Ku i çoi rruga e tyre pas përfundimit të doktoraturës? Karrierat individuale të grave nga lindja deri në vdekje. Etj.
Punimi shkencor i Sarah Julia Zachl përbëhet nga 146 biografi të shkurtra të kandidateve për doktor - që mbrojtën doktoraturat e tyre në kimi në Universitetin e Vjenës midis viteve 1920 dhe 1929. Unë gjeta në këtë histori të shkencës - në punishten misterioze të Perëndisë, siç e ka quajtur Gëtja (J.W.Gothe) historinë - një çast të madh. Gjeta emërin e një vajze vieneze, stërgjyshi i së cilës kishte ardhur fëmijë, me familjen e tij në perandorinë Austro-Hungarezë, nga Voskopoja, Shqipëri, fill pas djegies së saj të parë në vitin 1769. “Zonja Doktor” quhej Irene Peyfuss. Biografia e saj përshkruhet në faqet 70-71 të studimit më lart shënuar.
Irene Peyfuss lindi më 16 dhjetor 1894, në Vjenë. U martua me Dipl. Ing. Dr. Teknik Miklos Szentpály, (Nikolla Shënpali, në perandorinë Austro-Hungareze) dhe patën dy fëmijë: Miklós Szentpály dhe Theodora Szentpály. Irene dhe Miklos u vendosën në Maria Enzersdorf, pranë Vienës, dhe jetuan tek Villa Tirka.

C.J.Peyfuss. Vajza ime Irene Peyfuss (e martuar, Szentpaly) rreth vitit 1914. Vaj mbi kanavacë.

Ing.Dr.Teknik Miklos Szentpaly
Në vijim të biografisë të Dr.Irene Tirka do të njiheni edhe me sojin e saj Peyfuss, dhe Tirka.
Babai i Irene-s ishte piktori akademik austriak Carl Johann Peyfuss i njohur për veprat monumentale të krijuara si brenda ashtu edhe jashtë Austrisë. Babai i tij, Johann Peyfuss, ishte bas i dytë në Korin e Burrave të Vjenës; kurse nga nëna e tij, e cila vdiq herët, me shumë gjasa C.J.Peyuss trashëgoi një talent për artet pamore. Ai ishte nipi i Johann Michael Scharff (1806-1855) medalist austriak dhe prerës gurësh të çmuar. Karl Johann Peyfuss studioi në Shkollën e Arteve të Aplikuara, dhe në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë, nën mjeshtra të njohur si J.V. Berger dhe Rumpler, përpara se të studionte në Paris nga viti 1888 deri në vitin 1890. Në moshën 25 vjeç ai merrte porosi të mëdha nga klientë vendas e të huaj, dhe bashkëpunoi ngushtë me arkitektët e firmës Fellner & Helmer.
C.J.Peyfuss mbas martesës në vitin 1891, me të pasurën Theodora Tirka (1863-1920) të cilën e kishte njohur qyshse ishin të rinj, jetoi, me Theodorën, deri në fund të jetës në ngrehinën e njohur edhe si “Villa Tirka”, në Maria Ezendorf ku zhvendosi gjithashtu edhe studion e tij nga Vjena. Krahas krijimtarisë artistike C.J.Peyfuss ishte i angazhuar si anëtar i këshillit bashkiak të Maria Enzersdorf nga viti 1906 deri në vitin 1932. Veprat e tij, duke përfshirë afresket e tavanit dhe pikturat monumentale, gjënden në ndërtesa të rëndësishme si Shtëpia e Operas së Zyrihut, Pallati Mbretëror në Bukuresht, dhe Pallati i Drejtësisë në Vjenë.
Babai i Irene Peyfuss, Carl Johan Peyfuss, vdiq në vitin 1932, dhe prehet në truallin e familjes, varrezat romantike (shiko, romantic graves), në Maria Enzersdorf (periferi të Vienës).

Autoportret nga Carl Johan Peyfuss.


Përkthimi në shqip i tekstit që shoqëron pikturën: “Carl J. Peyfuss (1865-1932). Pamje në sallon me znj. Teodora dhe fëmijët Irene dhe Teodor, 1898”. Nikolaus Maria Demeter Peyfuss, fëmija e tretë, lindi në 1899.
Voskopojarët, në Vienë dhe Budapest, iu nënshtruan kryesisht sharmit të asaj forme të Iluminizmit që lidhej jo vetëm me tregëtinë, bamirësitë, ushtrinë, muzikën, poezinë, artet e apikuara, prodhimin e librave dhe revistave, po mbi të gjitha me promovimin e arsimit, i cili i’u hapi atyre rrugën e bashkëjetesë me qytetrimin Austro-Hungarez.
Konkretisht, më poshtë.
Stërgjyshi i Irene-s ishte Teodor Demetr Terka tregtar dhe bankier, lindur në vitin 1764, në Voskopojë, Shqipëri, dhe vdekur në Vienë më 15 gusht 1839. Stërgjyshja e Irene-s quhej Maria Tirka (lindur Demelie) që jetoi nga viti 1783 deri në vitin1826. Maria ishte vajza e Todor Demelié von de Panyova, tregtar dhe pronar tokash, vdekur në vitin 1811. Titullin e fisnikërisë "de Panyova" e morën në vitin 1812. Familja Demelie, ose Demeleki, ishte me origjinë nga Ballkani Jugor, dhe megjithëse nuk dihet ndonjë qytet apo fshat specifik i prejardhjes tyre, ajo bëri krushqi me familjen voskopojare Tirka, dhe me familjen Emmanueli nga Kosturi, ose nga Voskopoja. Tirkat patën krushqi edhe me familjet Kurti, Kapra, Dumba, Sina dhe Kristomano, në Vjenë, që ishin me rrënjë nga Voskopoja, apo fshatrat rreth saj.
Gjyshi i Irene-s ishte Demeter Teodor Tirka (1802-1874) tregtar me shumicë, bankier, dhe koleksionist arti - në Vienë. D. T.Tirka u martua dy herë. Në vitin 1829, ai u martua me Anastasia Kurti (1809-1833), një teze e industrialistit të famshëm Nikolaus Dumba. Nga kjo martesë lindi vajza e tij, Maria Tirka (1829-1881), e cila më vonë u martua me Johann A. Christomanno. Pas vdekjes së gruas së tij të parë, D.T.Tirka u martua me Therese Sulzer (1837-1922) në vitin 1862. Nga kjo martesë lindi vajza e tij, Theodora Demeter Tirka (1863-1920), e cila u martua me Karl Johann Peyfuss në vitin 1891. Demeter Teodor Tirka bleu në vitin 1840 një shtëpi në Maria Enzersdorf (Villa Tirka) për të strehuar koleksionin e tij të gjerë të artit. Piktori i famshëm austriak Friedrich von Amerling e portretizoi Demeter Teodor Tirka në vitet 1845 dhe 1847, duke theksuar kështu rëndësinë e tij në shoqërinë vjeneze. Gjatë Revolucionit të vitit 1848, Demeter T. Tirka luajti një rol aktiv si kapiten në Gardën Kombëtare të Vjenës. Në vitin 1863 atij iu dha leja, nga Perandori Franz Joseph I-rë, për të mbajtur titullin "Bankier i Qeverisë Princërore Serbe". Ai ishte një këshilltar i ngushtë i Princit Serb Mihailo Obrenović, duke nënvizuar kështu rëndësinë e vet politike dhe ekonomike përtej Austrisë. Demeter Teodor Tirka ishte gjithashtu mbështetësi më i rëndësishëm financiar i botimit, në vitin 1818, "Fjalori serb" i përgatitur nga Vuk Stefanović Karadžić. Etj.

Portreti i Demeter Teodor Tirka. Autor: Friedrich von Amerling
Feja e Dr.Irene Peyfuss ishte katolike-romake. Përkatësia fetare e studenteve të kimisë që morën doktoraturat e tyre midis viteve 1920 dhe 1929 ishte 63% hebreje. Pak më shumë se një e katërta e studenteve të doktoraturës ishin katolike romake, dhe më pak se 10% ishin protestante.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Irene Peyfuss shërbeu për më shumë se dy vite në një spital rezervë që ishte vendosura në një shkollë. Roli i saj ishte që të ofronte kujdes mjekësor për ushtarët që kishin pësuar lëndime jo-vdekjeprurëse; apo që kishin nevojë të pushonin gjersa të shëroheshin - para se të ktheheshin në fushën e betejës, ose për të cilët kujdesi më i specializuar në spitalet bazë nuk ishte ende i nevojshëm.
Dr.Irene Peyfuss punoi për përfundimin e disertacionit shkencor, mbas mbarimit të LPBotrore, në laboratorin e fabrikës së kompanisë Wagenmann and Seybel në Liesing, që ishte më e madhja mes një sërë kompanish të industrisë kimike të vendosura në jug të Vjenës. Atje, besohet, ajo u njoh edhe me bashkëshortin e saj të ardhshëm, i cili drejtonte sektorin mekanik të fabrikës në fjalë. Një studim i Miklos Szentpály me titull "Evolucioni i nxehtësisë së mineraleve radioaktive dhe përshkrimi i një kombinimi mikrokalorimetër-termostat" gjëndet në bibliotekën e Akademisë së Shkencave Natyrore, Vëllimi IIa, viti 1937.Vienë. Ai lindi në vitin 1897, dhe vdiq në1952 Vienë.
Disertacioni i Irenes titullohej "Mbi një metodë të re për përcaktimin e acidit sulfurik dhe acidit tiosulfurik". Data e saktë e mbrojtjes së doktoraturës, në Universitetin e Vienës, ishte 22 korrik 1922. Në këtë vit vetëm 14 gra morën doktorata në kimi.
Nga dokumentat arkivore të viteve 1931 dhe 1932 mësohet se Irene Szentpály-Peyfuss performoi edhe si virtuoze e violonçelit në festimet e Shoqatës së Grave Katolike të dekanatit të Mödlingut.
Në një pllakë varri, në varrezat romantike të familjes Peyfuss, në Maria Enzersdorf, shkruhet: Dr. Phil. Irene Szentpály, mbiemri i vajzërisë Peyfuss, vdiq më 27 mars 1942, martuar me Dipl. Ing. Dr. Teknik. Nikolaus (Miklós) Szentpály nga Homoród-Szentpál (1897-1952). Në varrezat romantike në Maria Enzersdorf ndodhet edhe varri i Dipl. Ing. Nikolaus Szentpály (I riu) nga Homorod-Szentpál (1924-2008). Ky ishte djali i kimistit. Irene Peyfuss kishte edhe një vajzë: Theodora Szentpály, lindur në vitin 1926.
Irene Peyfuss ishte tezja e Profesorit të historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës Max Demeter Peyfuss (1944-2019), motra e babait të tij. Max D.Peyfuss ishte djali i Nikolaus Maria Demeter Peyfuss (1899-1958) dhe Margarethe Peyfuss, lindur Müller, (1908-1993)*. M.D.Peyfuss e filloi karrierën e tij akademike me botimin e një libri shkencor mbi Çështjen Arëman-e (DIE AROMUNISCHE FRAGE. 1994. Botime Enciklopedike). Ai mbetet shumë i njohur mes kolegëve të tij në botë si një specialist i ditëve të sotme në çështjen Arëman-e. M.D.Peyfuss mori përsipër drejtimin e Institutit për Historinë e Evropës Lindore në Universitetin e Vjenës. Monografia e M.D. Peyfuss për Shtypshkronjën e Voskopojës dhe nderimin e shenjtorëve në Kryedioqezën e Ohrit, e përkthyer edhe në shqip, përmban një analizë të hollësishme kritike të civilizimit voskopojar mbështetur ajo edhe në një bibliografi shteruese. Max e vizitoi Shqipërinë disa herë, para dhe pas vitit 1990.(Për më shumë shiko M.D. Peyfuss, N.B., gazeta Dita, 13 dhjetor 2023).

Professor Emeritus - Maximilian Demeter Peyfuss.
Në bashkëjetesën edhe kulturore të familjes Peyfuss me atë Tirka - një figurë tjetër interesante është Maria Elisabeth "Marietta" Peyfuss (1868-1945), motra e Carl Johann Peyfuss, piktore, grafiste, gdhendëse druri, dhe modiste. Ajo ishte anëtare e Shoqatës së Artit Vjenez në Shtëpi. Kundër dëshirës së babait të saj ajo studio në Shkollën e Arteve të Apikuara në Vienë, nën mjeshtrat Koloman Moser dhe Rudolf Ribarz, nga viti 1897 deri në vitin 1902. Marietta Peyfuss bashkëthemeloi Vereinigung Wiener Kunst im Hause (Shoqata e Artit në Shtëpi të Vjenës), një pararendëse e Wiener Werkstätte (Punëtorisë së Vjenës), dhe i ekspozoi rregullisht veprat e saj jo vetëm në në Ekspozitën e Vjenës, Austri.

Marietta Peyfuss. Portret i një vajze. Gdhëndje në dru
Nga Nasho Bakalli
Fund
*Mbiemri Tirka në perandorinë Austro-Hungareze dhe, mbiemëri Terka në Voskopojë, Durrës (Shqipëri), Athinë, Korfuz (Greqi), Trieste, Venecia (Itali) i përkasin të njëjtit trung familjar, me rrënjë nga Voskopoja, që flisnin shqip, vllaçe; dhe greqisht për shkak të besimit fetar, arsimimit, tregëtisë... I kam kushërinj Terkat, tashmë të largët, ndërlidhem aktualisht me pasardhësit e tyre, unë N.B.).
Mitropoliti Ioakim Martinianos (1875-1955) me origjinë nga Voskopoja, në monografinë e tij “Voskopoja1330 - 1930”, pasi e vizitoi atë në vitin 1905, tregon se mbiemri Tirka - Terka i përket të njëjtit trung familjar.
* Sipas: Constantin Peyfuss, djali i Max dhe Sylvia Peyfuss, email dt. 4 tetor 2025.
Lini një Përgjigje